Antifashisti që nderoi Malësinë e Madhe dhe gjithë Shqipërinë

Nga Adem Kurtulaj*

Për shumë arsye, në Qarkun e Shkodrës, Lufta Nacionalçlirimtare nuk mori atë hov e përhapje si në disa zona të tjera të Shqipërisë. Megjithatë, çeta e parë partizane e këtij qarku është ndër të parat në Shqipëri, krijuar në Malësinë e Shkodrës që në pranverë të vitit 1942 dhe aktet e njësiteve guerrile në qytetetin e Shkodrës kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre ka qenë ndër më të spikaturit. Jo rastësisht Shkodra zë vendin e dytë në Shqipëri për numrin e Heronjve të Popullit të Luftës Nacionalçlirimtare. Tashmë kanë hyrë në histori aktet heroike të Tre Heronjve të Shkodrës, Heronjve të Vigut, qëndrimi heroik i shumë të internuarve në Prishtinë para pushkatimit etj. Nuk ka shqiptar të ndershëm që nuk preket kur lexon ato pak fjalë që ka shkruar një natë para pushkatimit një bir i denjë i Shkodrës, i cili një natë para pushkatimit shkruante: “Vritet nga gjermanët Nuri Bushati, 17 vjeç. Lulëzofsh Atdheu im”. Akt i radhë në historinë e luftërave kundër nazi fashizmit në Europë e më gjerë…

Por sot do të shkruaj për ngjarje të veçantë bese, trimërie e atdhedashurie ndodhur si sot 77 vjet më parë, natën e 18 tetorit 1942, në Reç të Malësisë së Madhe, në shtëpinë e Bejto Faslisë (Vukaj). Atë natë u rrethuan e luftuan jo vetëm partizanët që strehoheshin aty e burrat e shtëpisë, por e gjithë familja…

Në shtëpinë e tij strehoheshin Gjovalin Luka dhe Abdyl Bekteshi, dy ndër partizanët e parë të Qarkut të Shkodrës. Bejtos, që në takimet e para i kishin bërë përshtypje të veçantë këta dy partizanë, djem të rinj. Gjovalin Luka, djali i njërës prej familjeve më të pasura në Shkodër dhe Abdyl Bekteshi, bir i një familje të varfër, që kishin lënë Shkodrën, dhe me pushkë në krah, bashkë, pa u ndarë për asnjë moment,  shkonin sa në një fshat në tjetrin për të përhapur idetë e qëllimet e Luftës Nacional Çlirimtare. Me qëndrimin e tyre e kishin bërë për vete, aq sa ai e ktheu shtëpinë e tij në strehë e bazë kryesore për ta. Dhe jo vetëm shtëpia e tij, por i gjithë fshati Doç, ose më mirë të thuhet i gjithë Reçi u bë bazë e strehë e partizanëve. Pushtuesit italianë dhe bashkëpuntorët e tyre, duke njohur traditat patriotike të kësaj krahine, duke parë frymën antiitaliane të popullit të saj, mbështetjen e strehën që po u jepte partizanëve, për shkak të këtij fakti vendosi që në pranverë të vitit 1942 të ngrinte në Reç një postë komandë karabinjerie me përbërje italianë dhe shqiptarë… (Dua të vë në dukje se pushtuesit italianë e më vonë ata gjermanë nuk  kanë arritur të rekrutonin asnjë milic apo xhandar nga kjo krahinë, ashtu siç nuk kanë arritur të rekrutonin asnjë bashkëpuntor).

Reçi, shtrihet rrëzë Alpeve të Shqipërisë, në pjesën verilindore të Shkodrës dhe përbëhet nga 12 katunde të vogla apo lagje që në atë kohë numëronin rreth 300 shtëpi. Historikisht banorët e Reçit janë dalluar për patriotizëm e atdhedashuri (Bajraktari i Reçit, si përfaqësues i krahinës, ka qenë ndër pjesëmarrësit e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të v.1911, në Luftën e Koplikut të v.1920 etj. Në vazhdën e këtyre traditave, bij të Reçit në prag të pushtimit të shqipërisë nga Italia Fashiste, së bashku me patriotë të tjerë nga Malësia e Madhe zbritën në Shkodër dhe kërkuan armë për ta pritur pushtuesin me pushkë, por, sic dihet u tradhtuan nga ish Mbreti Zog dhe paria e Shkodrës… Sipas dokumenteve, krahas atyre që  u rreshtuan në kodrat e Durrësit për të pritur pushtuesin me luftë, ka pas përfaqësues edhe nga Reçi.  Bijtë të kësaj zone dezertuan në luftën italo-greke dhe u kthyen në shtëpitë e tyre.

