Bazën Ajrore të Kuçovës, një bazë ajrore për të përballuar një sulm të mundshëm që mund t’i vijë Aleancës nga kufijtë jugorë të saj

“Në bazën e Kuçovës do të realizohen një sërë projektesh me vlerë fillestare 50 milionë dollarë”, – deklaroi sot Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku nga Kuçova, nga ku u prezantua buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjenerali, theksoi se NATO ka përzgjedhur Bazën Ajrore të Kuçovës, si një nga bazat ajrore taktike të saj për të përballuar një sulm të mundshëm që mund t’i vijë Aleancës nga kufijtë jugorë të saj.

Në vijim, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku tha se baza ajrore e Kuçovës do të shërbejë për operacione në përputhje me planet strategjike të NATO-s si dhe për trajnim dhe stërvitje për të gjithë strukturat e Forcave të Armatosura dhe më gjerë.

Shefi i Shtabit Kollçaku, theksoi se në bazën e Kuçovës do të këtë investime të rëndësishme.

“Në këtë bazë do të realizohen një sërë projektesh infrastrukturore me vlerë fillestare investimi 50 milionë euro, çfarë do të thotë kthimin në operacionalitet të plotë të saj. Ky investim do të bëjë të mundur dislokimin e një numri të madh avionësh luftarak transporti të kategorive të ndryshme të aleancës”, – tha ai.

Po ashtu, Kollçaku shtoi se “për implementimin e këtij projekti, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në konsultim të plotë me strukturat përgjegjëse të NATO-s kanë marrë  të gjitha masat për përgatitjen e masterplanit dhe projektet teknike dhe inxhinierike, me qëllim që t’i hapin sa më parë rrugën punimeve të të gjithë zërave të parashikuar. Përfitimi kryesor për Forcat e Armatosura do të jetë jo vetëm përmirësimi i kapaciteteve ekzistuese, sipas standardeve të NATO-s, por dhe të kapaciteteve të tjera të domosdoshme për vendin tonë”.

Baza Ajrore e Taktike e Kuçovës, shtoi Kollçaku, do të shërbejë për trajnimin e personelit për operacione në një spektër të gjerë luftarak të imbarkim-zbarkimit, kërkim-shpëtimit, emergjencave civile dhe atyre humanitare.

Gjithashtu, Kollçaku theksoi se kjo bazë do të shërbejë për rritjen e eksperiencës së personelit për planëzimin, drejtimin dhe kontrollin në operacion ajror dhe padyshim rritjes së ndërveprueshmërisë të personelit tonë të FA me ato të Aleancës.

“Në cilësinë e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura ju siguroj zoti Kryeministër se vëmendja e qeverisë për FA do të përkthehet në kapacitete operacionale më të mira, më shumë përkushtim për vendin dhe Aleancën, në shërbim të paqes dhe sigurisë. Kthimi i kësaj bazë në operacionalitet të plotë, sipas standardeve të NATO-s, na bënë të ndihemi krenarë”, – tha në fund Kollçaku. /a.g/ATA