Basha i përgjigjet Ramës: Jo pakt kulimash, por dialog popullor me referendum, nuk luajmë lojën me portat e vogla të krimit si Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike dhe i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha, ishte pasditen e së markurës në aktivin e Partisë Demokratike në Durrës ku do të shpërndante dhe kartat për anëtarësimet e reja të të rinjve në radhët e PD-së. Gjatë rrugëtimit, Basha është pritur në autostradë nga qindra automjete dhe qytetarët që mbanin flamujt e Partisë Demokratike. Basha e ka cilësuar si të jashtëzakonshme këtë pritjes, pas asaj që iu bë dy ditë më parë në Berat. Ndërkaq gjatë fjalës së tij para anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, Lulzim Basha u shpreh se populli opozitar është i vendosur për të mos hedhur asnjë hap mbrapa, pasi siç tha ai, ora e ndryshimit po vjen. “Dje nuk u përmbajtja dot nga emocionion që më shkaktoi prija e jashtëzakonshme në Berat, sot jam i shtangur dhe i pafjalë nga ky uragan. Ky uragan që nisi në Maminas me pritjet madhështore të rinisë durrsake dhe ja ku jemi sot nga zerat tuaj, nga kraharorët e durrsakëve të lirë, po troket ora shpresëplotë e ndryshimit të madh që po vjen. Ditë për ditë sytë e shqiptarëve janë në pasditet ku ne bashkohemi në salla dhe sheshe në numrat të paparë me një kauzë dhe përbetim për të mos hedhur asnjë hap pas në betejën tonë kombëtare, europiane, për Shqipërinë si gjithë Evropa. Një bashkim i tillë popullor nuk është parë që në ditët e përmbysjes së diktaturës, që bashkuan shqiptarët në ditët e lirisë. 30 vite kanë kaluar, ëndrra jonë është mbushur me sakrifica, askush më mirë se durrsakët nuk e dinë kur ikën si refugjatë në korrik 1990 ku mijëra të tjerë kapërcyen detin, për nje jetë më të mirë. U bënë njësh me Europën dhe ndihmuan familjet e tyre në shtrëngesë të tmerrshme mjerimi, por ne e dinim atëherë se rrugë tjetër përveç Europës nuk kishte, dhe sot e dimë që nuk ka rrugë tjetër përveç Europës. Dhe shqiptarët e dinë se nuk do ikin më kokulur që të ushqehet banda në pushtet, kryebanditi dhe më i korruptuari në krye të saj. Tani e asnjë minutë më vonë ka ardhur koha për një betejë vendimtare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Misioni ynë është një mision kombëtar. Në historinë e shoqërive në përballje të tilla, vijnë momente si ky ku ndodhemi sot, ku një parti e madhe me një histori të madhe dhe një mision të madh kombëtar, si Partia Demokratike e Shqipërisë, duhet të vendosë nëse duhet të zgjedhë rrugën e rehatit, rrugën e pazarit, rrugën e kompromisit me të keqen për hir të pushtetit dhe karriges, apo rrugën e vështirë, të drejtë dhe hyjnore të betejës për njerëzit, për Shqipërinë, për të ardhmen e saj. Ne e kemi bërë zgjedhjen. Ne jemi në krah të njerëzve. Ne jemi në krah të projektit tonë me të cilën lindëm, projektin për Shqipërinë si gjithë Europa. Ne kemi ndalur çdo kalkulim të vogël politik. Ne nuk luajmë me portat e vogla të krimit dhe të oligarkëve, siç luan i babëzitur nga mëngjesi deri në darkë Edi Rama. Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë. Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike”, u shpreh Lulzim Basha.

Në vijim kryedemokrati deklaroi se Edi Rama i ka kapur të gjitha pushtetet dhe në to ka ulur krimin, por ka kundër të gjithë popullin. “Edi Rama i ka kapur të gjitha. Ka sot qeverinë, pseudo parlamentin, pseudopolicinë, pseudo drejtësinë, mediat kryesore. Ai ka kapur ekonominë me oligarkët. Një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën i kanë kapur të gjitha. Atëherë, ku janë asetet tona? Ku është forca jonë? Ku janë mjetet tona? Po, ai i ka kapur të gjitha, por pikërisht sot e ka të gjithë popullin kundër. Të gjithë njerëzit e bashkuar e të vendosur për ti dhënë fund këtij teatri të shëmtuar politik që na kushton çdo ditë mijëra vende pune, spitale pa ilaçe, arsimin në kolaps, mijëra emigrant çdo ditë. Përballja ka sot nga njëra anë pakicën më të tkurrur të horrave, zuzarëve, gangsterëve të politikanëve të korruptuar, pakicën e vesit dhe antivlerave para shumicës më të bashkuar dhe morale që Shqipëria ka pasur. Që kurrë më qeveria të mos jetë peng i kriminelëve, kjo betejë nuk do të përfundojë thjesht dhe vetëm me largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi ramës është hapi i parë i pa negociueshëm, hapi që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politik të krizës”, tha Basha. Në këtë linjë duke iu referuar dhe letrës së kreut të qeverisë për uljen në dialog pa kushte, nga Durrësi Basha premtoi se nuk do të ketë pakte kulisash, do të ketë një dialog kombëtar dhe në fund një vendimmarrje me referendum nga populli. “Kjo betejë nuk do të mbarojë thjeshtë me largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i pa negociushëm, hapi që do ti hapë rrugë zgjidhjes politike të krizës. Por, fjalën vendimtare për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të plagëve që shkaktojnë këtë krizë, do ta kenë përsëri shqiptarët. Deputetë të zgjedhur drejtpërdrejtë në 100 zona mazhoritare, apo sistem kombëtar me lista të hapura. Senat që e ngadalëson dhe e bën transparent procesin legjislativ. President me kompetenca të plota që kontrollon dhe balancon pushtetet, pse jo president të zgjedhur nga populli. Ndarje dhe balancim të pushteteve që garantojnë gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur dhe që zbatojnë ligjin. Referendume popullore, lokale dhe kombëtare, që sovrani, populli të ketë gjithmonë mundësinë, levën, për të ju mbivendosur çdo politikani që humb arsyen dhe kërkon të mashtrojë votuesit. Referendum për gjithçka që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë, jetën. Këto janë disa nga propozimet, për të cilat angazhohem sot se nuk do të ketë pakte kulisash, do të ketë një dialog kombëtar dhe në fund një vendimmarrje me referendum nga populli”, tha Lulzim Basha.