At Gjergj Fishta si deputet i Parlamentit Shqiptar dhe kontributi i tij vendimtar në mbrojtjen e çështjes sonë kombëtare në New York dhe Washington D.C

● Njohja e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendosja e gurit të parë kilometrik në marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona, ishte e gjitha një meritë personale e At Gjergj Fishtës. Për këtë arsye është një privilegj për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për të gjithë qytetarët e New York City, që At Gjergj Fishtës t’i ngrihet një shtatore ose të paktën një bust sa më dinjitoz për të hijeshuar njërën nga lagjet e mëdha të N.Y.C., Kryeqendrës së Botës. E kam kërkuar publikisht dhe do të vazhdoj të këmbëngul deri sa ky projekt të materializohet. Kam shumë besim.

■ Më 6 qershor të vitit 1921, në Historinë e Shqipërisë, u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike për caktimin e deputetëve të popullit të cilët do të merrnin pjesë në Parlamentin Shqiptar. Si përfaqësues të Prefekturës së Shkodrës dolën plot 12 deputetë, më shumë se në të gjitha prefekturat e tjera të vendit dhe kjo lidhej me numrin e popullsisë dhe shtrirjen e madhe territoriale që kishte kjo prefekturë. Lista e deputetëve të Prefekturës së Shkodrës përbëhej nga personalitetet e saj më të nderuara si: Hilë Mosi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Ndoc Pistulli, Kolë Thaçi, Shuk Gurakuqi, Riza Dani, Maliq Bushati, Halid Rroji, Xhemal Begu (Bushati) dhe Patuk Saraçi. Patrioti Hilë Mosi, ishte kryesuesi i listës së deputetëve të Shkodrës, sepse ai arriti të dalë si deputeti i parë në listë me më shumë vota se kolegët e tij. Ndërsa At Gjergj Fishta, i cili gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit ishte edhe drejtor i Shkollës(Liceut) së Etënve Françeskanë në Shkodër të njohur me emrin “Collegium Illyricum (Kolegji Ilirikum)”, ishte jo vetëm një ndër figurat më të vlerësuara të këtij qyteti, por gjithashtu ishte i afirmuar edhe në mbarë Shqipërinë dhe jashtë kufinjve të saj të imponuar nga Fuqitë e mëdha në vitin 1913. Më 16 qershor të vitit 1921, At Gjergj Fishta së bashku me grupin e deputetëve të Prefekturës së Shkodrës, u nisën drejt Tiranës të përcjellur nga autoritetet e vendit dhe nga një pjesë e madhe e qytetarëve të Shkodrës, të cilët u mblodhën në qendër të qytetit për të përshëndetur dhe uruar përfaqësuesit e tyre politikë. Në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të politikanëve oportunistë që kërkonin ta shfrytëzonin Shqipërinë për të marrë ofiqe, për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit, pretendonin diktaturë apo kërkonin ta identifikonin shtetin me veten e tyre, At Gjergj Fishta do të shprehej se: “Njerëzit e shtetit s’janë Shqipnia”. Duke qenë se u dallua menjëherë për oratorinë dhe zotësitë e tij, At Gjergj Fishta, në fillim u zgjodh anëtar e më vonë President i Komisionit të Buxhetit të Shtetit, më pas anëtar i Komisionit të Arsimit dhe në muajin gusht të po atij viti u zgjodh Nënkryetar i Parlamentit në vend të H.Kadriut, i cili dha dorëheqjen nga ky post i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe janë të përmendura fjalimet e zjarrta që At Gjergj Fishta mbajti për arsimin, për ekonominë dhe për lirinë e shkollave profesionale, për të cilat interesohej me të gjitha kapacitetet, sepse edhe shkolla e tij bënte pjesë në këtë kategori. Në disa nga këto fjalime i kushtoi rëndësi të veçantë problemeve të shumta me të cilat po përballeshin shqiptarët e mbetur jashtë kufinjve të vitit 1913, dhe në veçanti shqiptarët e Kosovës. Në bindjet politike të At Gjergj Fishtës na shfaqet figura e demokratit, e vizionarit, figura e atdhetarit të kulluar dhe e kundërshtarit më të rreptë të njerëzve me ndërgjegje kombëtare të përlyer dhe sidomos i shpërdoruesve të të drejtave të popullit. Nëpër faqet e revistës periodike “Hylli i Dritës” gjejmë një varg të gjatë artikujsh të shkruar prej tij, ku propagandohen jo vetëm idetë dhe parimet e demokracisë, por shfaqet edhe pasqyra e vërtetë e ngjarjeve të kohës në të gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Pas shpërthimit të Kryengritjes së Mirditës dhe shfaqjes së kërcënimit jugosllav, disa deputetë të veçantë nga të dy partitë parlamentare vendosën të formojnë një bashkim interesash për t’i bërë ballë këtij rreziku. Ky grupim u quajt “Bashkimi i Shenjtë” dhe aty bënin pjesë At Gjergj Fishta, Hasan Prishtina, Mustafa Merlika, Luigj Gurakuqi dhe shumë deputetë të tjerë. Në letrën që At Gjergj Fishta i dërgon provinçialit të Kuvendit Françeskan, At Pal Dodaj, e cila mban datën 12 