Balli Kombëtar i kërkon ndihmë SHBA-ve për të rrëzuar Enver Hoxhën. Cilat ishin 4 sugjerimet për Uashingtonin?

Më 14 prill 1945 krerët e Ballit Kombëtar të arratisur në Itali i sugjeronin Uashingtonit që në Tiranë të formohej një qeveri demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive dhe të organizatave që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Gazeta “Investigim” boton një dokument të rëndësishëm, që ka të bëjë me përpjekjet e nacionalistëve shqiptarë për të ndryshuar lidershipin komunist të Enver Hoxhës me rrugë diplomatike

Balli Kombëtar i kërkonte Amerikës në prill 1945 që të impononte ndryshimin e regjimit në Shqipëri, në mënyrë që të mund të formohej një qeveri demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive dhe të organizatave që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. E përjavshmja “Investigim” sjell para lexuesit të gjerë një dokument pak të njohur dhe që i takon periudhës së përfundimit të Luftës II Botërore. Më 28 prill 1945 është dërguar në Departamentin e Shtetit në Uashington, nëpërmjet zyrës së këshilltarit politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, në Kazerta të Italisë një memorandum, i nënshkruar nga tre krerë nacionalistë shqiptarë qysh më 14 prill 1945. Por nuk pati përgjigje. Kuptohet. Shqipëria i kishte kërkuar më 23 shkurt 1945 komisionit ndërkombëtar për zbulimin e krimeve dhe të kriminelëve të luftës, dorëzimin e një numri, sikurse i etiketon Enver Hoxha në një letër dërguar presidentit të SHBA Herri Truman “kriminelësh shqiptarë të luftës, që ndodheshin në kampet e përqendrimit të Italisë, si në Bari, Leçe, Salerno e gjetkë”. Në listë përfshihej dhe emri i kryetarit të Ballit Kombëtar Mithat Frashëri.
NË Ç’ GJUHË?
Në dokumentet diplomatike amerikane është përfshirë memorandumi i kryetarit të Ballit Kombëtar Midhat Frashëri, kryetarit të Komitetit të Ballit Kombëtar Shkodër Lec Kurti dhe sekretarit të përgjithshëm të Ballit Kombëtar Vasil Andoni drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit Edjuard Stetinius është botuar me ekstrakte. Gazeta “Investigim” e ka përkthyer nga anglishtja. Nuk kemi të dhëna nëse ky version është në shqip apo frëngjisht dhe pastaj është përkthyer në anglisht apo nëse është i shkruar drejtpërdrejt në anglisht. Vëmë në dukje, nëse në rastin e dokumenteve të nënshkruara nga Enver Hoxha botuesi amerikan shënon se iks letër është përkthyer nga frëngjishtja apo shqipja, ky indikacion mungon për memorandumin ballist. Ka shumë gjasa që përkthimi të jetë të bërë nga sekretari i përgjithshëm i Ballit Kombëtar Vasil Andoni, dikur mësues dhe përgjegjës i grupit shqiptar në shkollën amerikane “Robert College” në Stamboll. Nuk përjashtohet që përkthimi të jetë bërë nga kryetari i Ballit Kombëtar të Shkodrës Lec Kurti, që nënshkruan si “Ish-Ministër i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Ish-Ministër i Shqipërisë në Londër”, për më tepër që ai ishte dhe përkthyes letërsie artistike në gjuhën shqipe, përveçse poet dhe kompozitor profesionist.
MATURIA
