Bajraku i Vuklit, Kelmend dhe Lufta e fundit e malësorëve kundër bishës së kuqe sllavo-bolshevike

Ndoc Dedaj

Pasi lë prapa fushën e bukur të Rrapshit të Hotit, atë vend që vetë Zoti ua dhuroi hotianëve për të filluar legjendën trimërore të betejës më të lavdishme të malësorëve për ngritjen e flamurit në kalanë historike pas asaj të Rozafës, kalanë e pavdekshme të Deçiqit më 6 prill të 1911-ës. Kur arrin në grykën e Radeqës, të shpaloset bukuria e jashtëzakonshme e alpeve të Shqipërisë Veriore, ku lindin dhe rriten djem trima si zana dhe vasha të dlira si vetë gurrat e bjeshkëve që këndohen në këngët e bukurisë si selvia, thua se vetë Zoti i ka falë për të zbukuruar Alpet si shtojzovalle.

Leqet e Hotit gjarpërojnë njëra pas tjetrës thua se nuk do të marrin fund kurrë dhe zbresin gjithkund brigjeve shkëmbore të lumit Cem, ku degët e lumenjve me të njëjtin emër bashohen te ura e bukur prej guri në Tamarë, njëra zbret me shpejtësi prej bjeshkëve të Selcës dhe dega tjetër prej bjeshkëve të Vuklit. Pikërisht te ura ndahen dhe rrugët që të çojnë në Vukël dhe në Vermosh.

Luginat e këtyre vendeve janë shumë të thella me toka të pakëta kryesisht zallishta por dora mjeshtërore e banorit të Alepeve i ka tarracuar dhe i ka bërë prodhimtare. Rruga për në Vukël është ndërtuar nga vetë banorët pa shpërblim në kohën e diktaturës kur kelmendasve u ishte grbitur edhe ajo pak tokë dhe gjëja e gjallë nga “socializmi komunist” dhe punëtorët paguheshin me një pagë qesharake 50 Lekë të vjetra duke punuar me bukë e sheqer, sepse djathi i përmendur në Shqipëri i Kelmendit shkonte në favor të nomenklaturës së kuqe bizantine. Kjo rrugë është e gjatë 17 km, tërë kthesa dhe mjaft e ngushtë dhe e rrezikshme. Banorët e Vuklit merren me bujqësi dhe kryesisht me blegtori janë dhe mjeshtër të ndërtimit në gur dhe në dru. Tokat bujqësore përkatësisht për frymë janë të pakta, shumica zallishta dhe me pak ujë për vaditje. Ndërsa bjeshkët i kanë të pasura dhe shumë të bukura për vizitorin e kujdesshëm. Në bjeshkë sigurojnë dhe ushqimin dimëror për bagëtitë sepse livadhet janë fare të pakta në Vukël.

Mikpritja tradicionale e banorëve në Vukël, është e hijshme, bujare dhe sofra shtrohet në çdo familje në çdo kohë fisnikërisht, që janë tipare themelore të mikpritjes shqiptare, bukë e krypë e zemër! Banorët e Vuklit janë të gjithë të besimit katolik, dhe sipas dokumenteve kisha e vjetër, e cila u shkatërrua nga E. Hoxha, kur i shpalli luftë pa kompromis të madhit Zot më 1967, ndofta e çmoi si revizioniste dhe e shkatërroi këtë faltore shumëshekullore që as bizantinët nuk e kryen atë vepër që bëri “Enveri ynë”, rahmet pastë. Afër kishës së vjetër janë dhe varrezat e fshatit që ruhen të pastra e të bukura në shenjë nderimi të të parëve tanë. Kisha e re është ndërtuar para pak kohësh në një vend të bukur që i ka dhënë një hijeshi fshatit. Në Vukël ka një shkollë 8-vjeçare, në të cilën personeli mësimdhënës është i gjithë nga Vukli. Diçka interesante:

Në varrezat e lashta shekullore në kohë shumë të vjetra varroseshin dhe të vdekurit e Selcës (arsye këto që nuk dihen saktë), por gjykime të ndryshme mendojnë se afër Vuklit ka qenë kryeqendra e Kelmendit Klementjana, dhe ndofta është ruajtur traditë që kelmendasit edhe në vdekje të qëndrojnë gjithmonë së bashku! Ky proces ka qenë jashtëzakonisht i vështirë që seljanëve u është dashur të transportojnë të vdekurit rreth 25 km rrugë për në varreza. Tani nuk praktikohet prej shumë shekujsh ky varrim i stërlashtë.

