At Gjergj Fishta, gjeniu i letërsisë i papërsëritshëm në anektoda dhe në satirën therëse

“Jam Pater Fishta që them uratë me gishta!” është anekdotologjia, fryt i një pune shumëvjeçare, që ka përgatitur për botim shkrimtari dhe studiuesi Kujtim Dashi. Në të janë përfshirë: anekdota nga Gjergj Fishta dhe për të; fragmente nga publicistika e proza e Fishtës, që janë treguar dhe mund të ritregohen si anekdota; impulse fishtjane nga vepra satirike dhe publicistike e tij; biobibliografi e zgjeruar për Gj. Fishtën, si dhe vlerësime për veprën e Gj. Fishtës.

Bashkëkohës e studiues të Fishtës kanë vënë në pah prej kohësh se për të janë krijuar e tregohen shumë anekdota, disa të vërteta e një pjesë e madhe të trillueme prej fantazisë së popullit, apo që ia kanë ngjitur atij duke i marrë prej ndokujt tjetër, siç ka ndodhur e ngjet zakonisht me këtë zhanër. Njerëzit kanë kërkuar gjithnjë, që në qendër të anekdotës të kenë si protagonist një figurë shumë të njohur, të besueshme e sa më popullore, e thënë ndryshe, e patundshme; ndonjë politikan i sotshëm do të thoshte gjithëpërfshirëse. Kjo dëshmon për prirjen e veçantë të Fishtës ndaj humorit, zgjuarsinë e fantazinë e pasur, gjykimin e mprehtë të tij, si dhe për përvojën e madhe jetësore, aftësinë e rrallë improvizuese, çka mishërohet në batutat e tij të befasishme, pikante dhe jetëgjata, që janë përcjellë nga brezi në brez deri në ditët tona. Volteri thoshte se anekdotat janë si kallinjtë që mbeten fushës së historisë pasi kalon drapri i të korrave. Pra, në këtë rrugëtim të gjatë edhe nëse është shtuar diçka në “kallinjtë” fishtjanë, në çdo rast, krijuesi, me siguri, ka pasur mirë parasysh një “kuotë” a një “referencë” nga Fishta dhe, me siguri, është munduar gjatë që t’ia atribuojë apo jo atij. Pavarësisht nëse janë origjinale apo janë të krijuara prej të tjerëve që e kanë njohur ose jo Fishtën, fakti që ky repertor fishtjan gjallon në kujtesën e njerëzve njëkohësisht me veprën e tij poetike, satirike, dramatike, publicistike etj., ende sot e kësaj dite, e rëndësishme është se ato bartin dëshmi autentike biografike dhe një qëndrim të veçantë receptiv të veprës së tij letrare e shoqërore; ato mund të vlerësohen edhe si një kronologji humoristike e jetës së Poetit dhe të preokupimeve të mëdha të kohës, i pranishëm ose jo edhe ai në to. Të drejtpërdrejta ose burimore, do t’i konsideronim ato anekdota të mbledhura prej Fishtës, ose prej atyre njerëzve, të cilët kanë pasë miqësi të ngushtë, ose kanë botuar kujtimet e tyre për të, sidomos pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të cilëve, siç thotë Stefan Shundi, “mund t’u besohet verbtas”, si dhe ato pasazhe të shkëputura enkas nga publicistika e tij, të cilat në substancë përbëjnë fabulën e një anekdote, skice a tregimthi humoristik e që, siç kam vërejtur, tregohen “me pak fjalë” edhe sot e kësaj dite nga njerëzit si anekdota. Bibliografia e pasur (afro 200 zëra) dhe variantet e një fabule, të vjelura drejtpërdrejt, të publikuara apo të mbledhura në arkiva shtetërorë e personalë, në monografi a libra memuaristikë dëshmojnë për besnikërinë në zbatimin e principit të autoktonisë të kësaj pasurie humoristike fishtjane.

