ARABI SAUDITE/ Donald Trump dhe mbreti saudit diskutojnë situatën në Siri dhe armatimin

RIAD, 20 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump dhe mbreti saudit Salman diskutuan sot lidhur me situatën në Siri, tregtinë e naftës dhe armatimin, pas një pritjeje madhështore që iu rezervua Trump në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, në nisje të turit të tij të parë të vizitave zyrtare jashtë vendit si president i SHBA-së.

Në një bisedë të shkurtër pas kafesë tradicionale me kardamon aromatik, të dy liderët diskutuan lidhur me naftën, burimet natyrore dhe armatimin.

Monarku saudit Salman, 81 vjeç, dhe Trump, 70 vjeç, diskutuan gjithashtu edhe lidhur me situatën në Siri dhe luftën kundër Shtetit Islamik.

Duke iu referuar regjimit sirian, mbreti saudit iu shpreh presidentit amerikan se Siria ishte dikur njëri prej vendeve më të përparuara të rajonit, derisa “ata shkatërruan vetë vendin e tyre”.

Mbretëria saudite mbështet rebelët, të cilët luftojnë kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, që prej fillimit të kryengritjes, fillimisht me protesta, në vitin 2011.

Arabia Saudite vlerësoi administratën e presidentit Trump për sulmet me raketa të muajit të kaluar kundër bazës ajrore Shayrat në Sirinë Qendrore, nga ku mendohet se është ndërmarrë një sulm me armë kimike, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 80 civilëve të pafajshëm.

Presidenti Trump mbërriti në mbretërinë e pasur me naftë të shtunën, në një vizitë dy-ditore që synon të forcojë partneritetin me botën islamike kundër terrorizmit.