Atë Giacomo Gard, jezuiti që rrëfeu ferrin komunist në “10 vjet burg në Shqipni”

Atë Gardini e vepa e tij “10 vjet burg në Shqipni” më 1988 rrëfen salvimin e padrejtë të të krishterëve e të popullit shqiptar në kohën e komunizmit.

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 3 gusht kujtojmë jezuitin që i dëftoi botës tmerret e komunizmit në Shqipëri, Atë Jak Gardinin, në përvjetorin e vdekjes.

Atë Giacomo Gardin (24 shtator 1908 – 3 gusht 1996), që shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku, lindi në Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën Pordenone-s, më 24 shtator 1905. Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë dha mësim në Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu thellësisht zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike dhe këtu u shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati.

Më 2 shkurt 1941 Atë Gardin bëri kushtet e përjetshme. Me këtë rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205) u botua vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në të cilën shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin ta naltojnë/ N’virtyte i shêjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë hyjrina//

Për 20 vjet me radhë, Atë Gardini, vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri: dhjetë vjet si meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në Shkodër e në Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura si armik i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe.

Këtu shkroi librin “Dieci anni di prigionia in Albania” – “Dhetë vjet burg në Shqipni” që u botua më parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe nga Zef Nekaj e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, taman atëherë kur Jezuiti besnik ndaj misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror rinisë katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë rrugën e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar misionin e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit.

Atë Jak Gardini ndërroi jetë më 3 gusht 1996, në Gallarate të Italisë, në atdheun e vet, ndonëse dëshira e tij e zjarrtë ishte t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke, në atdheun e dytë, në Shqipëri.

Shumë gjëra u kujton shqiptarëve emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtzakonshme për ta predikuar e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin, të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen, që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë.

Emri i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste. Vepra në gjuhën italiane u botua më 1986 në Romë nga “Civiltà Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë.

Është një rrëfim i thjeshtë e i sinqertë, i shkruar me ton të butë, pa kurrfarë ndjenje urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje për salvimin e padrejtë. Jezuiti nuk mëton të shkruajë historinë e këtyre viteve të zymta e të pëgjakshme, të gjykojë fakte e persona, e as të analizojë gjendjen e të krahasojë ideologjitë; ai ka për qëllim vetëm të shprehë përvojën e vet, përshtypjet e veta. E di mirë se nuk është duke treguar ngjarje të bujshme historike, por beson se tregimi i përvojës së vuajtjeve të tij njerëzore, do ta ndihmojë lexuesin të kuptojë se ç’ngjet gjithnjë në botën e sotme. Nga ana tjetër i kujton detyrën që të përpiqet për të shëruar sëmundjet e rënda nga të cilat vuan bota e sotme. Gjatë tregimit, autori përshkruan shumë klerikë e laikë të tjerë katolikë që vuajtën bashkë me te, sidomos ata që flijuan jetën në elterin e fesë, të lirisë e të atdheut.

Përfundimi logjik në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë vjetët e burgimit, tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim tjetër, edhe më të madh!”

Atë Gardini në veprën e tij “10 vjet burg në Shqipni” më 1988 rrëfen thjeshtë e sinqerisht, pa kurrfarë ndjenje urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje salvimin e padrejtë të të krishterëve e të popullit shqiptar në kohën e komunizmit.

Radio Vatikani