Partizanët e parë shumë shpejt gjetën mbeshtetje, përkrahje e strehë në zonën e Reçit, e veçanërisht në katundin e sipërm, Doç.

Natën e 18 tetorit dy partizanët strehoheshin në shtëpinë e Bejtos. Megjithë insistimin e tyre për të fjetur jashtë shtëpisë, sic kishin bërë disa herë, me qenë se ishte kohë e keqe, me shi, Bejtoja nuk i la të dalin jashtë por i mbajti të flinin aty. Nga mesi i natës, forcat e Milicë Fashiste dhe të Karabinierisë, mbasi kishin rrethuar shtëpinë e Bejtos, i bëjnë thirrje të dorëzonte partizanët që kishte strehuar në shtëpi. Bejtoja, me atë zgjuarsinë e malësorit, për të fituar kohë për tu përgatitu e luftuar deri në frymën e fundit u përgjigjet se derën e hapim vetëm në qoftë se vjen kryeplaku i fshatit …

Mbasi bënë përgatitjet e duhura për të “ba deken si me le”, kur erdhi kryeplaku që ishte kushëri i Bejtos, ata kërkuan të hapnin derën e të dorëzonin partizanët, nga brenda u përgjigjen me pushkë. Brenda shtëpisë luftonin, Bejtoja, dy partizanët Gjovalion Luka e Abdyl Bekteshi, djali, Xhemali dhe Hysen Ymeri, nipi i Bejtos. Lufta ishte e rreptë dhe zgjati gjithë natën, deri deri afër mengjezit. Shtëpia e Bejto Faslisë u kthye në kala, ku nga brenda luftonin një grusht trimash, kundër disa dhjetëra forcave të pushtuesit e bashkëpunëtorëve të tyre….. që aq bukur e ka përshkruar shkrimtari  Kol Jakova: “Fjala e dhanë në kuvend/La me gjak ma mirë zen vend”, apo si ka kënduar poeti popullor “Ka nis e rrethohet/ Rreth e qark shtëpia/ Miku nuk dorëzohet/ Thrret Bejto Faslia/ Pushkët nuk i lëshojmë/ Topi nuk na lot/ Armikut ne ja shtrojmë/ Sofrën me barot”

Duke parë se qendresën e të rrethuarve, ata kërkuan ndihmë dhe përforcime. Ja si i shkruante Kuestori Pupa Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë: “Natën e kaluar në fshatin Reç (Doç), rreth 30 km. larg Shkodrës një repart i përbërë nga karabinierë rrethoi shtëpinë ku ishin ngujue disa të arratisun….Fill mbas kërkesës telefonike u nisën përforcime po atë natë nga kryeqendra e Milicisë Ushtarake që komandoheshin nga një kapiten i Karabinjerisë dhe dy oficerë të Milicisë…”. Por me gjithë përforcimet që u erdhën, ata nuk arritën të mposhtin trimat që luftonin të rrethuar nga të gjitha anët.

Sic ka qenë traditë në malësitë tona, burrat e fshatit Doç kishin bërë një lloj besëlidhje, që në rast se partizanët do të rrethoheshin në ndonjë prej shtëpive të katundit, të tjerët do ti shkonin në ndihmë dhe kështu ndodhi. Bashkëfshatarët e Bejtos, me zhurmë e britma sic ka qenë zakoni, qëlluan nga mbrapa shpine forcat e pushtuesit duke krijuar frikë e pështjellim në rradhët e tyre, të cilët, u shpërndanë të çorganizuar.

Duke përfituar nga errësira dhe çorientimi i armiqve, Bejto gjen rastin dhe ulet në ahurin e shtëpisë ku mbanin bagëtitë, hapë derën, lëshon bagëtitë dhe bashkë me dy partizanët, të birin dhe nipin, duke qëlluar në drejtim të armiqve çajnë rrethimin dhe që nga ky moment ata dolën malit për çlirimin e vendit.

Gjatë luftimit u vra vajza e Bejtos, Gjylije Bejto Vukaj, dëshmorja e parë e Veriut të Shqipërisë, për të cilën rapsodi do të këndonte me lahutë: “Gjaku i Gjyles aty ku ra/ Do bjerë shiu e s’ka me la/ Do bjerë dielli e s’ka me tha”.