Krerët e Ballit Kombëtar, të cilët, pas arratisjesh nga Shqipëria, ndodheshin në kampet e aleatëve në Itali, me sa duket, janë informuar qysh në ditët e para të prillit që Shqipëria nuk ishte ftuar në në Konferencën e San Franciskos për themelimin e OKB-së, dhe që i zhvilloi punimet më 25 prill-26 qershor të vitit 1945. Në një memorandum dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Frashëri, Kurti dhe Andoni, figura të njohura dhe nga Uashingtoni si ish-diplomatë karriere të ish-monarkisë shqiptare, nuk shprehin ndonjë gëzim të madh. “Shqipëria nuk u ftua në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Kemi arsye të forta për të besuar se shkaku i këtij trajtimi të veçantë të një kombi të vogël, por heroik konsiston në atë se situata e brendshme në Shqipëri mbetet e errët dhe kaotike për shkak se pushteti atje është uzurpuar nga ekstremistët, që e quajnë veten “Lëvizja Nacional Çlirimtare”. Nisur nga kjo situatë, në Shqipëri është dërguar një mision aleat ushtarak për të bërë hetime”, shkruhet në memorandum me një ton të matur.
“E BËJMË NE!”
Por politikanët e regjur shqiptarë nuk lejojnë t’u shpëtojë situata nga dora: “Nëse e vetëquajtura “qeveri demokratike dhe popullore” e Tiranës, që kundërshtohet nga populli dhe që nuk njihet nga aleatët, e cila, përveç të tjerave, i ka sjellë Shqipërisë edhe një fatkeqësi më shumë, pra, izolimin nga shokët e saj të armëve të mbledhur në Konferencën e San Franciskos, atëherë nacionalistët shqiptarë, që i dhanë kauzës së vendit të tyre dhe të aleatëve mijëra dëshmorë, shprehin dëshirën të dëgjohet zëri i tyre nëpërmjet këtij memorandumi”
Në këtë memorandum “trioja” balliste i bën 4 sugjerime diplomacisë amerikane: ndryshim i regjimit në Shqipëri, duke formuar formohet një qeveri demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të lira, pluraliste. Së dyti ka një referim për Kartën e Atlantikut të 14 gushtit 1941, por që gabimisht autorët flasin për ” katër liritë e Kartës së Atlantikut, që populli shqiptar i konsideron katër fenerë shprese për ata që jetojnë në burg, terror dhe vuajtje”, kur bëhet fjalë për 8 pika (shih. Më poshtë në këtë numër të “Investigim-it”. Ka një formulim të mjegullt në sugjerimin e tretë. Me sa duket, kërkohet referendum për tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe rikthimin e kufijve të periudhës së pushtimit me përfshirjen dhe të Kosovës. Ndërkohë, ky referendum kërkohet e nisur dhe nga pretendimet greke për Vorio-Epirin (referendum i paanshëm dhe i drejtë nën kontrollin e aleatëve për zonat nga pikëpamja etnografike, sepse Shqipëria nuk duhej ndarë më dysh “për hir të imperializmit dhe të padrejtësisë”). Në pikën katër kërkohet pranimi i Shqipërisë në OKB.
ZGJEDHJET
Po ashtu, botohet një telegram i 17 prillit 1945 i Sekretarit të Shtetit, Stetinius, për kryetarin e misionit civil amerikan, Xhejkobs (Jacobs). Uashingtoni i rikthehet dhe njëherë një telegrami të 7 prillit 1945 lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e porositur Xhejkobsin që duhej garantuar që zgjedhjet “do të jenë absolutisht të lira dhe të fshehta, në mënyrë që populli të mund të ketë qeveri përfaqësuese të përgjegjshme ndaj vullnetit të tyre”. Stetiniusi porosit Xhejkobsin që të sigurojë dhe të raportojë të gjithë informacionin, që mund të ishte i dobishëm për të përcaktuar se cilët do të duheshin të ishin hapat e të tjerë për vendosjen eventuale të marrëdhënieve normale midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përputhje me përgjegjësitë amerikane ndaj popullit shqiptar në bazë të Kartës së Atlantikut dhe Deklaratës së Krimesë. Po ashtu kërkohej informacion i larmishëm për gjithçka ndodhte në Shqipëri. Ka interesim të posaçëm dhe për zgjedhjet e pushtetit vendor në Shqipëri.