Teksa pyesim autorin e anekdotologjisë “Jam Pater Fishta që them uratë me gishta” se kur do ta kemi në duar këtë libër të çmuar, ai me humor na thotë, se “Unë punën time thuajse e kreva. U bë një kohë e gjatë që kam “qepur strajcën” për ndonjë mbështetje financiare nga dashamirësit e panumërt të Fishtës. Mbase kujtohet ndokush…N. Gogol thoshte “Nga të qeshurit kanë frikë të gjitha pasionet tona të ulëta. Le t’i kthejmë së qeshurës rëndësinë e saj të merituar”.

 

Zyrtarve që u ka ardhë ndonjëherë era hudër, mos me jau lanë tepër thonin me u rritë.

Zyrtar i pabesë.- Na shkruajnë prej Mirditet, se një Mydirri t’atjeshëm i ishin kenë rritë thojt pak per s’tepërmi, si me thanë se ka dalë hajn; per t’cilën punë Qeveria ja ngjiti thojt edhe e burgosi, megjithë do Muftarë të një katundi t’Mirditës, per arsye që ai kishte vjedhë e kta i kishin mbajtë thesin. Tujë kenë që ky lajm nuk na vjen zyrtarisht, kështu, për sot, nuk po ja zamë emnin ktyne batakçinjëve. Veç çka se s’mundena me ndejë pa e kja me lot ket rrezik, që aty ktu, po i ndodhë popullit Shqyptar, me kësi zyrtarësh t’pandershëm e batakçinjë. Njani nder shkaqe ma t’forta, neper te cilat rrenohet shtëpia e robit, asht, pa dyshim, hajnia mbrenda. Si t’rrin gjindja e shtëpisë tujë vjedhë shtëpinë e vet, asht e ditun, se ajo shtëpi shkon dam e bahet mos me pasë çka me i hanger mini mbas darket. Kshtu edhe kur kësi zyrtarësh batakçinjë, që janë amanetqarët e Qeverisë, vjedhin popullin a Qeverinë, asht e ditun se Shqypnia rrenohet e shkon si asht ma zi. Prandej asht mirë që zyrtarëve, të cilëve t’u ketë ardhë ndonjë here era huder, mos me ja u lanë tepër thonin me u rritë.

 

Amerikanët janë kahë na i marrin pleshtat

Këndojmë nder fletore se një miliarder amerikan, i quajtur Valter Rothshild, ka fillue me mbledhë pleshtat e botës. Ka nisë me ba, një koleksion pleshtash; deri sot burri i botës ka mbërritë me mbledhë tok rrash tri mijë krenë, duke i pague edhe shtrejtë fort. Vetëm për një plesht, që është në trajtë të lunderzes, ka pague kurrgja ma pak se 15.000 frank. Per tre pleshta të tjerë, që ja solli një fatbardhë kanadez prej Polit të Veriut, lau 3000 frank në kambë e në dorë. E pra, në Shqypni e nder diplomatë të Europës…kishte me i gjetë edhe pa pare.- Me pague 15.000 frank per një plesht sot, që shekulli mbarë asht tujë u rreshkë prej ujet2, një punë kjo që shpjegon ma së mirit, se çka asht v l l a z n i a  në kulturë të sotshme!

__________________

1)Shalë, Shosh-fshtra në Dukagjin të Shkodrës.

2)uje-urie.

 

Ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân

                                      -Në treg të malcis-

Malcori.- Po kjo Tirana ku do të jetë?

Gjytetasi.- Po as kaqe e gjâ nuk e din se Tirana âsht kryegjyteti i Shqypnis?

M.- Hek! Masi kryet Shqypnija e paska në Tiranë, po bishtin ku do t’a ketë?

Gj.- Jo more Sokol, mos e kujto punën kështu, pse Shqypnija së ka as krye as bisht, por deshta me thanë se atje në dhè të kuq rrinë të parët e paret e Shqypnis.

M.– Hak e pernjimend, më kanë thanë se atje janë napulanat e kuq si bari në bashtinë, po na kah pernjimend jemë në dhè të zi, qyshë se po kemi zi parje e zi buke.

Gj.– Po a s’e din ti, se Shqypnija, si flamuri i sajë âsht kuq e zi?

M.- P’a ndigjoma i’fjalë: kur të shkojsh në Tiranë m’i lë të falë me shndet të parit të Shqypnis, se…i Shqypni t’eger e të zezë nuk ka ç’e bân.

