Artan Fuga: Çfarë po ndodh me institucionet tona?

Ditët dhe muajt e fundit, qytetarët shqiptarë po ndjekin, aq sa kanë vullnet, kohë  dhe perceptim, debatet e politikanëve mbi reformën në sistemin e drejtësisë. Edhe nga dështimi i takimit të fundit Basha – Rama, duket se, problem themelor është ai sesi do të emërohen ata që do ta drejtojnë makinën e institucioneve të së drejtës, pra në këtë rast të organeve të prokurorisë dhe të gjyqësorit.

Kushtetuta duke na përcaktuar një regjim republikan, e papërpunuar dhe si e gdhendur me spatë e jo me daltë sikurse është, instancat drejtuese ose përbërëse të disa nga institucionet dhe agjencitë publike, kushtetuese ose jo, i ka pas lënë ose i le të caktohen nga Kuvendi. Dihej se Kuvendi duke qenë i ndarë në grupe politike, bën që këto agjenci të politizohen sepse drejtuesit dhe anëtarët përbërës të tyre, në fund ndikohen kryekëput nga partitë politike. Pushtetet janë të ndara nga njeri tjetri në Shqipëri, por të gjitha varen nga partitë politike. I ndan kushtetuta dhe i bashkon partia politika si organ jo kushtetues. Në luftën mes partive politike për pushtet, nisur edhe nga motivet e partnerëve ndërkombëtarë për ta depolitizuar qeverisjen, çka është baza e fillimit të një shteti të së drejtës, duke e hequr formulën e emërimeve nga Kuvendi, nga ministritë etj., nuk po dinë ku me e gjet legjitimitetin e emërimeve të atyre që do të drejtojnë sot përbëjnë organet drejtuese të mjaft institucioneve.

Gjendja është bërë kaotike dhe preh e improvizimeve dhe e një përqasjeje amatore. Çfarë do të bëjmë ta zëmë me këshillin drejtues të Radiotelevizionit publik? Le të propozojnë organizata të ndryshme dhe Kuvendi pastaj i voton. Rezultati? Sigurisht që ky organ në momentet e zgjedhjeve të mëdha, sikurse tregon historia do të veprojë sipas ndarjeve politike që kanë votuar anëtarët. Kush do ta drejtojë Akademinë e Shkencave? Ka propozime të shkruara në letër dhe janë krejt të jashtëligjshme sikur do të duhen ta drejtojnë një forum me akademikë, deputetë, ministra, etj. Çfarë përzierje absurde? Kush do t’i drejtojë universitetet publike? Ata që do të zgjidhen, por edhe ata që do të caktojë ministria duke shtuar edhe biznesmenë. Çfarë lidhjeje me njëri- tjetrin?

Dhe tani si do të emërohen prokurorë dhe gjykatës!!! Dokumenti parashikon që këshilli e emërimeve, i përzgjedhur nga gjithë prokurorët apo gjykatësit, zgjedh këshillin që do të luajë rolin e instancës drejtuese të institucioneve. Këta marrin propozime për disa anëtarë nga shoqata a profesione të ndryshme, të cilët aprovohen nga Kuvendi. Hajde dreqin e vet gjeje se nga e marrin pastaj legjitimitetin gjyqtarët, prokurorët, hajde gjeje pastaj se ku e gjejnë legjitimitetin ata që vlerësojnë punën e tyre. Nga shoqatat, nga vetë personat e zgjedhur, nga kuvendi, nga këshilli i emërimeve, nga këshillat përkatës, nga?

Pse duhet të jetë një noter medoemos në këshillin e prokurorisë? Një profesion privat. Çfarë lidhje ka noteri me prokurorinë ta zëmë? Çfarë lidhje ka më shumë një noter me prokurorinë sesa një bukëpjekës, shofer taksie, berber a ku e di unë se çfarë zanati tjetër? Pastaj edhe një avokat? Avokat? Po çfarë do të përfaqësojë ai atje Shoqatën e Avokatëve? Po prokurori në gjyq me avokatin do të përleshet, si mund ta kontrollojë institucionalisht shoqata e avokatëve emërtesat e prokurorëve??? Avokati ta kontrollojë po të dojë prokurorin në sallën e gjyqit. Jepini të drejta më të mëdha avokatit në procesin gjyqësor dhe e mbaruat këtë punë.

Pastaj duhen edhe dy mësues, një nga fakulteti i drejtësisë dhe një nga shkolla e magjistraturës. Pse çfarë përfaqëson ky. Përfaqëson kontrollin e dijes mbi prokurorinë?  Di si kanë dalë me nota prokurorët kur kanë qenë në shkollë? Po ka regjistra për këtë. Shih notat dhe vlerësimet dhe mbaron punë. Shkolla nuk ka legjitimitet të vendosi mbi organizimin e personelit të drejtësisë. Pastaj edhe një nga shoqëria civile!!! A ky po! Ky e qan fare. Çfarë do të përfaqësojë ai? Shoqërinë civile!!! Po shoqërinë civile o qesharakë e përfaqëson kuvendi në pushtet. E përfaqësojnë deputetët. Gjoja emërimet do të propozohen nga agjenci të ndryshme. Po kush u jep atyre legjitimitet për një funksion që nuk e kanë??? Kush përcakton që ata tipat që do tê zgjidhen të përfaqësojnë shoqata, grupe interesi, apo profesione? Ne po shkojmë kështu drejt korporatizmit mesjetar. Nuk kam gjë kundër tij, por nuk bashkëjeton dot me partitë politike.

Çfarë do të përfaqësojnë këta individë? Veten e tyre, shoqatën nga kanë dalë, kuvendin që i zgjedh, apo presidentin që i emëron, apo këshillin e emërimeve që i çon te presidenti? Gjithçka do të bëhet kashtë e koqe. Si të gjitha mekanizmat e drejtimit të agjencive të tjera publike.

Dhe këta drejtues do të zgjidhen me shumice nga korporata e tyre. universitarët drejtohen nga universitarë, gjykatësit nga gjykatës, prokurorë nga prokurorë, me zgjedhje, përkohësisht. A nuk i hap kjo rrugë trafikut të influencave dhe politikave drejtuese nuk u imponon një sjellje elektoraliste? Mos e prish me askënd se do t’i kërkosh votën! Sikurse politika që gjithçka e bën në funksion të marrjes të votave me çdo kusht, me hir a me pahir, me bindje a me lekë, a ryshfete. Korporatizimi pa bazë meritën, me anë të trafiqeve elektoraliste, duke dëmtuar sistemin drejtues të institucioneve e ka futur vendin në stagnacion. Nuk bëhen këto zgjidhje sipas qejfeve politike apo sipas eksperteve kukulla që të shohin në sy e të thonë : Si ma ke qejfin shef!!! Duhet zgjidhje mbështetur te sociologjia e burokracisë, e institucioneve, e agjencive, po kush pyet për të se? Këta e shohin hënën si dashnorë, pa teleskop, me sy të lirë, shtrirë në bar.