Por edhe nga forcat e armikut u vra një karabinier…

Të nesërmen, forca të shumta italiane e bashkëpunëtorë të tyre për të krijuar frikë e terror arrestuan disa nga bashkëfshatarët e Bejtos dhe të lidhur dorë për dore i vunë para togës së pushkatimit për të treguar se kush i kishte ardhur në ndihmë Bejtos, dhe megjithëse kanë qëlluar me mitroloz mbi kokat e tyre, asnjëri nuk ka nxjerrë asnjë fjalë….

Për tu futur frikën malësorëve, ata nuk kanë lejuar as varrosjen e vajzës së Bejtos sipas zakoneve e traditave, por vetëm në mesnatë disa bashkëfshtarë e kanë varrosur afër shtëpisë, ndërsa gruan e Bejtos me tre fëmijë të vegjël i kanë  arrestuar e çuar në Koplik ku kanë filluar procedurat për ti internuar në Itali.

Fashistët mbasi grabitën pasurinë familjes së Bejtos, vendosën ti djegin shtëpinë. Sipas zakoneve e traditave, djegia e shtëpisë për malësorët ka qenë ndër dënimet poshtëruese e më të rënda. Fashistët, për dhunë e teror mblodhën bashkëfshatarët e Bejtos për të pa djegien “me ceremoni” të shtëpisë. Për të futur në ngatrresë bashkëfshatarët, thirrën një komshi të Bejtos dhe e urdhëruan ti vinte flakën. Në këtë kohë ka ndodhur një tepër kuptimplote. Në momentin që me pushkë mbi kokë, po detyronin bashkëfshatarin të hipte në shkallë (zjarrin do e vinin nga sipër, nga trarët e shtëpisë) një milic nga Dukagjini, i drejtohet atij, “ulu se nuk bën të djegësh shtëpinë e komshiut tënd” dhe i drejton pushkën. Oficeri që drejtonte operacionin i thotë vazhdo, fshatari i shkretë, i mbetur në mes të shkallëve, kishte rënë në hall. Milici me pushkë në dorë i thotë “ulu se të vrava” dhe i drejtohet oficerit “ti nuk i din zakonet tona, zakonet e maleve. Parmbramë unë kam dashtë me e hangër të gjallë Bejto Faslinë, por me atë që që bani, që  nuk i preu miqtë në besë, ai na ka nderue ne, ka nderuar malet tona”.

Sigurisht që shtëpinë e dogjën, grabitën gjithë pasurinë etj. dhe vendosën të internonin familjen e tij. Me ligjet e kohës, gratë shtatzëna nuk internoheshin, prandaj miqtë e Bejtos përgatitën një reng, sikur bashkëshortja e Bejtos ishte shtatzënë, por për ta vizituar do të vinte një mjek italian nga Shkodra. Intiligjenca e malësorëve dhe guximi e trimëria e një gruaje shtatzënë nga Reçi e që u paraqit si bashkëshortja e Bejtos, bëri që familja të shpëtonte nga internimi në Itali. Sigurisht që këtu luajtën rol edhe paratë që u paguan nga miqtë e Bejtos autoriteteve… Megjithatë familjen e “kriminelit “Bejto Faslia mbajtën disa muaj të izoluar.

Ajo që ndodhi në shtëpinë e Bejto Faslisë atë natë, pati jehonë të jashtëzakonshme në Malësinë e Madhe e më gjerë, ku besa e mos prerja e mikut në besë ishte e shenjtë. Por nga ana tjetër, krijoi probleme për pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre. Me dhjetëra telegrame e letra janë shkëmbyer midis pushtetarëve më të lartë, italianë e shqiptarë për këtë ngjarje e për masat që duheshin marrë, me qëllimin kryesor për të penguar Lëvizjen Nacional Clirimtare dhe përhapjen e saj në Malësi të Madhe.

Ja si shkruante zv/ministri i Punëve të Brendshme, pinjolli i Gjonmarkagjonëve, Mark Gjon Markaj në telegramin e datës 1.11.1942, drejtuar Prefekturës Shkodër:

“Nuk kuptojmë se për c’arsye nuk keni pushkatuar menjeherë në vend të zotin e shtëpisë Bejto Faslia. Ndër keso rastesh duhet të ju urdhenoni kategorikisht organeve vepruese që të zbatojnë pa tjetër çka urdhenon qarkorja e Kryeministrisë Nr. 3068 datë 31 gusht 1942, posë kundra t’arratisunve edhe kundër kryetarit të familjes që përbunë të arratisunit. Na njoftoni përfundimisht.