tetor të vitit 1921, shkruan se: “Mbramë, të mojit në vazhdim, kemi formue “Bashkimin shejt”. Kjo organizatë, e cila ishte formuar me qëllim për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shtetit Shqiptar në kufinjtë e caktuar në vitin 1913, ishte themeluar me inciativën e deputetit të Gjirokastrës, Petro Haringo, dhe aty merrnin pjesë 3/4 e anëtarëve të Parlamentit. Në fund të muajit tetor, At Gjergj Fishta së bashku me At Pal Dodajn, shkuan në qytetin e Romës për t’u takuar me Kryetarin e Urdhërit Françeskan, të cilit do t’i kërkojnë ndihma për hapjen e konviktit për nxënësit e Kolegjit publik “Illyricum”. Biografi i Fishtës dhe nxënësi i tij, At Daniel Gjeçaj, midis të tjerash thekson se: “ky plan dështoi: por jo, nuk dështoi vendimi i Fishtës të udhëtojë një herë në botën e ré të Kolombit. Njëmend tashti çashtje edhe ma të randësishme se sa konvikti e shtyjshin Atë Gjergjin të marrë rrugën për kontinentin amerikan”. Sipas At Daniel Gjeçaj: “Koha ishte pjekë dhe Poeti u nis për në Shtetet e Bashkueme”. Në fakt, roli i madh i At Gjergj Fishtës në diplomacinë shqiptare kishte spikatur sidomos gjatë vitit 1919 në Paris, kur ishte sekretar personal i Kryetarit të Delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Versajë dhe ministrit pa portofol në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit, Monsinjor Luigj Bumçit. Më pas, Fishta, u emërua sekretar i të gjithë delegacionit zyrtar në Konferencë, ku do të linte gjurmë të pashlyeshme me fjalimin e tij të famshëm “Shqiptarët e të drejtat e tyne”. Ishte pikërisht ky fjalim i shkruar në italisht prej tij dhe i përkthyer nga Luigj Bumçi në gjuhën frënge, që tërhoqi edhe vëmendjen e Presidentit amerikan dhe mikut të madh të shqiptarëve, Thomas Woodrow Wilson, në lidhje me kauzën tonë kombëtare. Ky fjalim përforconte punën titanike që kishte kryer për disa vite me rradhë diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos përfaqësuesit e saj më të spikatur si: Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako etj. Kontribut me rëndësi të madhe, nuk dhanë vetëm drejtuesit e lartë, por të gjithë pjesëtarët e “Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra”. Sipas asaj çfarë dëshmon Fan Noli, i cili është takuar personalisht me Presidentin Wilson, ky i fundit i kishte premtuar se: “një zë do të kishte në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”. Fisniku Wilson, e mbajti fjalën! Në Konferencën e Paqes në Versajë, Presidenti Thomas Woodrow Wilson, informoi fuqitë e tjera se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të toleronin ndarjen e Shqipërisë midis shteteve fqinje, dhe theksoi se ai më mirë tërhiqej nga Konferenca se sa të lejonte që të ndodhte diçka e tillë”. Robert Enholm, ish-Drejtori Ekzekutiv i Shtëpisë Muze të Thomas Woodrow Wilsoni-t në Washington, ku ish-presidenti kaloi vitet e tij pas largimit nga posti thotë se: “Disa nga fuqitë e mëdha kishin rënë dakord fshehtas pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara që ta ndanin Shqipërinë dhe Presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do t’i mbështeste”. Pra, me pak fjalë: shpëtimi i Shqipërisë nga copëtimi dhe shpërbërja e saj e plotë u arrit vetëm falë ndërhyrjes së Presidentit Wilson, i cili ishte i ndikuar nga kontributi vendimtar i komunitetit shqiptaro-amerikan me në krye patriotët: Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako, por jo më pak edhe nga fjalimi i Luigj Bumçit që ishte shkruar prej At Gjergj Fishtës. Por nga ana tjetër, përsa i përket vendosjes së gurit të parë kilometrik në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo ishte e gjitha një meritë personale e At Gjergj Fishtës. Pse?!… Në Historiografinë zyrtare Shqiptare është fiksuar gabimisht dhe akoma vazhdon të artikulohet nga autorët e ndryshëm që merren me studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare se: Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson, vendosi në Konferencën e Paqes në Paris, duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë. Por në fakt, duke qenë se Historia është një disiplinë shkencore që flet vetëm me gjuhën e dokumenteve, të gjithë duhet të heshtin ose ta pranojnë se në këtë drejtim roli i At Gjergj Fishtës ishte përcaktues. Fishta e ngarkoi veten me detyrën e vështirë si i dërguari i posaçëm i Shtetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe itinerari i udhëtimit të tij në tokën amerikane filloi pikërisht këtu, në New York City. Objektivi i vetëm ishte lobimi në mbështetje të interesave të vendit tonë dhe destinacioni përfundimtar i kësaj vizite ishte Washington D.C. Detajet e udhëtimit të At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rezultatet e arritura gjatë atij misioni diplomatik jepen prej korrespondencës midis Fishtës, At Justin Rrotës dhe At Pal Dodaj, e cila është pasqyruar e plotë në botimin e veçantë përkujtimor, “At Gjergj Fishta O.F.M. 