Arrestimi i katërt për financimin e paligjshëm të fushatave zgjedhore në SHBA

Një person i katërt është arrestuar në lidhje me çështjet e financimit paligjshëm të fushatave zgjedhore federale që përfshijnë dhe dy bashkëpunëtorë të avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani.

Autoritetet federale njoftuan se biznesmeni amerikan David Correia u arrestua të mërkurën në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut. Ai kishte mbërritur aty me qëllimin për t’u vetëdorëzuar.

Arrestimi i tij e çon në katër numrin e të pandehurve që janë arrestuar nën akuzat federale se kanë kryer me qindra mijëra dollarë kontribute të paligjshme në fushatat republikane, përfshirë dhe ndaj një komiteti për veprim politik pro-Trump.

Biznesmeni me origjinë nga Ukraina, bashkëpunëtor me zotin Correia, Andrey Kakushkin, u arrestua javën e kaluar në Kaliforni.

Fillimish u arrestuan dy bashkëpunëtorët e zotit Xhuliani.

Dy biznesmenët me bazë në Florida, të cilët dyshohet se kanë lobuar për largimin e ish-ambasadores amerikane në Ukrainë vitin e kaluar, ishin parashikuar të dëshmonin përpara ligjvënësve që po hetojnë lidhur me shkarkimin e presidentit në kohën e arrestimit të tyre.

Lev Parnas, një qytetar amerikan i lindur në Ukrainë dhe Igor Fruman, një shtetas me origjinë nga Bjellorusia, u arrestuan nga FBI-ja në aeroportin Ndërkombëtar të Dulles-it në shtetin e Virxhinias ndërsa prisnin të largoheshin nga SHBA-ja, sikurse tha një zyrtar i zbatimit të ligjit. Ata dolën përpara një gjykate federale në Alexandria të Virxhinias të enjten e kaluar.

Akuzat ndaj biznesmenëve rrjedhin nga një ankesë e paraqitur vitin e kaluar në Komisionit Federal të Zgjedhjeve nga një organizatë e pavarur sipas të cilës ata kishin krijuan një kompani fantazëm në mënyrë që të transferonin paratë e fushatës tek komiteti politik pro-Trump të quajtur America First Action. Aktakuza prej 22 faqesh duket se konfirmon gjetjet e Qendrës Ligjore mbi Fushatat.

Sipas aktakuzës zoti Parnas dhe zoti Fruman përdorën kompaninë Global Energy Producers (GEP) për t’i kaluar 325 mijë dollarë komitetit politik pro Trump në maj 2018, dhe 15 mijë dollarë një tjetër komiteti politik. Zoti Parnas kishte paguar edhe 50 mijë dollarë për përpjekje për zgjedhjet e zotit Trump në 2016-n.

Zoti Kukushkin dhe zoti Correia përmenden gjithashtu në aktakuzë lidhur me një tjetër skemë të shkeljes së ligjit për financimin e fushatave zgjedhore.

VOA