Pak histori

Burrat dhe gratë trimëresha u shquan gjithmonë për dalëzotje të vatanit në kryengritjet anti-somane për të cilat padyshim duhet të ndalohemi pak. Kur vajtori qante një trim të rënë në fushën e mejdanit me turk ose me shkja në elegjinë e tij thoshte:

“M’ndigjo mirë sot more vlla / Se sa herë në luftë që keni ra / Zor pa gjak se jeni nda / si me turk ose me shkja.” Këto vargje heroike nga elegjisti, janë ato vepra madhore të burrave luftëtarë të kësaj treve kreshnike si vetë Alpet. Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe ajo e Pejës “Besa-Besë” sollën për banorët e mbarë Kelmendit frymëzimin që të gatoheshin për mbrojtje nga copëtimi prej armiqve të papajtueshëm siç janë sllavët e Jugut, që do të bënin të pamundurën që të kalonte Kelmendi me gjithë bjeshkët përrallore të tij nën Malin e Zi (por falë heroizmit të pashoq të atdhetarëve Kelmendas kurrë s’e realizuan atë vepër të shëmtuar).

Koha e provës

Kur Kosova martire lahej me gjakun e vet trimëror kundër kryegjakësorit Shefqet Turgut Pasha më 1910 edhe Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, kishte marrë urdhër nga Porta e Lartë për t’i dhënë një mësim kaçakëve të Malësisë që i kishin dalë dore. Kështu do të plaste lufta në “Prrue të Thatë” nga trimat e Kastratit, më 1910. Kjo betejë e madhe e Malësorëve përgjysmoi taborret e Valiut duke u mbyllur në Kala të Rozafës i turpëruar për humbjen e rëndë në fushë-betejë me malësorët. Kjo betejë u përkrah edhe nga të gjithë bajrakët e Kelmendit, ku ranë dhe dëshmorë. Beteja e Prronit të Thatë, përgatiti shpirtin atdhetar të malësorëve për betejën famëmadhe të Kryengritjes së vitit 1911.

Kelmendasit dhe udhëheqësit e tyre popullorë, krerë e bajraktarë do të bënin organizimin për mbrojtjen e vendit. Kelmendi sulmohet nga Et’hem Pasha, komandant i garnizonit të Gjakovës, më 1911, kështu që në sulmin e parë thyhet për turp në Vishnjevë, më vonë në Selcë, rrethon Vuklin dhe në Qafë të Gjarpnit, ishte bajraktari Gjon Uci me trimat e vet ku dhe bie dëshmorë. Në fjalët e fundit të jetës u tha luftëtarëve: “Vorrin ma bani këtu në Qafë, që edhe i vdekun t’u qes Kushtrimin kur armiqtë ta sulmojnë bajrakun”, dhe aty është ai varr lapidar edhe sot.

Trimëritë e malësorëve në kryengritjen e vitit 1911 janë aq të lavdishme sa dhe vetë Europa çuditet se çfarë po bëjnë malësorët për lirinë e vet dhe për flamur. E keqja qëndron gjetiu se shkruhet fare pak për intelektualët malësorë të cilët nuk janë të paktë! Po cilët duhet ta mernin pendën në dorë nga radhët e intelektualëve malësorë? Mendimi im, pa patur paragjykime për zotëritë, mendoj që i kanë aftësitë dhe kushtet Prof. Ahmet Osja, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. Gjergj Preluca, Prof. Rrok Smajli, Prof. Anton Gjeka, shkrimtari i njohur Ramiz Lika etj. Secili në librin e tij të shpaloste heroizmin popullor të kryengritësve që shkruan me gjakun e tyre historinë e vet dhe atë të popullit për çlirim krahinor e kombëtar për lavdinë e Shqipërisë Etnike e të flamurit kuq e zi të Kastriotëve.

Lufta e fundit e malësorëve kundër bishës së kuqe sllavo-bolshevike

Më 23 janar 1945, Shkrel e Kastrat, filluan kryengritjen e parë antikomuniste në tërë Europën e Lindjes dhe kjo megjithëse në dukje dështoi dha frytet e veta të cilat do të pasoheshin në shkurt të këtij viti nga vëllezërit tanë të Kelmendit, për të cilët do të ishte dhe beteja më shkatërrimtare si një njerëz ashtu dhe në ekonomi, ku do të veçojmë Bajrakun e Vuklit.