Gj.- Drue se së kam me muejtë more Sokol, pse ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân.

 

“Pse per pa e muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban gjurmë kahë e mira.”

                                     –Në log të kuvendit-

B a j r a k t a r i.- merr  fjalën- e tuej e shkundë mbi gur kamishin e duhanit, zen e thotë: Pra me giasë se nuk do të mund i gjindet kurrkund rrfana ksajë Shqypni! Mana por moti i mirë shifet në nadje, e m’a thotë mendja, se nuk do të mund të shkojmë fort giatë më si ja kemë nisë: qep nji pllamë e shkep nji pash.

– Gjofti rrfeja, po ç’je kahë thue, ja pret M i c a n i, pa’j duhet me kenë Shqypnija e ngatrrueme si flokët e dreqit, per me vojtë puna si ç’thue ti Bajraktar. Sod per sod kush ka pare ka çajre, e po t’i kite Shqypnia paret e krajlave, s’pat me hanger pula gur nder ne, por pat me hanger qeni pogaçë, si motit, pse si i thonë nji kajgës:në të pvetët kush se si asht jeta, Shqypni e kom po ish kuleta.

– L u l a s h i.- Mana por kurrkund s’ja ke gjuejtë lum Micani, se qe besa e burrave parja s’ba pare në Shqypni tonë, pse duhet me pasë ma shum mend se dhen, e parja pa zot, asht si shiu që bjen kot, e derë të thohet per Shqypni, se shpija u dogj, por lum kush mund të zehet, s’na prodhojmë as paret as visaret e të tanë krajlave të gjitha tok me i pasë.

– Lumti goja, or Lulash – ja kthen me nji herë G j e l o s h i – Ku s’e njef qeni të zonë punët nuk kan si shkojnë marë, e per me ja gjetë fijen lamshit, kish me dash me fillue per së marit, tuej vu dorë e tuej hjekë e ndrruee zyrtarë, e të parë e shkollarë a si   po u thonë të gjith atyne, të cillët nuk po lanë Shqypnin me çue kryet as me marrë frymë.-

– Shitofti zana se nuk je kurrkund kahë ja giet, ja pret S o k o l i, se mana vendi nuk mahet pa kren, me sa shpija pa tren, edhe po u terrnuekan të gjith ashtu si thotë Lulashi, por hik prej shiut e del në breshen, se kish me pasë kush me i gia e kish me u gjetë kush me i sha.

M i c a n i, A di si?

S o k o l i: He…

M i c a n i: Si kish me dalë puna me pasë per t’u çue fjalë krajlave? Se me dashtë ata…puna kish me u ndreqë në kamë e në dorë.

– L u l a s h i, Kurrkund nuk je më ta, lum Micani, se per pa ju ligë ora Shqypnis nuk ka si bahet ata ç’mendon ti. Krajlave me giasë iu asht lidhë Shqypnija, e diku prej inadit, diku prej prej droje të shoshojt, ham dr…ç’paça, as janë ata qi e çarsin as ata qi e ndreqin Shqypnin. A jemë kund na vetë, se per krajla?…Kemë vojtë prallë, e kemë dalë fisit e bajrakut.

B a j r  a k t a r i tuej dhanë marrim kuvendit: Mana por lumti goja, or Lulash, se kuvendi e urtia po të shkote per gjak e per piri, edhe ‘asha at Sh’Marrabee, Shqypnin ja do t’a ndreqin Shqyptarët, ja s’ka kush ven dorë në të. Por per me zanë mend Shqyptarët lypet bash do kohë e duhet edhe mjaft do mund, pse per pa e muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban gjurmë kahë e mira.

________

kamish (turq.)-çibuk i gjatë

Shka len prej micet gjuen mi

   – Babë, sa punë lypen per me kenë shqyptar i vërtetë?

– Nuk lypen punë por fjalë.

– Po, fjaltë i merr era, more Babë, e Shqypnija nuk asht veç nji fjalë per t’u folë.

– Mirë e ke, se Shqypnija nuk asht fjalë, por asht pare, e per me fitue pare, e per me fitue pare me spol, lypen pak punë e shum fjalë.

