BE dhe OSBE ndahen me Presidentin Meta për datën e zgjedhjeve

Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë dhe drejtuesit më të lartë të OSBE-së bënë sot thirrje për të shmangur dhunën dhe për të garantuar një proces të qetë në zgjedhjet vendore të së dielës, duke rikonfirmuar në këtë mënyrë njohjen prej tyre zyrtarisht të kësaj date, si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve. Një ditë më parë, presidenti Ilir Meta dekretoi 13 Tetorin si datën e re të zgjedhjeve, ndërsa sërish sot përsëriti, përmes një mesazhi të gjatë në Facebook se “data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 Tetori”.

Bashkimi Europian dënoi sot dhunën e çdo forme dhe deklaroi sot se qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore në votimet e 30 qershorit. “Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen” – theksoi BE-ja në deklaratën e publikuar sot.

BE-ja kujtoi se demonstrata e 21 qershorit në Tiranë ishte e paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. “Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese” – deklaroi BE-ja, duke shtuar se “procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian”.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e përparimit të bërë nga Shqipëria deri tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian” – thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, katër drejtuesit më të lartë të OSBE-së shprehën sot keqardhje për tensionin e vazhdueshëm politik në Shqipëri dhe dënuan sulmet e dhunshme ndaj organeve zgjedhore.

Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, publikuan një deklaratë të përbashkët, ku nxitin sërish të gjithë aktorët politikë të angazhohen në politika konstruktive, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë vetëpërmbajtje.

“Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht” – thuhet në deklaratën e OSBE-së. Përfaqësuesit e saj nxitën gjithë aktorët të mbështetin shtetin e së drejtës, të respektojnë rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse dhe të drejtat e njeriut, si dhe të shmangin dhunën.“Si autorët ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunshme do të jenë përgjegjës ligjërisht. U bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të përdorin masa përpjestimore” – tha OSBE.

OSBE njeh të drejtën e shqiptarëve për mjetet e paqta të protestës, por dënon me forcë sulmet e dhunshme të kohëve të fundit kundër organeve të ngarkuara me organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri, ku u dëmtuan shkolla dhe material zgjedhore.

“Mosmarrëveshjet politike dhe administrative duhet të zgjidhen në përputhje me shtetin e së drejtës dhe proceset ligjore. Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, pengon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit. Çdo shkelje ligjore e lidhur me zgjedhjet, përfshirë blerjen e votës, abuzimin me burimet publike dhe ushtrimin e presionit ndaj nëpunësit e sektorit publik sa u përket zgjedhjeve, duhet të ketë pasojat e duhura ligjore” – theksohet në deklaratën e sotme.

Drejtuesit e OSBE-së kujtuan miratimin njëzëri nga 56 shtetet pjesëmarrëse që Shqipëria të marrë Kryesinë e Radhës së OSBE-së në vitin 2020, me bindjen që Shqipëria do të përparojë, nëse në vend ushqehet një ndjenjë e pjekur përgjegjësie për përparimin dhe reputacionin e vendit. “Pas 30 qershorit, OSBE-ja do të përkrahë fuqishëm përpjekjet e përtërira për reformë në vend, përfshirë reformën gjyqësore, në përputhje me kërkesat dhe aspiratat e popullit shqiptar” – thuhet në deklaratën e saj.

Por presidenti i Republikës, Ilir Meta, publikoi një mesazh drejtuar qytetarëve, ku thekson se data kushtetuese për zgjedhjet vendore është 13 tetori. “Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Por kryeministri insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor, ku ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë” – tha ai.

Zoti Meta shtoi se të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019. “Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi dhe mençuri, dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato iu shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak” – tha zoti Meta.

Ai kërkoi të respektohen dhe të mos ketë konfrontime me ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto “votime socialiste”. “Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane, dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës” – theksoi zoti Meta.

Zeri i Amerikes