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Demës, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës më 30 dhjetor të vitit 1940. At Gjergj Fishta e nisi itinerarin e tij nga Roma në drejtim të Parisit, më pas vijoi udhëtimin drejt Londrës dhe u ndal në qytetin e madh portual të Liverpool-it, në Angli. Më 25 shkurt të vitit 1922, udhëtoi me vapor nga Liverpool-i në drejtim të bregut lindor të Amerikës së Veriut dhe pas 12 ditëve lundrim mbi ujërat e trazuara të Oqeanit Atlantik, nga Anglia drejt SH.B.A.-ve, At Gjergj Fishta mbërriti në tokën amerikane dhe pikërisht në qytetin e New York-ut. Vizitën e tij në New York, ai e përshkruan në mënyrë klasike në një letër dërguar At Justin Rrotës, që daton më 11 mars të vitit 1922. Midis të tjerash, At Gjergj Fishta shkruan se: “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”. Misioni diplomatik i Fishtës në SH.B.A. kishte dy objektiva kryesorë: 1)- Të kujdesej për interesat e Shqipërisë dhe 2)- Të takohej me personalitetet më të spikatura të diasporës shqiptare në Amerikë. Pas takimeve shumë të frytshme që zhvilloi me përfaqësuesit kryesorë dhe më të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë vizitës së tij të parë në SH.B.A., At Gjergj Fishta u nis drejt Washington-it për të vijuar me veprimtarinë e tij lobiste në kryeqytetin amerikan. Falë ndihmës së pakursyer nga ana e klerikut françeskan, amerikanit Atë Godfried Shilling, i cili asokohe gëzonte influencë të madhe në qarqet diplomatike të Washington-it, Fishta ja doli të afrojë pranë vetes dhe të fitojë zemrat e disa përfaqësuesve të lartë të Shtetit Amerikan. Në një letër që mban datën 8 maj të vitit 1922, të cilën At Gjergj Fishta ja dërgon At Pal Dodaj nga Washington D.C., ai flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, dhe për takimet që kishte zhvilluar me Senatorin katolik amerikan të Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge. Ky i fundit, gëzonte prestigj dhe shumë autoritet jo vetëm në gjirin e përfaqësuesve të Partinë Republikane, por edhe në të gjitha qarqet diplomatike botërore të kohës së vet. Falë këmbënguljes së At Gjergj Fishtës dhe ndihmës së pakursyer që mori fillimisht nga Atë Godfried Shilling dhe më pas nga Senatori Henry Cabot Lodge, i cili mori edhe mbështetjen e pakushtëzuar të Senatorëve të tjerë katolikë të Partisë Republikane, u vendos guri i parë kilometrik në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njohja zyrtare e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënon datën 28 korrik të vitit 1922. Pra, Shtetit të brishtë Shqiptar ju rikonfirmua pavarësia e tij. Ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës filluan zyrtarisht kur Presidenti pasardhës i Thomas Woodrow Wilson, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, më 4 dhjetor të vitit 1922. Si data e njohjes zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu edhe data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhen plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington D.C. si dhe me përmbajtjen e letrave të shkëmbyera midis Fishtës, At Justin Rrotës dhe At Pal Dodaj. Gjithashtu, duhet të dijmë se ky mision diplomatik dhe kombëtar i At Gjergj Fishtës në SH.B.A., mision të cilin mundem ta quaj si më i suksesshmi në të gjithë karrierën e tij politike, u përmbush vetëm falë iniciativës së vet personale dhe jo pse ishte i ngarkuar nga Qeveria Shqiptare me një mision të posaçëm të kësaj natyre. Kjo arritje i atribuohet vetëm dëshirës, vullnetit, aftësive të jashtëzakonshme dhe punës së pavarur të Fishtës sonë të Madh, i cili i shfrytëzoi të gjitha mundësitë për t’i arritur këto objektiva në shërbim të atdheut dhe popullit të vet të martirizuar ndër shekuj. Prandaj sa herë të mendojmë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këto mbrojtës dhe shpëtimtarë të popullit shqiptar, ne duhet t’ë sjellim ndërmend edhe emrin e At Gjergj Fishtës, të cilit i detyrohemi për shumëçka. Figurën e Fishtës unë e shoh të lidhur pazgjidhshmërisht me SH.B.A., ashtu siç do ta trajtoj gjithmonë atë, si Shqiptarin e dytë më të madh pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeu.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”!

NEW YORK, U.S.A., Dt.02.11.2019.

Nga: Paulin Zefi.