Balsha i parë dhe çlirimi i Arbërisë nga zgjedha serbe

Mark Bregu

Cari i Serbisë, Dushani, bashkë me Maqedoninë, kishte mundur të fusë nën zgjedhë dhe gjithë Arbërinë që në vitin 640, e kështu kishte formuar një perandori të madhe që shtrihej pothuaj në të gjithë Ballkanin. Pas vdekjes së Stefan Dushanit më 1355, perandoria e tij e gjerë u nda në shumë copa, të cilat u shpallën më vete prej princërve vendas, të cilët qenë shtrënguar më parë të njihnin Carin serb si kryezot.

Një nga këto copa ishte edhe Shkodra me krahinën e saj mbi të cilën zotëronte Princ Balsha, (një gegë i kulluar) nga fshati Balsh afër Shkodrës. Balsha, me të vdekur Car Dushani, u shpall më vete dhe mori titullin Balsha i Parë. Ai, menjëherë u shpalli luftë serbëve dhe çliroi Shqipërinë (Arbërinë) Veriore nga zgjedha serbe. Por nuk u kënaq me kaq, u zgjat në Mal të Zi, nga veriu dhe i ndihmuar nga të bijtë (Strazimiri, Gjergji dhe Balsha), e çliroi pothuajse të gjithë Gegërinë nga serbët. Pas vdekjes së Balshës së Parë, i biri, Gjergji, i ndihmuar prej vëllezërve dhe prej disa princërve arbër, e mbaroi veprën e nisur prej plakut Balshë. Pushtoi Krujën, Durrësin, Beratin, Vlorën, Kaninën, Gjirokastrën dhe Kosturin; zgjeroi mbretërinë e tij nga ana e lindjes gjer brenda në Maqedoni, u zgjat nga veriu në Dalmati e deri në Selanik dhe ishte i pari dhe i fundit mbret arbër që mbretëroi në një perandori e cila kishte brenda juridiksionit të saj, jo vetëm të gjithë Gegërinë e Toskërinë, veç Çamërisë, po edhe Malin e Zi, një pjesë të Bosnjës dhe të Hercegovinës, pothuaj gjysmën e Dalmatisë dhe një pjesë të madhe të Maqedonisë, me fjalë të tjera, një Arbëri e cila ishte të paktën pesë herë më e madhe se ajo që na dha Europa më 1913. Sa kohë që jetoi Gjergji i Parë – Balsha (i cili ngjalli Perandorinë Iliriane), e mbrojti Arbërinë nga shkeljet e huaja dhe zmbrapsi me rradhë serbët, boshnjakët, napolitanët, bullgarët dhe turqit. Pasi dërmoi për herë të fundit mbretin e Bosnjës, Stefan Tvarko në Berat, u kthye në kryeqytetin e vet, në Shkodër, ku vdiq në mes të triumfit në vitin 1379. Pas vdekjes së Gjergj Balshës në Veri e të Gjin Bua Shpatës në Jug, punët ndryshuan dhe Arbëria u shtrëngua të niste një luftë mbrojtëse për jetë a vdekje nga të gjitha anët, kundër turqve nga lindja, kundër serbëve e boshnjakëve nga veriu, kundër venecianëve nga perëndimi e kundër franko-napolitanëve nga jugu. Arbëria, po të ishte e bashkuar, s’është aspak çudi që do të kishte qenë e zonja t’u bënte ballë këtyre armiqve. Por, për fat të keq, krerët feudalë arbër, (në veri e në jug), porsa u çliruan nga zgjedha e huaj, nisën të ngatërrohen e të luftojnë kundër njëri-tjetrit, dhe kështu armiqtë e jashtëm gjetën rastin të hyjnë e të shkatërrojnë Arbërinë e çliruar. Në vitin 1385, në kohën e Sulltan Muratit I, një ushtri turke prej 40.000 trupash, nën komandën e vezirit Hajredin, hyri nga Maqedonia dhe pushtoi Kosturin dhe Beratin. Trupat turke të cilat erdhën nga Maqedonia, ishin të ftuara nga Karl Topia. Kjo ishte tradhëtia e dytë që i bëhej Arbërit, pas asaj të Dhimitër Farit, i cili pati tradhëtuar Mbretëreshën Teutë të Ilirisë, kur ajo e kishte dërguar si vrojtues në Korfuz, për të kontrolluar lëvizjet e romakëve (shënimi është imi, M.B.). Kështu edhe Karl Topia, për të shuar ambicjet ndaj Balshajve, preferoi të bashkëpunojë me turqit.

