Aretha Franklin, mbretëresha e muzikës soul vdiq në moshën 76-vjeçare në një betejë të humbur me kancerin

Shuhet Aretha Franklin një nga zërat më të mëdhenj të muzikës botërore. Mbretëresha e muzikës soul vdiq në moshën 76-vjeçare në Detroid. Agjensitë e ndryshme të lajmeve nga qyteti ku ajo jetonte njoftuan tri ditë më parë se këngëtarja, sipas të afërmve të saj ishte rëndë.

Që prej vitit 2010 kur u diagnostikua me kancer në pankreas, Franklin ka qenë e rezervuar në daljet publike. Në prill të këtij viti pas rekomandimit të mjekëve, këngëtarja anuloi turin e koncerteve, duke lajmëruar tërheqjen, por jo mbyllje përfundimtare të karrierës.

Shfaqja e fundit e Mbretëreshë së soul-it ishte në nëntor në një mbrëmje Gala për Elton John Aids Foundation; dhe po atë muaj publikoi albumin e ri me titull “A Brand New Me”.
Lajmin për ndarjen nga jeta e dha Sky News duke cituar agjentin e saj Gwendolyn Quinn.

Ikona afro-amerikane, me një karakter dhe personalitet të fortë lindi në Memphis më 25 mars 1942 dhe u shndërrua në një prej zërave më imponues të shekullit të kaluar. Janë të paharrueshme këngët si Natural Woman, I Say a Little prayer apo Respect.

Aretha ka qenë ende aktive duke performuar së fundmi (vitin e kaluar), por verën e 2017 ajo u detyrua të anulonte një seri koncertesh, për shkak të “urdhrave të doktorëve”. Performanca e saj e fundit është regjistruar më 2 nëntor të vitit 2017, për fondacionin “Aids” të Elton Johnit në Nju Jork.

Performanca e fundit përpara publikut, ndërkohë është mbajtur në “Mann Center” të Philadelphias, në gushtin e vitit të kaluar. Në fillim të atij viti, ajo do të bënte të ditur se 2017 do të ishte i fundit aktiv i saj.

“Do të vazhdoj të regjistroj muzikë, por ky do të jetë viti im i fundit nëpër koncerte”, njoftoi ajo gjatë një interviste radiofonike në shkurt të vitit të kaluar.

Ikona e muzikës “soul” ka vuajtur përgjatë gjithë jetës së saj nga problemet me peshën, ndërsa është përballur edhe me alkoolizimin, por edhe me duhanpirjen.

Edhe pse vijonte të jepte performanca të magjishme në të 70-at e saj, superylli kishte anuluar në disa raste disa të tilla për shkak të trajtimeve mjekësore të pazbuluara në publik. Megjithatë, ajo ka mohuar ta ketë luftuar tumorin në pankreas gjatë vitit 2011, edhe pse të 3 vëllezërit apo motrat e saj kanë qenë prè e tumoreve.

Vëllai i saj Cecil, i cili ishte edhe menaxheri i saj, ndërroi jetë nga tumori në mushkëri në dhjetor të vitit 1989. Motra e saj Carolyn u nda nga jeta një vit më herët, në prill të 1988 nga tumori në gji, ndërsa motra më e madhe, Erma humbi jetën në shtator të vitit 2002 nga turmoi në fyt.

Karriera legjendare e Arethës ka ndihmuar në shkrimin e historisë amerikane. Ajo ka performuar në funeralin e Martin Luther King Jr. në vitin 1968, ndërsa i ati i saj kishte organizuar një nga marshimet më të mëdha për barazi racore në Detroit, aty ku Luther Kingu do të jepte për herë të parë fjalimin e titulluar “Kam një ëndërr”. Por, kur iu drejtua kombit dy muaj më vonë nga Uashingtoni, në vitin 1963, turma do t’ia kalonte asaj të regjistruar në Detroit.

Aretha ishte e para femër e përfshirë në Hollin e Famës së “Rock and Roll”-it në vitin 1987, ndërkohë që ka kryesuar edhe listën e “artistëve më të mirë të të gjitha kohërave” të “Rolling Stones”.

Ajo ka fituar 20 çmime “Grammy” gjatë karrierës së tij, përfshirë edhe 3 nderime speciale: çmimin e legjendës (1991), çmimin e arritjeve jetësore (1994) dhe personi i vitit nga “MusiCares” në vitin 2008.