Basha reagon pas miratimin për çmimin e ujit, akuza drejt LSI dhe PDIU

Pas miratimit të propozimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm ka reaguar Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Basha përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, hedh akuza edhe në drejtim të LSI dhe PDIU. Ai tha se edhe këto forca u bënë pjesë e pazareve të Edi Ramës në bashkinë e Tiranës.

“Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja.”, shkruan kreu i PD-së.

Basha është zotuar se PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve dhe tha se PD është e fortë dhe e vendosur për të luftuar për qytetarët.

“Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve.”, ka mbyllur postimin Lulzim Basha.