N/Ministri Mark Gjon Markaj”.

Por krahas presioneve e dhunës, armiqtë u përpoqën që me mënyra nga më të ndryshmet, me miklime e joshje ta bënin për vete Bejton. Duke përdorur lloj lloj mënyrash, ata i propozuan Bejtos se do ta linin të lirë, do ta falnin për “krimin” që kishte bërë, e në se do të pranonte të bashkëpunonte me ta, do ti falnin djalin dhe nipin, nuk do ti internonin familjen, do ti ndërtonin shtëpi të re, në Reç apo në Shkodër, ku të dëshironte ai etj. Sigurisht që ai nuk pranoi dhe që nga ajo ditë e deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë ai bashkë me shokët e çetës e më vonë të Batalionit Partizan “Perlat Rexhepi”, luftoi me armë në dorë, duke u treguar i disiplinuar, trim dhe shembull për të gjithë partizanët.

Dua të theksoj se, mbas asaj që ndodhi në shtëpinë e Bejtos, falë miqësisë e lidhjeve farefisnore që ai kishte në të gjitha katundet përreth, Reçi u lidh edhe më shumë me Luftën Nacional Çlirimtare, duke u bërë një ndër bazat kryesore të saj në krejt Malësinë e Madhe. Pavarësisht nga masat represive që pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre kishin marrë ndaj disa banorëve të kësaj zone, Reçi konsiderohej si zonë e çliruar dhe partizanët lëviznin lirisht pothuajse në të gjitha katundet e tij.

Prandaj dhe pushtuesit italianë në planin e tyre për shuarjen një herë e mirë të Lëvizjes Nacional Çlirimtare në Qarkun e Shkodrës, në planin e hartuar për operacionin ushtarak që do të ndërmerrnin në fund të gushtit 1943,  fillimisht do të sulmonin Reçin, dhe prej aty do të marshonin drejt  Rrjollit  e Postribës, dhe ditën e tretë do të dilnin në brigjet e Drinit të Zi, duke shuar një herë e mirë Lëvizjen Nacional Clirimtare në këto krahina “rebele”.

Kjo është dhe arsyeja se përse në Reç u zhvillua një ndër luftërat më të ashpra në Qarkun e Shkodrës, që tashmë ka hy në histor e njihet si Lufta e Reçit, ku armiku u shpartallua dhe pësoi një ndër humbjet më të turpshme.

Sic thamë më lart, Bejto Faslia u dallua për trimëri në të gjitha aksionet e luftimet që zhvilluan partizanët kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre, çka kishte tërhequr edhe vëmendjen e tyre.

Në shumë dokumente të armikut përmendet Bejto Faslia  (emri i tij përmendet edhe në dokumentet e arkivave italiane dhe gjermane që janë botuar vitet e fundit) por unë do të përmendë një prej tyre, sipas të cilit pohohet se një njësit i vogël ka sulmuar një kolonë gjermane dhe ka marrë një kamion me mallra, një veturë dhe ka kapur rob një oficer gjerman…

Ja si i shkruante për këtë aksion Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, Ministrisë Punëve të Brendshme:  “Komanda e Qarkut të Shkodrës na lajmëron se me datën 2 të këti muaji, në orën 1, në rrugën e Bogës, afër Koplikut asht grabitë një veturë gjermane me gjithë shofer dhe një kamion prej partizanit Bejto Faslia me tre shokë të tij nga Reçi i komunës së Shkrelit. Fati i shoferit nuk dihet, Guzimtarët kanë marrë rrugën për në Reç. Hollësinat mungojnë. Komandanti i Përgjithshëm. Kolonel Hysni Peja”.

Prej natyre njeri i shtruar, gojëtar dhe njeri që dinte të bisedonte me këdo, ai, shumë herë, me porosi të drejtuesve të Frontit Nacional Çlirimtar është takuar e ka biseduar me  malësorë me emër, që kishin lidhje apo përkrahnin Ballin Kombëtar e Legalitetin, në mos për ti mbushur mendjen të bashkoheshin me Frontin Nacional Çlirimtar, të paktën të ndikonte që mos të bashkëpunonin me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre.

