Anton Pashku, ai që solli një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare

Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (fshat afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (fshat pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm – Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: Nën qarr po rrinte vasha, Floçka, Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur.Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani Oh ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut Sinkopa e Gof janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.

Por për çfarë shkruante dhe si shkruante Anton Pashku, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po sjellim dy tregime (poetike), që së bashku mund të përfshihen vetëm brenda një faqeje libri. Fjala është për tregimet “Në stuhi” dhe “Klithma”, që të dyja botuar në vitin 1957. Në të dy rastet bartësit e ngjarjes janë maksimalisht të reduktuar

Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Çështja bosht në rrëfimin romanor të Anton Pashkut është veçanërisht vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi. Shtresimin ironik gjatë gjithë rrëfimit, rrëfimtari do ta derdhë e ta përhapë tërthorazi, e jo si deklarim të qëllimshëm dhe moralizues. Reflekset ironike dhe aludive përjetohen drejtpërsëdrejti nga lexuesi dhe janë më mbresëlënëse se një fotografi e gjallë e një realiteti absurd. Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare. Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut që përbën tharrmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon parreshtur lexuesin që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor.

Titujt e veprave

Tregimet, Jeta e re, Prishtinë, 1961

Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965

Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968

Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969

Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971

Kjasina, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973

Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976

Lutjet e mbrëmjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978

Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë, 1982

 

Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:

 

Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986

Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986

Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986