– E po çfarë fjalësh? A fjalë shqype a të hueja?

– Shqypen mjafton me e perçapë, të huejat duhen me i dijtë.

– Pra shqyptar i vërtetë dashka me thanë me diejtë Italisht, Slavisht, Greqisht e Turqisht.

– Mos harro: edhe me kenë i zoti me e përçapë shqypen.

– E si perçapet giuha shqype?

– Shqym njashtu si ja ban kuer të soset djathi e të metë buka that, perçape fort per me të ndi e me të dhanë nana tjeter, perçape perdhuni pse nuk t’a ka ande buken por i lakmon djathit.

– Pra msuesi na thot ndryshe në shkollë, se nierin e ban kena e jo duka, e se nuk mjafton me shitë atdhetarizem me fjalë, por duhet me punue per Shqypni.

– Aj asht ne e Lekës he krahthatë! Po s’punove per vedi, ke metë në zall ti me gjith Shqypni. Shka u qiti Shqypnija atyne qi u borne mas sajë?

– Pra lum baba masi nuk i dashka zanë besë msuesit, kot se më çon në shkollë.

– He…ti je i vogel more bir e nuk din ma giatë. Msuesit merri fjalët, por me punue, puno si të thotë Apa:

Un per vedi e të gjithë per mue

                                    Dy në dorë e tri në thue.

– Besa more Babë, fjalët tua nuk dij me i marrë vesht e ata të msuesit më vinë të kollajta. Por kuer të rritem tash mendoj me mend të mija.

 

Kur s’ke ç’me ba, luej derën

Puntori.- Shka don me thanë qi kurr s’mund e mora vesht punën e ksaj dreq Shqypnijet! Kur më përmendë kush Amerikën e di se asht vendi i pareve, Inglizin e mbaj për njeri diplomat e politiket, po foli kush per Alleman (Gjerman), me ve’ me nji herë mendja te puna e te dieja, e kshtu per ç’do nahije diç m’epet me thanë e me mendue, por Shqypnia, per mua asht si prralla e Gjo Mar’Shkallës.

Zyrtari.- Shko mor budall; ti s’din me i dhanë gomarit ujë, jo ma po don me i kuptue se shka asht Shqypnia. Shuej aty, se besa po gjenë shka lypë.

P.-Po, more Zotni, ani se un s’po dijkam gja, por un kam ndi tuej e ba ket ankim edhe disa qi per kahë dieja s’preken me pupël. Hajde se po e lam ket punë, por ne mos tjeter a din me më kallzue a ka kund Shqypni?

Z.– Ty me gjasë, mas hallit, të paska lanë edhe mendja; po si pvetë a ka Shqypni, mas topave qi janë shprazë e mas ligjeratave qi janë majtë me 28 Nanduer! Balonat kan ardhë, ingjinerat kan fillue m’u perda, parlamenti vijon çashtjet gjithnji e per shpejti do të kemë edhe asamblen komtare. Mandej a s’i ke ndië ti urdhnat e çpallun e plakatat e vume, a s’ke pague kurrnjiherë, vergi, iktibari, e shka di un tjeter ma. Të gjitha kto janë per Shqypni e ti vjen e me pvetë a ka Shqypni!

P.- Besa nji Zot por e din se shka do të hjekim per pagesa, por thaçë se po kallzon se ku shkon gjithky mund qi bahet e gjith kjo pare qi derdhet.                                     Z.-Mos e tierr ma gjatë lum djali, se ke prekë nder tela. Shqypnija per me u majtë ka nevojë për zyrtarë, zyrtarët do të paguhen prej popullit, e se si ja ban mandej populli për me pague aty din vetë. Por paguej e mos druej.

P.- Pra masi kënka puna kshtu, më ve’ mendja me u ba ma shqyptar tuej gjetë ndo’j zyre.

Z.– Rri more krah thatë, rri në zanatë qi të la yt atë. E po ti zot e un zot, gomarin kush e kullotë?

P.- E po, njimend se ma i madh hatri se topuzi, por besa kur s’ke ç’me ba, luej deren.