Memorandum i kryetarit të Ballit Kombëtar (Frashëri), kryetarit të Komitetit të Ballit Kombëtar Shkodër (Kurti) dhe sekretarit të përgjithshëm të Ballit Kombëtar (Andoni) drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit [1]
[Ekstrakte]

SHKËLQESIA Juaj: Shqipëria nuk u ftua në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Kemi arsye të forta për të besuar se shkaku i këtij trajtimi të veçantë të një kombi të vogël, por heroik konsiston në atë se situata e brendshme në Shqipëri mbetet e errët dhe kaotike për shkak se pushteti atje është uzurpuar nga ekstremistët, që e quajnë veten “Lëvizja Nacional Çlirimtare”. Nisur nga kjo situatë, në Shqipëri është dërguar një Mision Aleat Ushtarak për të bërë hetime. Nacionalistët shqiptarë e kanë përshëndetur përzemërsisht caktimin e këtij misioni, anëtarët e të cilit me siguri do të hedhin dritë mbi natyrën e vërtetë të gjërave.
Nëse e vetëquajtura “qeveri demokratike dhe popullore” e Tiranës, që kundërshtohet nga populli dhe që nuk njihet nga aleatët, e cila, përveç të tjerave, i ka sjellë Shqipërisë edhe një fatkeqësi më shumë, pra, izolimin nga shokët e saj të armëve të mbledhur në Konferencën e San Franciskos, atëherë nacionalistët shqiptarë, që i dhanë kauzës së vendit të tyre dhe të Aleatëve mijëra dëshmorë, shprehin dëshirën të dëgjohet zëri i tyre nëpërmjet këtij memorandumi që i dorëzohet përulësisht Shkëlqesisë Suaj, i cili do të hedhë më shumë dritë mbi situatën në Shqipëri dhe për aspiratat e popullit shqiptar, dhe kështu do të ndihmojë për plotësimin e të dhënave të hetimit që kryhet nga Misioni Aleat Ushtarak në vendin tonë.
……
III
Kemi paraqitur këtu një skicë të shkurtër historike të luftës sonë, idealeve tona dhe të drejtave tona: historinë e trishtuar të vendit tonë. E paraqitëm këtu, sepse fati i Shqipërisë nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, gjendja jonë nuk është vetëm jona. Aleatët që me aq sakrifica shumë dhe trimëri po luftojnë kundër atyre që janë përgjegjës për këtë luftë shkatërrimtare, nuk mund të qëndrojë më si spektatorë të thjeshtë dhe as nuk mund të tërhiqen plotësisht përballë agresionit, arrogancës dhe tiranisë që tani sundojnë në Shqipërinë e çliruar. Sepse populli nuk duhet të ketë asnjë dyshim për shenjtërinë dhe pastërtinë e kauzës së lirisë, ai nuk duhet të pyesë: “Pse u derdh gjithë ky gjak?”, “Pse u mblodhën njëherë e një kohë këto konferenca?”.
Ne nacionalistët shqiptarë, që kemi besim të plotë në vullnetin e mirë të Demokracive dhe në triumfin e drejtësisë dhe vëllazërimit, marrim guximin t’i bëjmë sugjerimet e mëposhtme Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shpresuar se ky memorandum do të ndihmojë misionin ushtarak aleat në detyrat e tij për hetim në Shqipëri:
1. Të imponohet ndryshim i regjimit në Shqipëri, në mënyrë që të mund të formohet një qeveri demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive dhe të organizatave që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
2. Shqipëria duhet të përfitojë plotësisht nga katër liritë e Kartës së Atlantikut, që populli shqiptar i konsideron katër fenerë shprese për ata që jetojnë në burg, terror dhe vuajtje.
3. Në një kohë të përshtatshme pas armëpushimit të ketë një referendum të paanshëm dhe të drejtë nën kontrollin e aleatëve për zonat që na takojnë nga pikëpamja etnografike, sepse Shqipëria nuk duhet të ndahet më dysh për hir të imperializmit dhe të padrejtësisë.
4. Një Shqipëri e qeverisur në mënyrë demokratike duhet të gëzojë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e premtuar nga Kombet e Bashkuara, si një partner i denjë në luftën e përbashkët. Ajo duhet të përfaqësohet kudo ku janë interesat e saj dhe çka kërkohet nga Kombet e Bashkuara dhe se ajo duhet të marrë pjesë si anëtare e Institutit të Sigurisë Botërore.
Për sa më sipër, këto i kërkojmë për dhe në emër të popullit të sakrifikuar shqiptar, në emër të Shqipërisë së djegur dhe në emër të një kombi i cili është martirizuar për pavarësi dhe liri të vërtetë.
Me respekt:
MIDHAT FRASHËRI
Ish-Ministër i Shqipërisë në Francë
Ish-Ministër i Shqipërisë në Greqi
Kryetari i Ballit Kombëtar
LEC KURTI
Ish-Ministër i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve
Ish-Ministër i Shqipërisë në Londër
Kryetari Komitetit të Ballit Kombëtar të Shkodrës
VASIL ANDONI
Sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar
14 prill 1945.

