At Daniel Gjeçaj, një visar i kulturës kombëtare, ai që la një bilbiotekë e rrallë, dhuratë për Shqipërinë

At Gjeçaj si studjues i mirëfilltë i thellë në mendime e virtuoz si akademik la pas një bibliotekë tejet të pasur që përbën një thesar të vyer të kulturës shqiptare. Kjo bibliotekë që u kthye në Shqipëri përnjëherë me trupin e pa jetë të atit të shenjtë, është ngritë me anjë mijë e një mundime, duke i mbledhë fashikujt si këmba qelbin duke kursyer edhe kacillet e fundit të falura nga besimtarët, vetëm e vetëm për të vënë në vend e çuar më tej traditën e bibliotekës së famshme të fretërve që ishte djegur e përvëluar nga zjarmia e kohës.

Në këtë bibliotekë të cilën e paketoi të tërën me duart e veta Ana Luka shprehet se “mund të gjesh gjithçka që ka të bëjë me Historinë e Shqipërisë, me historinë e Kishës Universale e Shqiptare, e sidomos me provincën françeskane. At Danjeli ishte një nga të abonuarit e parë me enciklopedinë e Tercianit të cilën e kishte të plotë së bashku me fjalorin enciklopedik italian, ashtu siç kishte të plota enciklopeditë më të rëndësishme të kulturës e të arteve të vendeve të ndryshme të botës, siç kishte të gjitha gramatikat e shqipes, të gjithë fjalorët dhe botime të letërsisë shqipe, që nga botimet e 6 veprave të para të Naimit tek botimet e para të Fishtës, Lasgushit, Nolit etj.

Për Fishtën pati krijuar një raft të veçantë ku gjendeshin pa asnjë përjashtim të gjitha volumet e veprave të poetit tonë kombëtar.

Në bibliotekën e At Danjelit studjuesi kishtar mund të gjejë gjithçka që nga Etërit e Kishës (Protologjia), Enciklopedinë Katolike, Enciklopedinë Shenjtërore, Historinë e plotë të Kishës Universale, Historinë e Papëve si dhe Yllyricum Sacrum të cilën e mori dhe e fotokopjoi Biblioteka Kombëtare e Tiranës.

Në bibliotekën e At Gjeçajt studjuesi shqiptar mund të gjejë veprat e albanologëve më të shquar dhe koleksionet e plota të revistave më me zë si Albaninë e Konicës, Hyllin e Dritës të fretërve, Lekën e Jezuitëve, Shejzat e Ernest Koliqit etj.

Kjo bibliotekë ka një arshiv tepër të pasur që hap faqen e parë nga më interesantet e më të panjohurat nga Historia e Shqipërisë, ndërmjet tyre edhe një Histori Shqipërie e shkruar në gjuhën gjermane nga At Paulin Margjekaj. At Danjeli kudo nëpër botë gërmoi nëpër arkiva e biblioteka për të gjetur e për të mbledhur me kujdes copat e Shqipërisë shpërndarë nëpër libra e letra. Kur pa se si u zhdukën librat nga syrtaret dhe gjithë vendi u mbush me kuti, nuk mundi të mos thoshte jo pa trishtim “Na ikën librat”. Por mandej me shpresën se mos përmirësohej e do kthehej edhe ai vetë për gjithmonë në Shqipëri, shtoi “Punë e madhe, jam vetë bibliotekë” (Ana Luka, bashkëpunëtore dhe drejtuese e programacionit shqip të Radio Vatikanit).

Publicistika e Danjel Gjeçajt

Si publicist i talentuar me një aktivitet mbi 40 vjeçar, Gjeçaj la pas një trashëgimi të pasur publicistike. Ai, penën e tij të mprehtë e vuri gjithë jetën në shërbim të popullit të vet, duke denoncuar diktaturën dhe duke luftuar për të shpëtuar kombin nga mënxyra e ateizmit bolshevik dhe vetëizolimit të hekurt, kur shqiptarët mendonin se i kishte harruar edhe vetë zoti. At Danjeli nuk e humbi kurrë shpresën se Krishti do të kthehej një ditë në Shqipëri së bashku me lirinë, prandaj për këtë u lut, punoi, shkroi e cicëroi në mikrofonin e Vatikanit, ai dha informacione, shkroi artikuj e pamflete të fuqishme në gjuhët kryesore të botës dhe i nisi në të gjitha selitë që ishin krijuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke u ankuar për fatin tragjik të bashkëkombasve të vet, publicistikë që një dit lusim zotin ta kemi të plotë në duart tona, për të hedhë dritë mbi një periudhë vërtetë tragjike të shqiptarëve, periudhë së cilës At Gjeçaj ia bëri radiografinë që atëherë kur ne kishim braktisë totalisht rrugën e Zotit. Kushtrimi i të varrosurve për së gjalli është padyshim njëri prej pamfleteve më të fuqishme të penës së Gjeçajt që krahas vlerave propagandistike të pakrahasueshme kishte vlerat e një proze të kthellë me një stil të tepër të lartë artistik.