Është tepër kuptimplotë takimi e biseda me Mul Delinë, bajraktarin e Hotit, që gjatë pushtimit italian ishte emëruar Komandant i Forcave Vullnetare të Malësisë së Madhe. Ai së bashku me Zija Dibrën (një ndër drejtuesit kryesorë të Luftës Nacional Çlirimtare për Qarkun e Shkodrës) janë takuar me Mul Delinë, dhe kanë zhvilluar një bisedë shumë të gjatë. Sigurisht ata nuk arritën ta bindnin atë të bashkohej me Frontin Nacional Çlirimtar, por, ajo që është më pozitivja, ai në asnjë rast nuk ju kundërvu Frontit Nacional Çlirimtar dhe atyre që luftonin për çlirimin e Atdheut.

Aq e vërtetë është kjo sa duke parë qëndrimin e tij, pushtuesit kishin humbur besimin tek ai, madje dyshonin se ai bashkëpunonte me Frontin Antifashist Nacional Çlirimtar. Ja si shkruante Ministri i Punëve të Brendshme me dt.31.7.1943 nënprefekturës Tuzit: “Kemi informata se Mul Bajrakrtari me fuqinë që i asht venë në dispozicion dhe i ashte besue ka ndërmend të vihet në bashkëpunim me kryengritësit. Nuk besojmë se koritë shtëpinë ë bajraktarit të Hotit. Kaq ndjej për detyrë me ju njoftue. Ministri”.

Ka mbet në kujtesën e malësorëve akti patriotik i Mul Delisë në Luftën e Reçit, kur pushtuesit italianë grumbulluan forcat vullnetare të Malësisë së Madhe për ti futur në luftë kundër partizanëve, popullit të Reçit e atyre që u bashkuan me ta në këtë luftë. Edhe sot e kësaj dite përmenden fjalët e tij para vullnetarëve të mbledhur në afërsi të Reçit, kur ai u drejtohej me fjalët “Italia eshtë si uji që shkon e vjen. Ne jemi zalli. Në Reç janë nipat e dajtë tanë dhe po u fut gjaku midis nesh nuk dihet se kur ndalet…Aty jetojnë vllaznit tanë…..”. dhe kështu, në saj të qëndrimit të tij patriotik, këto forca nuk u përfshinë në luftë. Dua të vë në dukje se krahas tij një rol të rendësishëm ka luajtur dhe Ramadan Reçi, nipi i bajraktarit të Reçit, njëkohësisht përfaqësues i Frontit Nacional Çlirimtar, që u bëri të njejtën thirrje vullnetarëve për mos tu përfshirë në luftë…..

Mbas pushtimit të Shqipërisë Mul Delia nuk pranoi të bashkëpunonte me gjermanët, dhe për qëndrimin e si shqiptar i vërtetë, që e kishte treguar gjatë luftës së Reçit  dhe në raste të tjera, pushtuesit gjermanë e arrestuan dhe e internuan në kampet naziste të përqendrimit në Austri.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, Bejto Faslia u ngarkua me detyra të ndryshme, fillimisht si komandant vendi për Malësinë e Madhe. Duke kujtuar atë kohë tepër të vështira, në rrethe të ngushta, ai tregonte se i kishte mbetur brengë ajo që kishte ndodhë në Kelmend në janar të vitit 1945 e që ai e quante vëllavrasja e Kelmendit, për të cilën ai fajësonte të dy palët….dhe shtonte me dhimbje se ata 84 vetë që u vranë ne Kelmend, pavarësisht partizanë apo kelmendas ishin të gjithë shqiptarë, gjaku i jonë…..

Me jetën e qëndrimin e tij, Bejto Faslia fitoi emër të mirë në Malësi të Madhe e në krejt Qarkun e Shkodrës, prandaj dhe pushtetarët e asaj kohe e caktonin në vende pune me probleme, ku kërkohej një njeri i prirur nga e mira, nga pozitivja që i dinte zakonet e traditat. Nuk ka qenë rastësi që në vitin 1949, mbas atyre krimeve që ishin bërë nga Sigurimi i Shtetit në Malësi të Madhe, Bejton e emëruan kryetar të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Malësisë së Madhe, ashtu siç do ta emëronin më vonë, mbas disa ngjarjeve që kishin ndodhur në Dukagjin po njëlloj, Kryetar Komiteti. Dhe kudo ka ka punuar ai ka lënë emër të mirë dhe sot mbas kaq shumë vitesh përmendet për punët e mira për të ndihmuar njerëzit, si ka shpëtuar njerëz nga burgu apo  internimet, si ka ndërhy për mos i shpallur kulakë disa familje në Malësi të Madhe  etj. aq sa disa kuadro drejtues të asaj kohe e kanë cilësuar liberal e zbutës i luftës së klasave, madje edhe e kanë kritikuar publikisht…