Krenaria e Arbërit e cila kishte arritur kulmin e lavdisë nën udhëheqjen e Balshajve të Shkodër, përfundoi pas tridhjetë vjetësh, duke kaluar në luftë të brendshme mes principatave. Ref: “Libra shteti për shkollat e mesme”, Nr. 2. Shtëpia botuese “Gurakuqi”, Tiranë, 1941.

Ishin pikërisht këto fakte historike tepër të hidhura që e shtynin Faik Konicën në atë konkluzion fatal, kur lëshonte ligjëratën-sentencë: “Shqipërinë do ta shpërbëjnë shqiptarët”.

Shembuj të tillë, vërtetë të dhimbshëm kemi edhe pas shpalljes së Pavarësisë; Myfit bej Vlora, (të cilit nuk i kishte bërë efekt shuplaka e Gurakuqit), don t’i shesë Italisë, Vlorën dhe rrethinat; Esat Pashë Toptani bashkëpunon sa me italianët aq dhe me serbët dhe është gati ta hedhë Shqipërinë në treg si një plaçkë; Haxhi Qamili “sfidon” flamurin e shenjtë të Kastriotit dhe bredh në kënetën e Durrësit duke valëvitur flamurin e “babës” me yll e hënë. Dhe kështu Shqipëria e Mesme kthehet në një arenë përleshjesh mes qeverisë së ligjshme të Vidit dhe mbeturinave aziatike. Këto ngjarje sa të trishtueshme aq dhe të turpshme, na i ka përshkruar me shumë vërtetësi penda e artë e Fan Nolit. Do të duhej “uragani” i bjeshkëve të Kosovës – Bajram Curri, për t’i bërë “tërbjet” mercenarët.

Është vërtetë një koinçidencë e bukur dhe mjaft domethënëse, që tri “kolonat” e kulturës sonë të asaj kohe, na vijnë nga tri besimet: Faik Konica – musliman; Fan Noli – ortodoks; ndërsa Poeti ynë Kombëtar, At’ Gjergj Fishta – katolik. Dhe ndonëse në pikpamje politike kishin mendime të ndryshme, në probleme madhore i gjenin pikat e bashkëpunimit. Pa dyshim nëse do t’ju bashkojmë këtyre dhe ideologun kampion të atdhetarizmit – Luigj Gurakuqin, do të thoja me bindje se këta përbëjnë katër kolonat e qytetërimit oksidental në Shqipëri. Asnjëherë nuk na kanë munguar “pionierët” e qytetërimit perëndimor: Ernest Koliqi, Tajar Zavalani, Martin Camaj, Arshi Pipa, Sami Repishti, At’ Daniel Gjeçaj, Ismail Kadare, ndonëse të nisur nga “pista” të ndryshme politike, orientimi i tyre ishte Perëndimi dhe sfondi i tij kulturor. Është pikërisht ky fakt mjaft domethënës dhe kuptimplotë që nuk përjashton asnjë religjion, nga angazhimi i madh për t’u integruar në familjen e madhe europiane, së cilës i përkasim në të gjithë parametrat: gjeografikë, kulturorë e deri në ato antropologjikë. Mbi 300.000 arbëreshë të ngulur në Itali që nga shekulli XV e këtej, dhe mbi 200.000 emigrantë të dekadës së fundit, janë pararendës në evoluimin kulturor me sens Perëndimor dhe një garant vërtetë integrues.

Dy brigjet e Adriatikut, asnjëherë nuk kanë qenë më pranë njëri-tjetrit.