At Zef Pllumi: “Rrno vetëm për me tregue”… të vërtetën e tjetërsuar nga komunizmi

Pjesë prej librit: Rrno vetëm për me tregue, botim II, Tiranë 2006.

(nga Pjesa I)

Vjeti 1944

Lufta e Dytë Botnore ishte kah mbarimi. Ushtritë gjermane nën presionin e vazhdueshem të aleatve, që randohej përditë e mâ tepër, filluen terhjekjen e përgjithshme nga të gjitha frontet për t’u përqendrue në Gjermani. Natyrisht shtrohej çashtja se kush do ta merrte pushtetin mbas largimit të trupave gjermane. Këto kishin ardhë në Shqipní në Shtatorin e 1943, kur u dorzuen ushtritë italiane t’ardhuna me 7 Prill 1939. Italia u nxuer prej luftet. Nji asamble e shqiptarve u mblodh në Tiranë dhe emnoi nji qeveri kombëtare me nji regjencë prej katër vetësh në krye. Kjo mbeti gjithmonë e diskutueshme, sado që mbante ndër duer të pasigurta frenat e pushtetit ligjor. Pretendentat kryesorë të pushtetit ishin Balli Kombëtar, Legaliteti (monarkistat) dhe Partia Komuniste e mëshefun mbas emnit të Frontit Nacional-çlirimtar. Të gjitha këto organizata ose parti politike i kishin në ilegalitet forcat e veta gjysmë ushtarake-vullnetare, sikur për të luftue pushtuesin e huej, por mâ shumë se kundra gjermanve ato luftojshin ndermjet vedit për të marrë pushtetin sa të mbaronte lufta. Ndër të gjitha këto forca mâ e organizuemja paraqitej ajo që drejtohej prej komunistave, e cila pajisej me armë nga ajri prej anglo-amerikanëve.

Partia Komuniste e Shqipnisë, si e tillë, ishte formue në Tiranë me 8 Nandor 1941 prej jugosllavëve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, të derguem të Partisë Komuniste të Titos. Këta i shkrinë në nji tri grupet komuniste ekzistuese, atę të Shkodrës, Korçës dhe të Rijve. Ndër këto grupe militojshin me pasion edhe nji pjesë e mirë e asaj rinije shqiptare që andrrojshin përmbysjen e botës së vjetër e të padrejtë, sunduese gjatë shekujsh, mbi të cilën ata me dhunë do të ndërtojshin perandorinë e drejtësisë shoqnore mbi tokë. Propaganda komuniste ishte shumë aktive dhe terheqse në këtë drejtim në të katër anët e Shqipnisë, ndërsa, sidomos në pjesën veriore, shqiptarët kishin ndigjue që me kohë kumbonët e Klerit Katolik mbi terrorin, masakrat dhe mbretninë e urisë që kishin realizue qeveritë komuniste në Bashkimin Sovjetik e në Spanjë. Prandej, simbas nji thanje konfidenciale të Tuk Jakovës, nji ndër përfaqësuesit kryesorë të Partisë së posaformueme, në fillim u sugjerue nji grackë politike, e cila do t’i siguronte Lëvizjes nji mbështetje të sigurtë e përkrahjen pa rezerva të të gjithë elementit të thjeshtë popullor e fshatar vetëm atyne partive shqiptare që do të kishin në udhëheqje njerëz me mbiemnin “Hoxhë”. Por ky sugjerim qe tepër ogurëzi, mbasi solli në fuqi nji tiran gjaksuer, Enver Hoxhën.

Lëvizja N.Ç. e drejtueme prej komunistave, falë dredhive politike e aftësive propagandistike, o organizimit të udhëheqjes ose injorancës e fanatizmit të masave popullore, që prej Tirane e deri në skajet mâ jugore të vendit, pati nji shtrimje të gjanë në antagonizem luftarak me organizatën tjetër të Ballit Kombëtar.

Balli Kombëtar u themelue e u drejtue prej elementave intelektualë nacionalistë që kishin për ideal nji Shqipní të madhe e cila të perfshinte tokat e shqiptarve përtej kufinit dhe të organizonte zhvillimin ekonomiko-shoqnor simbas modelit të Ataturkut në Turkinë e ré.

Në veri të Shqipnisë këto dy organizata nuk ishin aq të fuqishme sa Legaliteti dhe Blloku indipendent. Siç kuptohet nga historia e njerzimit, politika, ndërkohë të kalueme, përgjithsisht nuk ka kqyrë as interesat e popujve, as atę të ideologjive, por mâ tepër ato të klaneve familjare, të cilat, mandej, veshen e mbulohen me mantelin e dëshirave të popujve a por të ideologjive. Në kjoftë se këto shfaqje janë braktisë me kohë ndër shtetet moderne europjane, këtu në Shqipní ishin dhe janë gjithnji në fuqi, pamvarsisht se sundimtarët marrin emna të ndryshëm si: Mbret, Sekretar i Parë, President etj.