***

Telegram i Sekretarit të Shtetit drejtuar z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, Kazerta
UASHINGTON,
17 prill 1945, ora 19:00
Nr. 344 prot. Ref. telit të Dep. nr. 308 prot., datë 7 prill, pikat 16c [“Mendojmë se zgjedhjet duhet të mbahen në zonat e çliruara vetëm pas masave që mund të merren për të garantuar se ato do të jenë absolutisht të lira dhe të fshehta, në mënyrë që populli të mund të ketë qeveri përfaqësuese të përgjegjshme ndaj vullnetit të tyre”*] dhe 17 [“Departamenti i Shtetit dëshiron që tani për tani të mos t’ju japë udhëzime më specifike lidhur me objektivat tuaj të veprimit. Thjesht duam që të siguroni dhe të raportoni të gjithë informacionin, që mund të jetë i dobishëm për ne që të përcaktojmë se cilët do të duhen të jenë hapat tanë të tjerë për vendosjen eventuale të marrëdhënieve normale midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të jenë në përputhje me përgjegjësitë tona ndaj popullit shqiptar sikurse nënkuptohen në deklarime të tilla publike si Karta e Atlantikut dhe Deklarata e Krimesë. Për këtë ne do të na duhet të dimë më shumë mbi qëndrimet, politikat dhe veprimet e autoriteteve ekzistuese, çdo plan që ato mund të kenë për zgjerimin e bazës së qeverisë aktuale, ose për mbajtjen e zgjedhjeve vërtet të lira, programin e tyre të taksave ose të rehabilitimit ekonomik, çfarë presin për sa i përket ndihmës ekonomike apo financiare nga jashtë, qëndrimin e popullit shqiptar si një i tërë ndaj qeverisë, kushtet e rendit të brendshëm, akuzat dhe kundër-akuzat për represion dhe mizori në rajonin e kufirit shqiptaro-grek, dhe për faktorët e panumërt të tjerë, që do t’i njihni dhe që kanë të bëjnë me këtë situatë”*].
Për Xhejkobsin (Jacobs). Në opinionin e Departamentit të Shtetit për telin tuaj me nr. 1483 prot. datë 12 prill [1] trajtohet një fazë e zhvillimeve në Shqipëri, e cila është me rëndësi të konsiderueshme; për zgjedhjet, lokale apo kombëtare, përfshini problemin e krijimit të qeverisë që është përfaqësuese e vullnetit të popullit shqiptar dhe mban përgjegjësi për detyrimet e marra përsipër nga kjo qeveri në bazë të Deklaratës së Krimesë mbi Evropën e Çliruar dhe të përcaktuara më herët nga Presidenti [amerikan Ruzvelt] në mesazhin e tij vjetor drejtuar Kongresit më 6 janar, 1945. Departamenti i Shtetit çmon se zëvendësimi i partisë politike “Këshillat e Frontit” me këshilla të zgjedhur qeverisës ka një aspekt konstruktiv. Në të njëjtën kohë, në qoftë se këto zgjedhje zhvillohen mbi një bazë që përjashton çdo liri të vërtetë për [kandidatin] alternativ, mund të jetë një hap drejt konsolidimit të një autoriteti qeverisës me karakterit jo-përfaqësues. Prandaj, Departamenti i Shtetit sugjeron që pas hyrjes së misionit tuaj në Shqipëri të raportoni çfarëdolloj fakti që ka të bëjë me ato që thuhen më lart, bashkë me çdo vlerësim dhe rekomandime, që ju mund të dëshironi të bëni.
Kemi vënë në dukje gjithashtu, referuar pikave 2d dhe 4 të Direktivës së Feld Mareshalit Aleksandër drejtuar Brigadierit Hodgson (Tel. Nr. 1102 prot., datë 24 mars [2]) se Hoxhson-i (Hodgson) ka për detyrë të “këshillojë për dhe të ndihmojë me shpërndarjen e materialeve propagandistike” dhe se misionit të tij do t’i bashkëngjiten zyrtari i PWE-së [3] dhe një staf i vogël për të ndihmuar në përmbushjen e kësaj detyre. Departamenti i Shtetit nuk ka planifikuar të atashojë zyrtari amerikan ekuivalent në grupin tuaj, por ne do të donim të kishim, pas mbërritjes në Shqipëri, vlerësimin tuaj për argumentet pro dhe kundër caktimit të një zyrtari për marrëdhënie me publikun, ose të një përfaqësuesi të OWI [4] pranë Misionit tuaj.
Stettinius

Përgatiti: Thanas Mustaqi