Tash më se 30 vjet, një komb i vogël në Evropë por ndër më të vjetrit rekton ndërmjet jetës e vdekjes i ndrymë në një lagër të kuq… E ndërsa gjakatarët e popullit të vet Enver Hoxha e Mehmet Shehu i shtërngojnë vllaznit e dënuem kangën e dekës, mbrojtësit e lirisë në perëndim mendojnë se shqiptarët janë tepër pak e të vorfën për t’u interesue për ta, diplomatët e fuqive të mëdha presin me indiferentizëm e cinizëm që ftyti i bremë nga krymbi të bjerë vetë prej lande, ndërsa ekspertët e fuqive të armatosuna, të përshtatun tashë me mjete moderne të luftës që s’dinë largësi besoj se dera e Adriatikut nuk ka ma atë randsinë e vet të dikurshme. Nuk duam të përdorim as retorikë as propagandë denigruese. Kemi qëllim të sqarojmë opinionin publik me prova të gjalla, se qeveria e sotme e Shqipnisë nuk ka ba e nuk ban tjetër veçse me shkelë të drejtat, me shtypë e me shue me gjak çdo liri njerëzore tue kthye në rob e skllav një popull fisnik i cili meriton plotësisht të mbretërohet e të pershtohet nga bota e lirë. Ndërsa në një intervistë tjetër Gjeçaj shkruan: Në këtë periudhë të gjatë të mërgimit sadoqë më është dashtë me u kufizue për së forti për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike, s’kam harrue shtypin as valët radiofonike, s’kam heshtun kudo që më ashtë paraqitë rasti, e rasat s’kanë qenë të pakta, ndër forume ndërkombëtare e anë e mbanë Italisë me vu në dukje vuajtjet e popullit shqiptar nën diktaturënn ma të rreptë që provoi bota lindore nën komunizëm.

Danjel Gjeçaj, një përkthyes i talentuar

Duke qenë gjithnjë në kontakt të ngushtë me besimtarët shqiptarë, të cilët e kërkonin t’u bekonte martesat, për t’u vojuar të dashurit në fillë të mordes, për t’u pagëzuar foshnjat, atij i lindi nevoja t’i vihej përkthimit të liturgjisë, e cila pa vonuar u bë pasioni kryesor.

Së pari përktheu e botoi Mesharin e Kremteve më 1966, dhe më pas ndonëse i kishte kapërcyer të tetëdhjetat, bëri gati Mesharin e plotë në gegnisht me 2 mijë faqe dhe ju vu punës për përkthimin e plotë të Testamentit të Vjetër, faqja e fundit e të cilit ndalet te librii Numrave, përkthyer vetëm pak ditë para vdekjes. Ia doli të përkthente pjesën kryesore të Biblës. E në këtë përkthim shkëlqen për mjeshtëri të posaçme një nga copat më mahnitëse të mbarë letërsisë botërore “Kanga e Kangëve”. Prej Testamentit të Ri përfundoi Punët e Apostujve e copa të tjera të rëndësishme. Nga gjithë ky material voluminoz me mijëra e mijëra faqe, mundi të botojë vetëm librin e Psalmeve 1999 duke lënë pas në duart e bashkëpunëtorëve të vet besnik pjesën tjetër që me siguri do të botohet së shpejti, në të kundërt do të ishte një humbje e madhe për kulturën shqiptare dhe shkelje amaneti njëkohësisht.

At Gjeçaj vdiq me një brengë të thellë në shpirt që Meshari i përkthyer aq mjeshtërisht nuk e pa dritën e botimit vetëm se qe përkthyer në dialektin gegënisht. “Nëse vullnesa e Zotit është që të vdesë gegnishtja, le të vdesë me një Meshar, ashtu si me një Meshar pati lindur”. Kështu u shpreh Gjeçaj përballë çensurës së pamotivuar që frenoi botimin e kësaj kryevepre kishtare të shqipëruar në një gengishte të kristaltë e shumë të artikulueshme. At Danjeli dhe edhe një kontribut të çmueshëm për historinë e Kishës. Në arkivin e tij ruhen shumë studime që hellin dritë mbi periudha të ndryshme të ungjillizimit shqiptar e sidomos mbi fillimet e përhapjen e Urdhërit Françeskan.

