Bashkimi Evropia: Dështimi i bisedimeve për reformën në drejtësi “një rast i humbur”

Një ditë pas dështimit të takimit mes krerëve të politikës shqiptare, takim i iniciuar energjikisht nga faktori ndërkombëtar, kryesisht SHBA, ka reaguar Bashkimi Europian përmes Maja Kocijancic.

Bashkimi Evropian e quajti një “rast të humbur” dështimin e bisedimeve të politikanëve shqiptarë për të arritur një marrëveshje për reformën në drejtësi, që do të dëmtojë hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt integrimit në B.E.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur sot (të martën) me gazetarët në Bruksel, tha se“takimi i djeshëm ishte një rast i humbur. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar: kjo reformë duhet të miratohet”.

Zëdhënësja Kocijancic tha se projekt-ligji “është në përputhje me standartet ndërkombëtare” dhe ajo u bëri thirrje politikanëve shqiptarë të rifillojnë bisedimet.

Demokratët e opozitës hezitojnë të japin miratimin e tyre. Votat e demokratëve janë të nevojshme për të siguruar miratimin e ndryshimeve kushtetuese në parlament.