 

Letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë              

Nji qylahxhi, para se me çilë dugajë m’vedi per qylahxhi, duhet qi per do vjet të ketë ndejë shegert me ndonji qylahxhi; pse ndryshe bota s’e njef per qylahxhi. Por edhe per me kenë kallajxhi, duhet me pasë ndejë vjet e vjet shegert me ndonjë kallajxhi e me pasë nxanë se si bahen e si kallajtisen sinijat, tepsijat, kusijat, legenat, jibrikët, fulteret etj.; pse per ndryshe nieri s’kishte me u njoftë per kallajxhi.                                                E kshtu të thuesh per likuraxhi, shkarpaxhi, samarxhi, bosaxhi etj. Due me thanë se, per ç’do zanat qi do me kapë nieri, duhet nji farë pregatitje gjithkund, por edhe në Shqypni. Vetem asht nji zanat qi në Shqypni s’lypë kurrfarë pregatitje: letersija! Jo, po; nja 90%në Shqypni mendojnë se, per me kenë letrar, s’lypet tjeter veç karta, penda, mereqepi, ngaeja, e mos me pritue nji ç’do kryematare me shtrue at kartë m’tryez, me perla at pendë në dorë, me u zhytë ne mereqep, e mbasandej me te bje kryq e terthuer kartave, shkarravitë kund 70-80 faqe tanë fjalë bihude e në nji shqype të garavaxhzueme, e atëherë botoj, e shkruesi ngrifu per “auktor”, brejë hekur m’Ministrin e Arsimit, po s’i dha ndonjifarë shperblimit 50-100 napolonash-pak me thanë-per at paçaver!

Tash kshtu puna s’hecë-e as s’do të hecë; pse pernjimend po bahemi gazi i dheut. Per me u mbushë mendjen nji palë shqyptarëve, pra, se per kenë leterat nuk asht mjaft të keshë nxanë me kendue e me shkrue, tash e ma vonë due me u pru në HD disa piksime estetike mbi zejen e fjalës a se së thanmes, prej së cillave ka me u pa, se letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë.

“M’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je.”

            “M’kallxo me ke shkon, e t’kallxoj kush je”, ka thanë i moçmi; pse shoqi me fjalë e me kshille t’veta kadalë e kadalë t’a ndrron mendjen e t’ban per vedi. Prandej me gjith arsye mundem me thanë: m’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je; pse edhe libri, si shoqi, tue t’folë e tue t’kshillue me shkrola t’veta, kadalë e kadalë t’a mbushë mendjen e t’ban per vedi. Sikur nieri, pra, para se me lidhë miqsi me nji shoq, do t’a njofë se ç’nieri asht; kshtu para se t’vehet me kndue nji liber, do t’a dijë se ç’faret asht libri, a i mirë a i keq, per mos me u vue n’rrezik qi me kenë rrejtë e mahitë prej s’i…E pra sejcilli shqyptar, (sidomos sod), kishte me dashtë me kenë i dijshëm. Por asht halli, qi s’del kush i dijshëm, po nuk u mundue me xanë; pse si thonë Anzat e Parnasit“S’a ba i dijshëm kush pa hiri,/Ndejë peshtetë e tuj  njefë miza.

 

Si shpëtoi “kapitali” i dijetarit

 Editorialin e “Posta e Shqypniës”, të datës 13 tetor 1917, me titull  “Shqypnia e kultura”, Gjergj Fishta e nis me ngjarjen e mëposhtme:

“Kallxohet se motit kishte pasë kenë mbytë një barkë në det e, se nder ata njerëz-e shumta tregtarë-që i kishin pasë shpëtue rrezikut, por që gjaja u paska pasë kenë mbytë krejt në det, paska pasë qëllue edhe një dijetar. Mbasi u pat kalue droja e rrezikut të jetës, tregtarët ja nisën me qa me lot për gjanë që u kishte humbur, pse tujë pasë mbet gisht, kurrkund s’ja shihnin gjasen vedit, se si kishin me mujtë me jetue mbi shekull; vetëm dijetari nuk bante as ankim as vaj. Si mundesh me ndejtë pa qa, i thanka njani asi tregtarësh, mbasi edhe ty t’asht mbytun në det çka pate? Nuk qaj, i përgjigjet dijetari, pse unë kapitalin tim, që asht dija, e kam shëndosh e as më mbytet në det, as më humb m’tokë. Edhe njimend s’rrejti me atë fjalë; pse, në të parin qytet që u ndal, çeli një shkollë, neper të cilën mandej jetoj zotnia nja per nja si përpara.

