Ballafaqimi midis Romës e Konstandinopojës për hegjemoni kishtare në Shqipëri

Organizimi kishtar i trevave shqiptare

Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të Papës së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin e vet në trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit (vikarit) të tij të përgjithshëm, me seli në Selanik. Por, duke filluar nga shek. V, Patriarkana e Konstandinopojës u përpoq t’i vërë në varësinë e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi midis Romës e Konstandinopojës për hegjemoni kishtare në Shqipëri (në kishën e Ilirikut) doli veçanërisht në pah gjatë së ashtuquajturës “Kriza akaciane” (484-519). Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Romës. Veçanërisht të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri i provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të Ri qëndrimi qe i pavendosur. Sipas raporteve të të dërguarit të papës Hormisda, më 519, populli dhe kleri i Skampës apo i Liknidit (Ohrit) ishin besnikë të vendosur të Papatit, ndërkohë që peshkopë të tjerë të provincës kishtare të Epirit të Ri, midis tyre edhe kryepeshkopi i Durrësit, anonin nga Patriarkati i Konstandinopojës. Perandori Anastasi I (491-518), me origjinë nga Durrësi, ndikoi nga ana e tij për të forcuar lidhjet e mitropolisë së Durrësit me Patriarkatin e Konstandinopojës.

Gjithsesi, perandori tjetër bizantin me origjinë iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu juridiksionin e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më tepër që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me Perandorinë Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu edhe territoret nën juridiksionin e Papës së Romës. Nën sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit. Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen nga vikariati i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti i tij nga Durrësi, perandori Anastas, që u përpoq t’i shkëpuste lidhjet e episkopatit të Ilirikut me Romën dhe ta vendoste atë nën juridiksionin e Konstandinopojës, Justiniani rikonfirmoi lidhjet e peshkopatave të Ilirikut me Papën e Romës, duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut të Konstandinopojës për t’i shtënë ato në dorë.

Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan me ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin e organizimit kishtar. Në përfundim të dyndjeve të popujve, një sërë qendrash peshkopate u rrënuan dhe nuk përmenden më; të tilla qenë: Onkezmi, Skampa, Amantia, ndërkohë që të tjera seli peshkopate shfaqen për herë të parë: Cerniku, Deja, Kruja, Himara, Devolli, Kolonja, Dibra etj.

Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia mitropolitane e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos më në jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë nga Shkupi kaloi në Ohër, kurse mitropolia e Prevalit nga Shkodra kaloi në Tivar.
Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit kishtar të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732 i perandorit bizantin ikonoklast, Leoni III, për t’i hequr peshkopatat shqiptare nga varësia e Papës së Romës dhe për t’i kaluar ato nën juridiksionin e Patriarkut të Konstandinopojës. Tashmë një pjesë e mirë e Italisë bashkë me Romën ndodhej nën sundimin e frankëve, rivalë të rreptë të bizantinëve, kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i perandorit bizantin mbi Papën e Romës.

Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës në një varg dioqezash të Shqipërisë së Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë të veçantë. Në këtë drejtim luajtën rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike, tregtare e kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut (atë kohë Italia e Jugut ishte gjithmonë provincë bizantine). Por një rol të veçantë në ruajtjen e lidhjeve kishtare me Romën luajtën manastiret e mëdha të urdhrit të Shën Benediktit, që shfaqen në trevat shqiptare që prej shek. VI dhe që vazhduan të mbijetojnë përgjatë gjithë mesjetës.