Kisha në kopsht të Gethsemanit

28 Nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë, ndoshta mâ e zymta që prej shpalljes së pamvarsisë. Qysh në fëmijni këtë ditë e kishim festue me dritë, ngjyra, kangë, brohori e flamuj. Flamujtë ishin naltue në kumbonaret e kishave, por ishin si të vetmuem dhe atę ditë nuk i kqyrte kurrkush. Gjermanët ishin largue të gjithë prej kazermave, zyrave dhe vend-rojeve të tyne në drejtim të Malit të Zí. Shkodra priste hymjen e partizanëve, të cilët ndër kodra të Bardhajve, në Postripë e përtej Urës së Bahçallekut pritshin largimin e plotë të gjermanëve.

Atę natë u ndie zhurma e disa shpërthimeve të mëdha, aq sa u thyen xhamat e shumë shpijave. Nji motocikël gjermane ishte kthye prej Hanit të Hotit për me i ndezë minat e vendosuna ndër urat që lidhshin qytetin me fushat. Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mâ kurrkush n’atę natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atę çast Oksidenti po largohej prej nesh me nji hap shumshekullor, se kundra katolicizmit në Shqipní do të fillonte nji luftë, e cila, me gjasë, do të vente në rrezik vetë ekzistencën e elementit katolik në Shqipní. Për klerin katolik nuk qe gjâ e papritun, mandje mund thomi se ishte e parapame. Shumë vjet përpara kishim fillue pregatitjet e të rijve me lekcjone e konferenca për të përballue nji salvim aq mizor sa mund të na kushtonte edhe jetën…

N’orarin e lutjeve të mëngjesit, që prej orës 5 deri 6, u mblodh i gjithë komuniteti françeskan me eprorin, At Mati Prendushin, dhe me lutje të veçanta kërkuem mbrojtjen e të Madhit Zot. Kisha Katolike në Shqipní gjindej në Kopsht të Gethsemanit:

“O Zot, në kjoftë e mundun, largoje këtë kelk prej meje!” Lutja ishte kjo, por u bâ vullnesa e Zotit.

29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë në orën 10.30 – 11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut: flamurit kombtar, që valvitnin përpara, i kishin shtue nji hyll të kuq. Na këqyrshim mbas grilave të dritareve. Për hir të së vërtetës, duhet dishmue se popullsia katolike e qytetit nuk merrte pjesë n’ate manifestim, përveç ndonji personi të rrallë, që njihej si prokomunist, ndërsa nji pjesë e madhe e popullsisë muslimane, veshë në tesha feste, jepte dukjen e nji pritje të gëzueshme. Ushtrija partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si nji ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Shka bante mâ shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah?

Ndër kazerma nuk kishin shka me bâ, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandej i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzí nëpër shpija nëse mund gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshehun. E para punë që banë qe vumja në funksionim e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin bukë me u dhanë, prandej duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin mâ shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerët e torturuem. Menjiherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-in o Y-in; ose për tjerë që ishin zhdukë pa shenj, pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverije? Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëhere krejt i panjoftun për popullin e Shqipnisë së Veriut.

Gjatë muejit dhetor u vendos pushteti i rí i Shqipnisë, që nuk kuptohej mirë nëse ishte ushtarak apo civil: të gjithë ishin të mëdhaj e kurrkush nuk kishte gjâ në dorë, përveç komandantëve partizanë, nga mâ të ndryshmit, të cilët ishin vendosë kush në nji shtëpi, kush në nji tjetër.

Brigadat në Shkodër banë nji riorganizim, dhe kështu Major Gjin Marku me ata të parët që erdhën kaluen kufinin e Shqipnisë për t’u dhanë “ndihmë vëllazërore” popujve të Jugosllavisë. Shkodra u mbush me brigada partizane dhe çuditej se nga erdhen aq shumë ushtarë sa nuk i kishin pasë as ushtritë e hueja! Partizanët thojshin se kishin ardhë për të ndjekë gjermanin deri në Berlin, por ishin pa këpucë ndër kambë. Në përgjithësi ishin njerëz me të cilët nuk mund të flitej, me sjellje të këqija: hajshin bukën e përmbysshin kupën.

Shumë ushtri të hueja kishte pá Shkodra, por si këtë kurrnji jo.

Menjiherë, mbas asaj dite të 29 nandorit 1944, në rrugën Shkodër-Podgoricë filloi qarkullimi si kurrë mâ parë, në nji kohë që komunikacioni me Tiranën ishte tepër i vështirë për shkak të prishjes së urave, ndër të cilat filluen me u vendosë trapa lundrues e roje partizane. Kështu malazezë e shqiptarë qarkullojshin mes vedit pa kufi. Kush ishte sundimtari i vërtetë i Shqipnisë? Përgjegjen e jepte “trobojnica”. Flamujt e shumtë tringjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shpi. Ku u gjetën aq shpejt e aq shumë ata flamuj që populli i kqyrte me inat, sepse shenjojshin nji robní të ré të kombit shqiptar!

Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej Hymni i atij flamurit të huej: “Ei sllovenski joshte zhivi”, “ço bajrak ne vije”, “zhivi zhivi jugoslovenski” si edhe “Ide druzhe Tito preko Albanie…preko Albanie…” (Un nuk dij as kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kështu m’kan mbetun në vesh qysh n’atę kohë me gjithë meloditë e tyne).

Hymnet tona të flamurit nuk u ndigjojshin mâ.

Kaluen disa ditë. Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vű “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan:

“Duam të hipim në këmbanare.”

Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këte detyrë ishte i ngarkuem At Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta At Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.

“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta mâ kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shęj, pa nishan. Né nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”

“Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, – thanë ata, – që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”

“Eh, po nuk kemi tjetër.”

“I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan.”

“Dy flamuj? – pveta un. – Po né kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”

“Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?”

“Kurrë.”

“As atë të Vatikanit?”

“Jo, kurrë.”

“E si t’ia bëjmë?”

“Si të doni.”

“Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi.”

Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull.

“Uaaa! Sa bukur!”

Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në tę flamurin e rí me hyllin partizan.

M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.

“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pvetën: – A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?”

“Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të këtë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.”

“Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?”

“As un nuk e dijshem, nuk u kujtova.”

“Rri këtu, se do të biem një usta.”

Zdrypën e shkuen.

Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj.

Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e ré të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikuj atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atę vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosIlav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës.

Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës At Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:

“Ti i ke çilsat e kumbonares?”

“Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin.”

“Ti e vune flamurin jugosllav?”

“Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë.”

“A e din ti, – më tha, – se aty n’atę vend me 12 qershor 1913 asht vű për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atę flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hî në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atę flamur? A e din ti…”

“Pater, – i thashë, – të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të derguem nga komanda. Shka kishem me bâ un: me u vra me ta?”

“Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá këte ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!… Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po shka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosIlav?”

“Thanë se zbatojshin urdhnin e komandës, për mâ tepër ata folën mes vedit që atje nalt në kumbonare të vendosej nji mitraloz.”

“Mitraloz?”

“Po, nji mitraloz, sepse thanë që kumbonari kontrollon gjithë qytetin.”

“Na e kemi dijtë gjithmonë se çfarë lirije na bien serbët! Po çfarë shqiptarësh janë këta partizanë që luftojnë për sllavët? Kanë çue edhe djelmët tanë me i mbytë atje!… Mjerë Shqipnia n’dorë të kujt ka ra!”

Nji paralizë e përgjithshme i ra jetës normale. Nuk pati mâ as rrugë as telefon, as dyqan as tregti, as zyrë as dokumente zyrtare. Rrallëherë vetëm nji copëz e vogël letre me vulën partizane i hapte të gjitha dyerët. Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerëzit e ditun nuk dijshin mâ kurrgjâ dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithshka: atę që nuk dihej!

Mbas disa ditësh, mbrenda qytetit filluen operacionet ushtarake: kontrollet. Të gjitha shtëpitë e qytetit, pa përjashtim, kontrolloheshin prej partizanëve t’armatosun, në çdo skutë, në çdo birucë, në çdo oxhak, në çdo quer. Nën pretekstin se ishin në kërkim të “kriminelave” e “reaksionarëve”, këto veprime kishin si qëllim me mbjellë terrorin në gjithë popullsinë, prandej pothuej ndër të gjitha rastet, shoqnoheshin me pushkatime e me burgime.

Shumëkush, për t’i ikë terrorit, merrte arratinë ndër male e hidhej n’ilegalitet, ose strukej te ndonji mik besnik. Ndëshkimet për ata që strehojshin “reaksionarët” ishin torturat e tmerrshme dhe pushkatimi, që ndodhte të bahej edhe vetëm pse emni i nji personi ishte i ngjashëm me atę të ndonji tjetni, të cilin e kërkojshin. E shumta e atyne njerëzve, ushtarakë a civila, të ngarkuem me detyra e përgjegjësi, ishin analfabetë ose gjysanalfabetë.

Në fillim të dhetorit 1944 ia behi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit nji grup i randësishem prej 7- 8 vetash, i shoqnuem prej Kolë Jakovës; thuhej se ky grup kryesohej prej Nako Spirut. Prunë me vedi shumë urdhnesa, si mbylljen e revistës kulturore HYLLI I DRITES, si edhe të gjitha revistave tjera fetare Zani i Shna Ndout, Zgjimi i djelnmisë, Bijat e Zojës etj. Urdhnonin mbylljen e shtypshkronjës si edhe të gjitha shoqatave fetare. “Vizituen” edhe Bibliotekën e Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit. Kola kërkoi unazën e Gjeçovit. Kështu thirrej nji unazë antike, me gjasë e shek. I, arit, punim i dyfishtë me mjeshtri të madhe, që kishte nji gur të naltë joproporcional me unazën. Thohej se nji përfaqësues i British Muzeum-it kishte ofrue për tę shumën 14000 sterlina ar. Ndërkaq Kola e muer dhe lëshoi nji letër-vërtetim.

….

Nga At Zef Pllumi (1924-2007)