Bëhen publike pamjet kur raketa iraniane godet avionin ukrainas me 176 pasagjer në bord

Vetëm pak orë pasi autoritetet amerikane deklaruan se avioni ukrainas, Boeing 737-800, mund të jetë goditur gabimisht nga raketat iraniane, një video me momentin e bombardimit ka nisur të qarkullojë në internet.

Pamjet e publikuara nga The New York Times duket se tregojnë momentin kur një aeroplan pasagjerësh ukrainas u qëllua në hapësirën ajrore iraniane menjëherë pasi u nis nga aeroporti i Teheranit.

Avioni ka vazhduar fluturimin për disa minuta dhe është kthyer përsëri drejt aeroportit, thotë New York Times. Siç shihet nga pamjet, avioni fluturoi drejt aeroportit përpara se të shpërthente por u rrëzua shumë shpejt.

Në avionin që u rrëzua në Teheran ndodheshin në bord 176 persona dhe asnjë prej pasagjerëve nuk mbijetoi.

Autoritetet ukrainase dhe iraniane më herët përjashtuan mundësinë se rrëzimi i avionit ndodhi si pasojë e një sulmi terrorist por duket se hamendësimet morën rrjedhë tjetër.

Ditën e sotme mediat amerikanë njoftuan se avioni ukrainas u rrëzua si pasojë e një gabimi nga pala Iraniane të cilët goditën avionin me raketë, tragjedia ndodhi në kohën e sulmeve iraniane me raketa ndaj bazave amerikane në Irak.