Berisha përplaset me Thaçin: Presheva nuk mund të përdoret për tregti me Serbinë

Ish-kryeministri: T’i njohësh të drejtën Serbisë të paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është zhbërje e qëllimit dhe rezultatit të luftës

Ish-kryeministri Sali Berisha është treguar i ashpër ndaj propozimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për marrëveshje me Serbinë për të shkëmbyer territore. Sipas Berishës, Lugina e Preshevës nuk mund të përdoret për tregti. Duke marrë shkas nga një takim që ai zhvilloi me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, herët në mëngjesin e djeshëm Berisha shkroi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, se Lugina e Preshevës nuk mund të përdoret për tregti. “Shqiptarët e komunave të Luginës kanë nevojë për garantimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, investime dhe zhvillim, dhe jo që të përdoren për interesa të Serbisë për tregti territoresh. Është fakt i pamohueshëm se Serbia gjithnjë ka dashur t’u përdori si plaçkë tregu dhe për shkëmbim territoresh. Personalisht, unë kam qenë dhe jam gjithnjë për paprekeshmërinë e kufijve të Kosovës dhe çdo lloj copëtimi, ndarje, apo tregtie me territorin e saj dhe kundër çdo diskutimi për këto çështje”, tha ish-kryeministri. Sipas tij, t’i njohësh të drejtën Serbisë, fuqisë së humbur nga lufta, të paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është gabim i madh dhe historik, është në një farë mënyre një zhbërje e qëllimit dhe rezultatit të luftës dhe kapitullimit të Serbisë. “Kjo është edhe një zhbërje e Kosovës së çliruar në vitin 1999, të njohur në dokumentet ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete përfshi këtu 95% të vendeve të lira të botës. Republika e Kosovës është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktual ndërkombëtar, ndaj Serbia nuk ka asnjë të drejtë dhe nuk duhet t’i njihet asnjë e drejtë për të pretenduar qoftë edhe një pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës”, nënvizon Berisha. Por Berisha vijoi edhe më tej “sulmin” e tij ndaj Thaçit, duke thënë se kjo është një përpjekje destabilizuese e Serbisë, pasi mbështetet mbi idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe ne kurriz te Kosovës. “Në rajonin tonë, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbët në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin. Pretendimi i Serbisë për tre Komunat e Mitrovicës nuk ka të bëjë aspak me garantimin e lirive dhe të drejtave të serbëve, por ka të bëjë vetëm me vazhdimin e idesë së serbo-madhisë dhe është pretendim territorial ndaj një shteti sovran të pavarur me qëllim zhbërjen e Kosovës! E vërteta është se në këtë rast Serbia kërkon të bëjë tregti, të përdorë si plaçkë tregu territoret shqiptare, pasi ajo është e shqetësuar nga zgjimi gjithnjë e më i madh i vetëdijes kombëtare tek banorët shqiptarë të Pazarit të Ri. Për të gjitha këto u shpreha se jam kategorikisht kundër dhe se kam bindje se këto përpjekje destabilizuese të Serbisë do të dështojnë. Theksova se çdo marrëveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jetë një marrëveshje midis dy vendeve të pavarura që njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njëri – tjetrit. Ju nuk duhet në asnjë mënyrë të bëheni shkak për këto pazare. Lugina duhet të jetë Luginë paqeje, bastion i pamposhtur i vlerave, botës shqiptare dhe europiane, me qytetarë të barabartë para ligjit, dhe ne rast se Serbia nuk pranon këto parime, vetëkuptohet, që ajo nuk kërkon marrëveshje, por konfliktualitet dhe destabilizim!”, thekson ish-kreu i ekzekutivit shqiptar në njoftimin e takimit të tij me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.