Shkrimtari i pasionuar

At Gjeçaj shkëlqen edhe si shkrimtar i pasionuar, si mjeshtër i skalitjes së fjalës së shkruar, me plane të gjera krijuese dhe me fryte të rëndësishme prodhuese. I pari fryt i rëndësishëm i programit të tij ambicioz qe botimi i Lahutës së Malësisë, 1958, me përmbledhje këngësh, me numrim vargjesh, me fillim fjalësh e frazash të vështira për t’u kuptuar menjëherë prej atij që nuk e njeh në thelb gjuhën e pastër të maleve jutbinase. “Lahutën” e ribotoi më 1989, “Andrrën e pertashit” më 1959 e më 1995 veprën “Valë mbi Valë” të At Anton Harapit, shifet qartë se sa shumë punoi për botimin e veprave të bashkëvëllezërve të cilat i pajisi me ilustrime sqaruese e komente të veçanta, duke lënë pas dore veprat e veta, një pjesë e mirë e të cilave i mbetën në dorëshkrim.

Libri i parë i tij më i rëndësishëm është “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, 1992, duke u bërë në moshën 80 vjeçare biografi i parë i At Gjergj Fishtës së madh. At Fishta është i pranishëm në një numër të madh shkrimesh të At Gjeçajt, të botuara e të pabotuara. Po kujtojmë vetëm disa fragmente nga fjalimi që mbajti në rivarrimin e eshtrave të Fishtës në Shkodër,ku s’ia priti gjë hovin e rrugës, ndonëse ju desh të shtegtonte në kohë dimri, nuk pyeti aspak për vitet që kishte mbi supe dukagjinasi i natyralizuar si engjëlli.

“Eshtënat e kësaj dore sot në vend të vet i vendojmë dhe breznive të ardhëshme trashëgim ua lëmë, se pa kte dorë shqiptari “epope” s’do kishte pasë as me lahutë kurr gishtat s’do t’i kishte dridhë për të këndue homerisht Oso Kukën, Marash Ucë, Ali Pashë e Dedë Gjon Lul, Patër Gjon e Tringë. Emni i tij gjallnon brezni me brezni. Gati një gjysëm shekulli harresë e imponueme. U rrafshue vorri por nuk u zhduk emni, shtatorja e tij vigane u përjashtue prej panteonit të shkrimtarëve prej Olympit të poetëve, por Fishta gjalloj i kerntheste ndër zemrat e ndër to kthjelloj rrajët e rriti dashni. Fara që s’vdes nuk ep fryt tha mjeshtri hyjnor i ne katolikëve.

Nga krijimtaria e tij e mirëfilltë letrare vlen të përmend tre libra me portrete e tregime nga jeta e Dukagjinit. Prel Tuli i Salcës, Mehmet Shpendi e Mark Sadiku i Shalës botuar më 1996 e te Del Kiri në vitin 2000. Mbeti në dorëshkrim vëllimi i katërt “Dikur në Dukagjin”, e shumë shkrime të tjera për njerëz, doke e zakone të vendit ku lindi projekti i tij ishte të rrëfente në prozë virtytet e popullit të ve. Shumë shkrime janë të shpërndarë në revista e gazeta të kohës së tij të mërgatës ndërmjet të cilave veçojmë “Shejzat” që ishte bashkëpunëtorë i rregullt i saj.

I pajisur me kulturë të gjerë At Danjeli shpesh iu kushtua edhe punës për komentin e kryeveprave të letërsisë shqipe e të huaj. La në dorëshkrim komente të poezive të Fishtës, sidomos së “Anzave të Pernasit”, sepse mendonte që me kalimin e kohës dhe zbehjen e kujtesave, shumë fjalë e shprehje të kësaj vepre të pashoqe satirike do të mbeteshin të pakuptuara ose do të komentoheshin keq nga kritikët në veprat e të cilëve hamendjet shpesh bëjnë hatanë. Komentoi shumë krijime të poetit të madh, At Bernardin Palaj, të Ernest Koliqit, të Martin Camajt e të disa poetëve të huaj të lashtë e modern, ndërmjet të cilëve kishte shumë për zemër poetin hungarez Giulio Iliesh dhe oden e tij “Tirania”.

At Danjeli komenton “Në oden Tirania autori shpreh me dihamë shpirti dhe përshkruen me gjak të zemrës së vet e të popullit që, si ai pësoi të njëjtin fat, rulin ritmik të atij kompresori me hyllin e kuq e drapër e çekan, i cili nga Rusia të shkeli e dërmoi, thërmoi e ngjeshi në brumë të marksizmit proletarë, popuj e fise…”.