Megjithëse pa shkollë, ai ishte njeri që e kuptonte të renë, zhvillimin dhe përpiqej të mësonte sa më shumë nga njerëzit e ditur e me kulturë. Ka qenë një kohë që u bë problem i jashtëzakonshëm sigurimi i jetesës për shumë familje malësore të varfra e pa tokë dhe Bejto Faslia ka qenë një ndër njerëzit më të angazhuar për të ndihmuar këtë kategori familjesh …

Brezi i vjetër e mban mend Fushen e Shtojit, një sipërfaqe rreth 1000 ha, e mbuluar me fier e sallgama. Dy agronomë të vjetër Sh. Radoja e S. Koka kishin hedhur idenë se ajo fushë mund të shpyllëzohej e të kthehej në vreshtë e pemtore. Bejtoja ishte ndër të parët  që e kapi këtë ide të tyre dhe duke shfrytëzuar postin e deputetit insistoi me të gjitha mënyrat që aty të krijohej një fermë.

Unë jam një nga të parët që bashkë me familjen  kam zbritur nga Repishti (fshati më thellë i Reçit) në Shtoj, dhe ku, së bashku me qindra familje të zbritura kryesisht nga zonat malore kemi krijuar atë mrekulli të bujqësisë shqiptare, ku kanë punuar rreth 3700 vetë e ku rreth 80 për qind e tyre kanë qenë nga zonat malore… Jam dëshmitar dhe dua të kujtoj me respekt punën e jashtëzakonshme që ka bërë Bejto Faslia në ato vite për të ndihmuar familjet e zonave malore për tu sistemuar në fermë…

Si njeri i popullit, i lidhur fort me hallet e tij, ai eshtë zgjedhur tre herë deputet i Kuvendit Popullor, duke qenë vërtetë përfaqësues i popullit. Jo më kot ai i ka ngritur këngë duke e perjetësuar emrin e tij, dhe ashtu siç ka shkruar shkrimtari i madh Ismail Kadare “Kënga eshtë dekorata më e lartë që të jep populli”, dekorata që Bejto Faslia vazhdon të marrë  edhe sot e kësaj dite…

Është shkruar e folur shumë herë për Bejto Faslinë, në shumë libra historie, kujtime, tregime, artikuj etj. Bën përshtypje fakti se edhe mbas viteve 90-të,  për Bejto Faslinë kanë vazhduar të shkruajnë e ta përmendin për mirë, përfshijë edhe ish të burgosur e të persekutuar.

Duke ju referuar tregimit të një ngjarje të vërtetë të një të persekutuari, që kishte kërkuar ndihmën e Bejto Faslisë për të sjellë në shtëpi djalin e arratisur, të cilit i ishin ngrirë këmbët, shkrimtari, N.Palushaj në librin “Nusja me duvak të bardhë” botuar në v.2014, duke perifrazuar fjalët e babait, shkruan “Bejto Faslia është treguar burrë dhe besnik”.

Ndërsa shkrimtari dhe studiuesi Nikolla Spathari, në librin “Malësia e Madhe sic e njoha unë” botuar në vitin 2001, shkruan: “Bejto Faslia la një emër të mirë në Malësi të Madhe, ai luftoi si burrë, drejtoi si burrë, dhe, së fundi vdiq si burrë. Pavarësisht nga detyrat që i ngarkuan, ai qe një njeri gjithmonë pozitiv, i prirur nga e mira, ndaj ka mbetur i pa harruar në Malësi të Madhe”.

Pikërisht se ishte i tillë, populli i Shkodrës dhe i  Malësisë së Madhe e përcolli në banesën e fundit me një nderim të jashtëzakonshëm, që radhë eshtë parë në Shkodër, më 18 tetor 1968, plot 26 vjet mbas asaj nate të paharrueshme të vitit 1942.

*Sekretar i Organizatës Veteranëve të LANÇ-it, Shkodër