Associated Press, reportazh në malet e jugut – Projekti që synon të tërheqë turistë në fshatrat e largët të Shqipërisë

Lart në malet e Shqipërisë jugore, një rrugëtim lëkundës përgjatë një shtegu të thyer me kthesa të forta që frekuentohen më shumë nga dhitë se nga makinat, na drejton tek një grumbull fshatrash të vegjël, ku koha duket se ka ndenjur e palëvizur për dekada.

Qumështi i deleve dërgohet ende me gomar te baxhoja pranë. Banorët e plakur të fshatit ngjisin malet për të mbledhur grushta me rigon të egër dhe barëra të tjerë. Ritualet e vjetra të ndezjes së qirinjve për të nderuar të vjetrit, lisat e shenjtë mbahen gjallë, megjithëse askush nga ata që i praktikojnë nuk e dinë se pse apo nga se kanë nisur.

I dalë jashtë nga një shkëmb i thepisur pas një kalaje të vjetër të shembur, fshati i Nivicës është i njohur për pak veta edhe në Shqipëri. Por një projekt ambicioz synon ta hapë për botën e jashtme dhe për turistët që duan të zbulojnë bukurinë spektakolare natyrale dhe jetën rurale të një prej pjesëve më të izoluara të vendit.

Nis kështu reportazhi i “Associated Press” për projektin e Nivicës, i cili synon të tërheqë turistë në fshatrat e izoluar të vendit. Gazetarja Elena Bacatoros, shefe e zyrës së kësaj agjencie për Europën Juglindore, shoqërohet në këtë udhëtim nga Auron Tare, kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

“Po bëjmë një projekt pilot mbi konceptin se si të lidhin komunitete rurale shumë pranë bregdetit, por që nuk janë ndihmuar kurrë nga turizmi bregdetar”, thotë Tare.

Tërheqjet e zonës janë të shumta. Burime të kristalta kalojnë përmes kanioneve dhe luginave që presin horizontin. Ura të vogla prej guri nga periudha otomane ende harkohen mbi luginat, të paprekura prej shekujsh. Në perëndim barinjtë i drejtojnë tufat për nga fushat me vathë të vogla për t’i mjelur.

Dhe si çdo gjë në Ballkan, rajoni është i zhytyr në histori.

“Këtu sheh njerëz që mjelin delet dhe dhitë e tyre si para 4 mijë vjetësh. Sheh njerëz në jetën e tyre të përditshme baritore, e cila është jashtëzakonisht tërheqse për njerëzit që e kanë humbur këtë trashëgimi dhe mund të vish këtu për të gjetur atë ndriçim shpirtëror në jetën tënde”, rrëfen Tare.

Për momentin vizitorët janë kryesisht të rinj me çanta shpine nga vendet europiane, të cilët udhëtojnë përgjatë shtigjeve të lashta dhe kanë ngritur kamping në një fushë fare pranë fshatit.

“Ky fshat, mund të themi se është i fshehur thellë në male”, thotë Lorena Sinatrakaj, një arkeologe 29-vjeçare që punon me projektin.

Kur erdhën drejtuesit e projektit, ajo rrëfen se ata gjetën një fshat të bazuar në agrikulturë dhe rritjen e kafshëve. Turizmi ishte një koncept alien, ndërsa fshati ishte në një gjendje të përgjithshme rrënimi.

Grupi i arkeologëve i tregon reporteres për planin e ringritjes së këtij fshati, i cili fillimisht kishte të bënte me pastrimin e mbeturinave, ndërtimin e një shtëpie pritëse që përfundon pranverën e ardhshme, restaurimin e ndërtesave të vjetra për të shërbyer për pritje, si edhe të ndihmuarit banorët e zonës të ndërtojnë biznese fjetjeje dhe ngrënieje në shtëpitë e tyre.

“Më vjen mirë që fhati ka ardhur sërish në jetë. Më përpara të gjithë ishin larguar”, thotë Dallëndyshe Merio, një banore e zonës që u larguar dy dekada më parë për të jetuar në Vlorë. Tashmë ajo ka konvertuar një nga dhomat në shtëpinë e saj për mysafirët që paguajnë. Kur ajo pa se sa mirë funksionoi sistemi me mysafiren e saj të parë, një gjermane, ajo rinovoi një dhomë të dytë dhe tani ka një biznes të vogël bed and breakfast.

“Njerëzit po vijnë dhe po rindërtojnë”, thotë ajo.

Por rreziku i të hapurit shumë shpejt ndaj turizmit është real. Kjo është një gjë që Tare dhe Sinatrakaj e dinë mirë. Ndaj synimi, sipas tyre, nuk është ta kthejnë Nivicën në një vend ku ture me autobusë zbarkojnë qindra turistë, pasi diçka e tillë do të thërrmonte qetësinë e zonës dhe do të rrezikonte mënyrën e jetesës.