Kumtusi i manifestime të mëdha

Danjeli mori pjesë aktive në shumë manifestime kulturore të shqiptarëve nëpër botë, nga Italia në Amerikë e Australi.

Mbajti kudo kumtesa me tema nga historia e kishës dhe e kulturës shqiptare. Nuk pushoi kurrë së shtegtuari në botë si sensibilizuesi i opinionit të krishterë për fatet e Shqipërisë, ja një citat i mbajtur gjatë një konference në Romë në të cilën morën pjesë përfaqësues të Konferencave Ipeshkvnore nga e gjithë bota. “Një realitet i idhtë, tragjedia e një populli që po vdes po jehonë pa mëshirë. Shqipnia është një komb i mbyllur prej 33 vjetësh në kam përqëndrimi, është një popull që vuen nën skllavërinë ma të egër që ka njoftë ndonjëherë historia e njerëzimit, është një kishë e lashtë me zanafillë apostolike e bame rrafsh me tokë prej mensisë së çfrenueme të komunizmit. Nuk pretendojnë katolikët shqiptarë të burgosun në Shqipërinë politike një lagër të vërtetë çfarosje, ndihma materiale, presin nga bota e lirë, nga Ati i përbashkët tepër i ndjeshëm përballë vuejtjeve të bijve të vet, nga ju barinj e përfaqësues të Kishave Lokale, atë ndihmë që në të kaluemen e ka shpëtue Shqipninë si komb, i ka ruejtë fenë, mira herë të kërcënueme në ktë tokë të pa fat, udhëkryq kulturash teatër ndeshjesh të përgjakshme ndeshjesh për hegjemoni. Zani i Atit të shenjtë që vuni në dukje martirizimin e kishës shqiptare (fjalimi i atit të shenjtë 24. 12. 1974) bani shumë ma tepër se ka ba bota politike në kto tri dekada në dobi të katolikëve shqiptarë.

Na kërkojmë solidaritet, ndihmë morale e lutje.

Ndër veprimtaritë e organizuara nga ai vetë në Romë mund të përmenden kremtimet madhshtore me rastin e 100 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Për herë të fundit qe ftuar të merrte pjesë në Shkodër, ku do të fliste mbi figurën e fratit shqiptar. Sëmundja e pengoi të merrte pjesë por kumtesn do ta shkruente, e do ta niste të cilën e mbyllte me kto fjalë simbolike që nuk kanë nevojë për koment.

Po e mbylli fletën teme me nji anekdotë të shkurtër të vjetës 1947. Uleshim prej Planit në Shkodër bashkë me shtegtarë të fshatit ku ishem famulltar. Në Leporosh ndalemi me pushue, aty ku udhëtret e maleve vendin e pushimit e njofin me emrin vorri i fratit. Dy gra vendase na dalin përpara. Përshëndeten si ashtë dile me ne, tue nisë te Patri. Ne hatrit zotit i bekuem që u paska mbetë ende fara. Zoti mos na lashtë pa ju. Dy fisniket s’ishin katolike. Nuk më takon mua me thanë, por fjalët e martirit frat, qe përmrenda sipër janë penelatat mitologjistike të filozofisë së fratit shqiptar përpara të cilit besoj unë shqiptari i vërtetë s’gabohem me thanë: Mos na len o Zot pra frat.

Kush asht shqiptar i vërtetë, Dukagjinit nuk ia ven kamen

Në Shqipëri mundi të kthehej pas 40 vjetësh azili politik, dashuria për atdheun dhe krenaria e të qenit shqiptar e bënë të palëkundur në qëndrimin e tij për të mos pranuar asnjë shtetësi tjetër, shtetësi të cilën ia kishin ofruar gjermanët, austriakët dhe italianët.

Mospranimi i këtyre shtetësive të ofruara u bë pengesë e madhe për të siguruar udhëtimin e tij në Shqipëri, pas shembjes së mureve rrethuese pasi At Danjeli nuk dispononte asnjë lloj dokumenti identiteti të shtetit shqiptar, ndërsa nga ana tjetër sigurimi i shtetit kishte arritur deri sa ta çregjistronte që të mos figuronte si shqiptar, dhe ndofta sikur të mos ishte ndihma e ambasadorit të Vatikanit Pandeli Pasko, At Danjeli zor se do të ishte lejuar të kthehej në Shqipëri pasi nuk kishte asnjë dokument që vërtetonte se ai ishte shtetash i Shqipërisë.

