Arshi Pipa një nga veprimtarët më të shquar të dijes dhe trashëgimisë letrare shqiptare

Nga Albert Vataj

Arshi Pipa padyshim që është një nga veprimtarët më të shquar të dijes dhe trashëgimisë letrare shqiptare. Ai gjithashtu hyn në radhën e martitëve të fjalës së lirë, në radhën e atyre që ngadhënjeu mbi diktaturën dhe formave më mizore që ai regjim shpiku për të nënshtruar dhe mbajtur nën mbikqyrje çdo vullnet dhe energji përtëritëse forcash dhe potencimesh krijuese. Gjatë dhe pas kalvarit të kuq, Arshi Pipa pati një aktivitet të ngjeshur ku hyjnë poezitë, përkthimet, studimet albanologjike dhe kritikat. Kudo ku ai dha një kontribut, ajo mbeti një punë dhe vepër dinjitoze që përfaqëson atë dhe kauzës së cilës ai i’u kushtua.

Poezi

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959. Punë e burgut është edhe “Rusha” botuar në Munich, 1968. Më 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, një përzgjedhje nga botimet e mëparshme dhe disa poezish të pabotuara, si p.sh. “Preludet”, shkruar në Firence dhe Tiranë më 1941.

Përkthime

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njëvjeçare që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësuara me shënime të ndryshme metrike), mbetur në dorëshkrim. Po ashtu, mbetur në dorëshkrim, është edhe një vëllim poetik i shkruar në tri gjuhë evropiane me titull “Autobiografia”.

Albanologji dhe kritikë letrare

Veprimtari të gjerë ka lënë në hapësirën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vitëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, botoi veprën “Trilogia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ”, vepër rreth 900 faqesh me përsiatje albanologjike origjinale.

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Fortino Italo Costante, ka thënë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban një kontribut të parë… për një rend të ri që duhet të vendoset në letërsinë dhe në radhë të parë, në kritikën letrare”.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botuar në shtypin e huaj si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

Ka botuar artikuj studimorë për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botuar në revistat e huaja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Vepra më e vyer në këtë lëmë “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyer në italisht dhe shqip. Me këtë vepër, e rreshtoi veten ndër studiuesit botërorë të këtij subjekti, d.m.th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vënjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales.

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashëgimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtura në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj. Ka lënë dorëshkrim veprën filozofike “La mia concezione sulla vita”.

Një kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikës dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut përgatiti një vepër me materiale folklorike të mbledhura nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikuara, me një hyrje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzua Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botuara në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i është kthyer përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botuar më 1984 në vëllimin “Studies on Kosova”.

Në veprën “Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mbërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk është as e njësueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo është një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipëri, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetur shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në larmin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vitin 1944, kur Shqipërija vuante nën pushtimin e huaj, në një moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë ate gjithnjë më vonë, kur do të shkruaj veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës ravijëzoheshin kulmet e letërsisë e të kulturës shqiptare si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetur edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkruar për Konicën e dëshmon atë si një kritik të kategorisë së parë. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Më 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Ëashington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i rëndësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Breë, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshiu , me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Kjo është pak a shumë ajo që përfaqëson Arshi Pipën veprimtar dhe krijues, Arshi Pipën figurë të rëndësishme të vetëdijes kombëtare shqiptare.