Por s’di si ishte da ky dijetar me gjithë dije të vet, po ta kishte qitë ora me u kapë s’parit mbas atij rreziku m’breg të Shqypniës. Kujtoj se kishte vdekë ujet, a se mos tjetër, i ishte dashtë me dalë e me lypë derë për derë, si ata të tjerët shokë të tij tregtarë; pse shkollat, si motit, si deri të gjithë ditën e sotshme, s’janë mbajtë për gja nder ne”.

 

“Jevgëve ose gabelëve edhe me ua falë shpinë, s’ta marin…”

“…E kush asht ma i lirë se jevgët ose gabelët? As çajnë kryet për mbretën e ministra, për taksa e të dhjeta, për pasaporta e lejekalimi, edhe lirinë e vet sot s’e ndërrojnë për çdo gjëje tjetër jete sado të gëzueshme, por qi t’ua pengojë këtë liri…jevkët e gabelët nuk janë gjaksë: s’vrasin kënd për inate, as mbas shpine për para, as me pushtue tokët e robtë e ships së huej…E vërtetë se kta vjedhin, por shka? Ndo i zog pule, ndo i këmishë n’gardh-gja për me veshë a për mu u ushqye; se ktyne edhe me ua falë shpinë, s’ta marin…”

 

Punët si nji herë, nji herë e…“Rroftë Shqipnia!”

Shkodër.-Në Shkodër punët si një herë, një herë: rrena, pluhun a baltë, kuaj e katana, muzika, peca1 e…”Rroftë Shqipnia!” sa të duesh; por punë, pa të cilat s’ka si rron Shqipnia, pak e aspak. Gjindja janë ndejë hijeve pa punë, tue pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se çka po u bje nana-vida Europë; por…për një herë…prit Zot, veç mizat; pse, (me ç’andrra po shihen), vonë e vonë, u shqyen gurmazësh, tue folë për Shqipni e tue punue për vete, por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba tamam Club me pi kafe e me ça llafe…politike. Oh po! Për politikë mos pyet! Këtu politikë sa të duesh. Pa pasë nxanë gja politike, çdo kopuk do me dalë Bismark: pa iapasë ndie emnin strategjisë, çdo kulifickan2 i keq, ba prej lëngatës mos me u gjetë qen që me hangër, flet, more djalë, për punë lufte si me qenë një Velington, një Napoleon, një Moltke, Togetof a Togo, shi me ta ba kryet për voe3. Por, ele4, me të qitë rreziku me nejë më ndonjë asish, që ka pa andërr se asht i dijshëm, prej se, kur pati qenë në shkollë, ka pasë shqye ndonjë kartel5 a thye ndonjë tabelë, atëherë, po, se nuk i di maje vetes, kaq dijen e filozofinë e politikën e madhe që pështyn prej goje. Ta ndan shekullin fele-fele6, si me qenë tue nda një shalqi Stajke7, i ngatërron e i shkatërron krajlat shok me shok, me të vojtë mendja se atëherë po kërset lufta e po bahet nami; por, kur fundi, veç n’i kristë zorra në bark atij prej së thati, se kurrkush s’lot vendi.

E tue qenë që këtu rregullohet politika, jo mbas interesash të vendit, por mbas leverdisë së secilit, çdo punë që ndodh, kaq dredhet e shpërdridhet, e shtohet e vogëlohet e zbukurohet, sa mos me mujtë ma me ditë se çka asht rrenë, se çka asht e vërtetë. Prandaj kësaj here s’po vëmë lajme Shkodre; pse druem se vihemi në rrezik me thanë ndonjë rrenë: çka kishte me qenë kundër amtyrës8 së së përkohshmes sonë.