Mbresëlënës, emocionues, ngushëllues deri në pikëllim ishte kthimi i tij në Shqipëri. Atë ç’mund të ndjejë një i verbër kur i rikthehet dritra e syve, atë ndjeva edhe unë sot kur m’u kthye e drejta të shkeli tokën e atdheut tem, të marr frymë në ajrin e pastër të Shqipërisë teme, të pi ujin e kristaltë të gurrave të vendlindjes sime në Theth të mohuara nga sinonimi i së ligës.

U mallëngjye, rrëfejnë klerikët që e pritën, kur erdhi në Shkodër Locen e tij dhe nuk gjeti as Fishtën dhe asnjërin nga vëllezërit e mëdhenj të Urdhërit Françeskan. U ngashërye dhe shpërtheu në vaj kur nuk gjeti dot as varret e tyre sa për t’u vënë një tufë lule tek kryqi i varrit për të cilin ishin flijuar amshueshëm.

U pikëllua deri në trishtim kur pa me sytë e vet degradimin deri në shpërfytyrim të shqiptarëve bashkëkohorë, ndërsa për mënxyrën e ’97-ës tha: “Edhe ata që do të lindin pas 2-3 brezash do të jenë kokë ulur përpara historisë”. Italianët nuk deshën ta linin të vinte në Shqipëri për shkak të shëndetit të rënduar, por forca e amanetit triumfoi mbi moshën e thyer e kohën e trazuar. At Danjeli do të deklaronte tani e ndjej veten vërtetë si në parajsë, gjithë jetën e çova në purgator duke pritë këtë çast fatlum. Evroperëndimorët me syzet e errëta çuditeshin si ka mundësi qënga viset më shkëmbore të një vendi të vogël si Shqipëria të dilte një personalitet i këtyre përmasave, me një kulturë aq të gjerë sa me zili ishin të detyruar ti heqnin kapelen.

Italianët thoshin, ja ku e keni kardinalin ju shqiptarët.

E kam dëgjuar me veshët e mi, e kam shkruar me karbon dhe kam gozhduar mirë në kujtesë tek po debatonte me disa intelektualë dhe të moshuar nga Dukagjini, të cilët mallkonin ata të paudhë që me punët e liga po ja nxijnë faqen Dukagjinit e për fatin e tyre të keq quhen si plangprishësit e Shkodrës. O vëllezër, unë po shoh me sytë e mi sa poshtë ka ra emni i fisit të shqiptarit, por ju e dini mirë se ujë i turbullt ngre pezull kalbsucat e plehrat, por po ua them se as shqiptarët në Evropë as malësorët në qytete nuk janë si rreklamohen as nga fobizmi evropian as ai qytetas këtu.

Në qoftë se ka një traditë të pastër atdhetare, në qoftë se ka mbetë ndonjë fije burrnie në vatrën e shqiptarit, ajo gjendet së pari në dejet e dukagjinasit, i cili asnjëherë as me hiri as pa hiri nuk u divorcua me Jezusin. Ndërsa refugjatëve të parë që shkelën në Apenin At Danjeli në vitin 1991 u dha këtë këshillë. Refugjatët shqiptarët që kanë kaluar nëpër duar të mija deri në vitin 1991 janë me mija, u kam thanë gjithmonë: Secili prej jush në mërgim mban me veti kombin e Shqipnisë, të cilin bota ka me njoftë nëpërmjet jush. Po i latë nder vedit, i keni lanë nder vendit e kombit, po u shnderuet keni shnderue Shqiprinë e shqiptarët. Këtë parim e kam ndjekë për vedi dhe jam mundue si shqiptar, e sidomos si meshtar françeskan, mos mej lanë dangë Kombit, fisit, as petkut që mbaj.

Kolegu i vuajtjeve dhe i besimit At Ambroz Martini në ligjëratën e përmotëshme mbi arkivolin e meshtarit u shpreh: “At Danjeli nuk u dorëzua kurrë përpara fatit të keq. Me forcën që i jep Krishti, ai vuri në jetë karizmat e tij, karizma hiri, karizma inteligjence. Ai jetoi në tunelin e zi të shpresave të humbura, pa i humbur këto shpresa, me sigurinë se shpresa e Krishtit është më e fuqishme se çdo tirani. At Danjel Gjeçaj ishte luftëtar i përjetshëm i kryqit dhe i çështjes kombëtare shqiptare, idealist i idealit të Shqipërisë Etnike që së bashku me nënë Terezën ishin zërat më të fuqishëm të kauzës shqiptare në botë.

Prelë Milani