Ballkani dhe hija e Luftës I Botërore

Më 11 nëntor udhëheqës botërorë do të mblidhen në Paris për të kujtuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, një ndër konfliktet më të përgjakshme që ka njohur njerëzimi dhe që la gjurmë të thella në pejsazhin gjeopolitik të globit për dekada me radhë. Kolegia Ardita Dunellari bisedoi me dy historianë mbi trashëgiminë kryesore të këtij konflikti në zhvillimet e sotme ballkanike:

Kanë kaluar 100 vjet që nga përfundimi i Luftës I Botërore, por gjurmët e saj kanë vazhduar të ndjehen në botë për thuajse një shekull. Kaosi dhe shkatërrimi i pas-konfliktit krijuan terren për ideologji të ekstremit që diktuan zhvillimet politike në një pjesë të madhe të globit për dekada me radhë:

“Pa Luftën e Parë Botërore vështirë të imagjinohet një lëvizje radikale revolucionare si ajo e Leninit që mori pushtetin në Rusi, e që u bë faktor kyç në përhapjen e ideologjisë komuniste si alternativë funksionale. Dhe në skajin tjetër të spektrit – nazizmi dhe fashizmi, vështirë të imagjinohet që këto ideologji të skajshme do të bëheshin faktorë qëndrorë në Evropë dhe në historinë globale, pa Luftën e Parë Botërore,” thotë Aviel Roshwald, profesor i historisë në Universitetin “Georgetown” në Uashington.

Lufta I Botërore la pas perandori të shpërbëra, ekonomi të shkatërruara, miliona të vrarë, të plagosur e të zhvendosur që u bënë burim i radikalizimit të shoqërive të prekura nga konflikti, shpjegon historiani Aviel Roshwald.

“Menjëherë pas luftës, në 1918-1919 u duk sikur ithtarët e idealit të vetëvendosjes për kombet e vogla të Evropës dolën fitimtarë, pasi perandoritë shumetnike si Perandoria Austriake, Romanovët në Rusi, Perandoria Osmane në Lindjen e Mesme u shpërbënë dhe u lanë vend shteteve të reja. Por secili nga këto shtete i dalë nga hiri i perandorive të shpërbëra lindi në kaos, në sisteme ekonomike të ndërprera, nga shkatërrimi i luftës”.

John Lampe, njohës i zhvillimeve ballkanike, thotë se njësitë e reja që u krijuan në Ballkan, rezultante të marrëveshjeve arbitrare mes fuqive botërore, me popullsitë e përziera etnike dhe pretendimet për zgjerim territorial u bënë burim abuzimesh, masakrash, përndjekjesh të ndërsjellta mes kombeve ballkanike. Jehona e atyre ditëve ndjehet ende sot në zhvillimet politike në rajon:

“Këto kujtime nga koha e luftës… ky sfond i asaj periudhe ndihmon për të kuptuar sa e vështirë është tani të gjendet një zgjidhje për kufirin mes Serbisë dhe Kosovës”.

Ideali që prezantoi Lufta e Parë Botërore – e drejta e kombeve për vetëvendosje – është përfolur e analizuar shumë në 100 vjetët e fundit. Profesor Lampe thotë se vetëvendosja në praktikë nuk ofron gjithmonë zgjidhje të qëndrueshme të pretendimeve territoriale:

“Nëse me vetëvendosje nënkuptojmë një qeveri kushtetuese që u ofron të gjithë qytetarëve një shans për votë, dakord. Por nëse me këtë shprehje nënkuptojmë vetëvendosje vetëm për një grup etnik, është e qartë që nuk shërben për zgjidhje të suksesshme”.

Profesor Roshwald thotë se historia e njerëzimit ka dëshmuar se kur vetëvendosja rezulton në ndryshim kufijsh, dalin më shumë probleme të reja se sa zgjidhen. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, thotë ai, zgjidhja e vetme funksionale mund të gjendet tek marrëveshja mes palëve:

“Në shumë, shumë raste, ndryshimi i kufijve krijon burime të reja për hakmarrje dhe pretendime irredentiste vite më pas. Me rëndësi kyçe për Kosovën dhe Serbinë është gjetja e një zgjidhjeje që pranohet nga të dyja palët dhe jo që imponohet nga njëra palë”.

Profesor Lampe thotë se problemi nuk qëndron tek kufiri aktual mes Kosovës dhe Serbisë, por tek gjurmët që ka lënë historia tek këto popullata, tek një mëri që mbartin dy kombet brenda vetes, të ushqyer në masë të madhe nga zhvillimet gjatë dhe pas Luftës I Botërore. Por ai sjell shembullin e Irlandës, për të dëshmuar se ka zgjidhje edhe për problemet e armiqësive të gjata mes popullatave, pa nevojën e ndryshimit të kufijve:

“Kërkohet një angazhim nga një numër kritik udhëheqësish si nga serbët ashtu edhe shqiptarët në Kosovë që të mbështesin një marrëveshje për t’i garantuar pjesëmarrje pakicës serbe. Edhe vetë pakica serbe duhet ta kuptojë se është në interesin e tyre të angazhohet, të marrë pjesë në parlamentin e Kosovës”.

Perëndimi punoi shumë për të nxjerrë mësime nga dy luftrat botërore dhe për të vënë në funksionim garanci që konflikte të tilla shkatërrimtare nuk do të përsëriteshin, duke krijuar institucione transatlantike, pista shkëmbimesh për të rritur besimin e ndërsjelltë dhe për të lehtësuar dialogun.

Fuqitë perëndimore, dikur armike në anë të kundërta të konfliktit, përqafuan parimet e tolerancës, shtetit ligjor, kompromisit, të drejtat e komuniteteve, të gjitha të frymëzuara nga mësimet e nxjerra nga konfliktet, mësime që Ballkani duket se nuk i ka përvetësuar ende 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

VOA