Arrestimi i tatimorëve, Edi Rama: I madh e i vogël të ngremë krye ndaj këtij soji

Kryeministri Edi Rama përmes një tjetër statusi në faqen e vet në Facebook ka ftuar qytetarët që të ngrenë krye ndaj padrejtësive që u bëhen nga punonjësit e administratës publike.

Duke iu referuar rastit të dy tatimorëve të arrestuar pasi u denoncuan nga një biznesmene tek profili i tij në FB Rama shprehet se, ‘i madh e i vogël, të ngremë krye ndaj këtij soji’.

“Dje më dërgoi një mesazh një zonjë e torturuar nga këta grabitqarë! Asnjë fjalë tjetër nuk i përcakton dot besnikërisht këta “hetues tatimorë”, të cilët me aktin dhe paraqitjen e tyre të sjellin stomakun në fyt! Këta janë Armiku Publik Nr.1 i popullit shqiptar sot dhe i madh e i vogël, duhet të ngremë krye kudo dhe kurdo na dalin përpara…

I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre. E cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t’ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin.

Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër.

Po punojmë pa pushim për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe Platformën online të Bashkëqeverisjes, e për ta filluar ushtrimin e mandatit me çeljen njëkohësisht të regjistrimeve të anëtarëve të koalicionit nga e gjithë Shqipëria, pa dallim bindjesh politike. Kjo s’është punë që bëhet thjesht me sms kryeministrit, po me një presion të papërballueshëm, total, orë e minutë të koalicionit për Shqipërinë që Duam mbi Armikun Publik Nr.1”, shkruan Rama në FB.