Po sa forcat e Brigadës I-rë të kryegjakësorit komunist Mehmet Shehu sulmojnë Kelmendin, dëshmori i lirisë Mark Gjeloshi i lëshon kushtrimin mbarë Kelmendit dhe lufta qe e ashpër dhe e përgjakshme, shumë partizanë u vranë në betejën e parë, e cila do të pasohej mjaft ashpër e me rreziqe për të dyja palët ndërluftuese. Lufta e Kelmendit udhëhiqej nga trimat Prek Cali, Gjek Selca e Gjergj Lul Toma, prej të cilëve në fushën e betejës ranë shumë dëshmorë dhe do të ishte beteja më e rëndë ndër të gjitha betejat e mëparshme ndër shekuj sepse nuk pushoi asnjëher gjatë të gjithë regjimit sllavo-komunist të enverianëve. Kësaj here gjithë Kelmendin e përfshinë flakët e kullave shekullore nga përbindëshat me fytyrë njeriu të quajtur bolshevikë të Stalinit.

Po rezervojmë listën e gjatë të martirëve antikomunistë të bajrakut të Vuklit që përbëhet nga fshatrat Vukël-Brojë.

Ra dëshmor më 1945 prej Vuklit

  1. Dedë Gjon Bajraktari
  2. Luc Gjon Bajraktari
  3. Nik Luc Bajraktari
  4. Fran Zef Bajraktari
  5. Nik Gjon Deda
  6. Dedë Gjon Deda
  7. Gjergj Gjon Deda
  8. Pashko Mirash Zefi
  9. Luc Gjon Rapuka
  10. Zef Gjon Rapuka
  11. Ndue Gjon Rapuka
  12. Rrok Zef Rapuka
  13. Rrok Pretash Zogu
  14. Ndue Zef Gjerkaj
  15. Dedë Fran Broqaj
  16. Losh Fran Broqaj
  17. Zef Lul Gjelaj
  18. Kol Mark Deda
  19. Ujk Nik Mirashi
  20. Dedë Gjon Uci
  21. Kolec Uc Trieshi

Të tjerë pas kryengritjes

  1. Ndue Nik Staka 1961
  2. Tom Dosh Preka 1953
  3. Fran Dosh Preka 1956
  4. Mri Dosh Preka 1956
  5. Dedë Nikoll Deda 1953
  6. Nikoll Zef Huta 1949
  7. Mark Ded Alia 1949
  8. Ded Gjelosh Luca 1949
  9. Lule Ndue Gjelaj 1950
  10. Zojë Ndok Gjelaj 1950
  11. Fran Gjek Gjelaj 1953
  12. Shaqe Luc Doka 1951

Dëshmorë të tjerë nga fshati Brojë

  1. Mark Gjelosh Miruka 1957
  2. Ujk Gjelosh Miruka 1953
  3. Nikoll Ujk Miruka 1958
  4. Ujk Mark Biku 1945
  5. Ndue Mark Biku 1945
  6. Marash Mark Biku 1945
  7. Nikoll Gjergj Qosaj 1945
  8. Ujk Mash Qosaj 1945
  9. Mirsh Frani 1945
  10. Gjon Sokol Rrukaj 1945
  11. Ndue Fran Rrukaj 1945
  12. Pjetër Zef Rrukaj 1945
  13. Martin Çetë Rrukaj 1945
  14. Kartina Tom Luli 1945
  15. Zhuk Tom Smajli 1945
  16. Lul Mirash Vocrri Vukel     1950
  17. Ded Gjon Uci Vukel     1945

Siç shihet nga lista e gjatë e krushqve të lirisë shqiptare, të cilët u vetëflijuan për nderin e maleve për të mos rënë në robërinë sllavo-bolshevike të të pafeve, këta trima dhe trimëresha të bajrakut heroik të Vuklit, kam besim se gjerdanin në gjoksin e nuses me emrin Liri, do ta zbukurojë dhe lavdia e trimave ka për t’u kënduar në lahutën malësore, duke lënë trashëgimi kushtrimin shqiptar ndaj çdo armiku të vatanit në kalanë e heroizmit popullor të kelmendasve e flamuri i Gjergj Kastriotit të valojë i lirë prej malësorëve trima e liridashës, të cilët shkruan po me gjak njërën nga faqet më të lavdishme të historisë së Shqipërisë së re.