Anulohet takimi i së shtunës Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Takimi i paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të mbahet.

Planeve u dha fund Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë me publikimin e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të enjten në Bruksel se për shkak të këtyre zhvillimeve do të kthehet në shtëpi për t’u përballur me situatën e krijuar.

Unë në konsultim me ambasadorin (Richard) Grenell i kam propozuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditën e djeshme“, tha ai.

Ambasadori Richard Grenell konfirmoi në një gjë të tilla në rrjetin twitter në të cilin shkroi se e kupton vendimin e kryeministrit Hoti dhe “po presim që të ripërcaktojmë takimin së shpejti”.

Të mërkurën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që ishte rrugës për në Shtetet e Bashkuara anuloi pjesëmarrjen pas publikimit të njoftimit të prokurorisë.

Nuk ka pasur ndonjë koment të presidentit Thaçi, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, të mërkurën mbrëma e cilësoi veprimin e prokurorisë, si të pashembullt dhe përpjekje për rishkrim të historisë.

Institucione e parti politike reaguan gjerësisht ndaj njoftimit ndërsa reagime pati edhe ndër qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës:

Është mirë që ai të paraqitet në gjyq, e të vërtetojë atë të vërtetën a është fjala për diçka që nuk ka kryer apo diçka që ka kryer. Ai që ka kryer vepra sigurisht duhet të përgjigjet. Unë besoj që është mirë që një herë të dilet dhe të pastrohet kjo punë në mënyrën më të drejtë, le të vërtetohet se njerëzit dëshirojnë ta dinë të vërtetën”, tha Mehmet Neziri.

Për Gafurr Ajvazin “nuk është hiç mirë. Uroj të mos bëhet luftë e të bëhet paqe dhe mirë sepse këtë e ka kurdisur dikush. Jo vetëm kundër Thaçit, por është shumë keq që UÇK-ja po bie viktimë kurse agresori po bëhet paqësor. Të gjykohet vetëm populli shqiptar askund kështu nuk ka”, tha ai.

Mendoj se është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj, pastaj momenti aktual kur pritej që të zgjidhet një problem madhor në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ky është një indikacion që na shtyn të mendojmë se vërtetë nuk ka drejtësi, sikur nuk po duan ta stabilizojnë këtë problem ballkanik po them ashtu“, tha Osman Vitia.

Analistët në Kosovë e cilësojnë situatën e krijuar pas publikimit të akuzave si ndër më të vështirat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për analistin e Grupit të Ballkanit për hartimin e politikave, Naim Rashiti, publikimi lidhet drejtpërdrejtë me takimin e paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell.

Po absolutisht. Ka kohë që Kosova është bërë peng i një konflikti të vendeve të BE-së ose akterëve të BE-së me SHBA-të dhe dikush e përdori këtë për një moment të caktuar, jo për ta sulmuar Kosovën domosdoshmërisht se lënda apo aktakuza ka qenë në proces, kështu që ajo do të kishte ardhur pas disa muajve, por kryesisht për tu atakuar me SHBA-të, dhe Kosova edhe një herë u përdor si levë për këtë konflikt me njëri – tjetrin“, tha zoti Rashiti.

Analisti i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, Labinot Greiçevci, instituti i të cilit ka nxjerrë disa studime për përmbylljen e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi, thotë se veprimi i prokurorisë duket më shumë ndërhyrje politike sesa çështje e drejtësisë.

Momentumi kur është publikuar kjo kumtesë është një momentum delikat politik dhe këtu më shumë më ngjan në njëfarë lloj beteje ndërmjet akterëve ndërkombëtar sa i përket procesit të dialogut Kosovë – Serbi sesa një procesi të vërtetë juridik, gjyqësor i cili do të mund të fillonte ndaj personave që përmenden në atë kumtesë më shumë politike sesa e aspektit juridik“, tha ai.

Analistët parashohin dëme të mëdha për Kosovën me situatën e krijuar.

Fillimisht dëmi i parë është që kemi një stopim të procesit të dialogut Kosovë Serbi dhe padyshim që ky proces nuk do të mund të rifillojë në një të ardhme të afërt nëse do të kemi edhe aktakuzat e para në këtë proces të konfirmuara nga gjyqtari i procedurës paraprake në dhomat e specializuara në Hagë. Pastaj pasojat do të jenë afatmesme, afatgjata për Kosovën sepse Kosova po bëhet faktikisht një lloj fushëbeteje ndërmjet akterëve të ndryshëm ndërkombëtar dhe Kosova po viktimizohet në tërë këtë proces, në këtë fushëbetejë të madhe ndërkombëtare. Kështu që ky proces me gjasë do ta ngadalësojë edhe ritmin e zgjidhjes përfundimtare të relacioneve Kosovë – Serbi, por do të kontribuojë në vazhdimin e status quo-së brenda Kosovës që me fjalë të tjera, nënkupton stagnim e moszhvillim ekonomik, politik e social në Kosovë, pra është me pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës“, tha Zoti Greiçevci.

Besoj që do të jetë shkundje për pavarësinë sepse do të vendos në pikëpyetje themelin e saj, luftën, lirinë dhe betejën 30 vjeçare për pavarësi. Mirëpo, ky është obligim ndërkombëtar i paevitueshëm dhe këtu duhet një politikë e re. Po të kishte qenë Kosova anëtare e OKB-së dhe në procese integruese, do të ishte menaxhuar shumë më lehtë, por Kosova është gjysmake ndërkombëtarisht, është në një konflikt të hapur e pazgjidhur me Serbinë, një marrëdhënie tepër të rëndë me BE-në dhe brenda saj ende e pazhvilluar. Tani, në këtë situatë nuk do të kemi dialog me Serbinë, nuk do të kemi zgjidhje me Serbinë sepse do të përdoret për ta dobësuar Kosovën, BE-ja do të jetë edhe më refuzuese ndaj Kosovës dhe zhvillimi i brendshëm do të jetë më i ngadalshëm“, tha zoti Rashiti.

Ndër çështjet që mbeten të hapura është edhe ajo se cilat do të jenë zhvillimet e brendshme politike në Kosovë pas publikimit të akuzave që duhet të konfirmohen apo të hidhen poshtë brenda gjashtë muajsh, që nga ngritja e tyre më 24 prill të këtij viti.

VOA