Anglezja Mary Edith Durham, një zonjë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët

Prej gjithë udhëtarëve britanikë që erdhën ose kaluan në Shqipëri, Mary Edith Durham ishte padyshim më e spikatura dhe mbeti më e lidhura me Shqipërinë, shqiptarët dhe çështjen e tyre. Ndërsa vizitorë të tjerë të huaj që kaluan nëpër Shqipëri e përshkruan atë së bashku me vendet e tjera ballkanike, Miss Durhami gjithnjë e më tepër u mor me problemet shqiptare.

Ajo erdhi për herë të parë në vendin tonë në vitin 1901 si vizitore dhe jetoi këtu në vitet më të vështira të historisë, në një kohë kur Shqipëria ende konsiderohej veçse një nocion gjeografik.

Ajo jo vetëm shkroi, por bëri përpjekje të vazhdueshme kolosale për t’i siguruar këtij vendi përkrahje politike e ndihma humanitare, duke punuar dhe vetë në kushte tejet të vështira.

Edhe më vonë kur nuk kishte mundësi të udhëtonte nuk pushoi së shkruari për të gjetur mbështetje të gjerë për çështjen shqiptare si nga Fuqitë e Mëdha ashtu dhe nga qeveria e vendit të saj. Për këto Mit’hat Frashëri shkruante në “Liri e Shqipërisë”, 1914 se: “Miss Durhamit shkrimtares angleze duhet ti shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.

Me një varg studimesh etnografike e publicistike ajo i dëshmoi opinionit publik europian e botëror vlerën jetësore të këtij kombi në kërkim të lirisë dhe identitetit të munguar.

Në këto udhëtime, Mary Edith Durham u mor me studime historike, etnografike, antropologjike, të traditës, folklorit e të zakoneve tona, dhe shkroi disa libra për to, midis të cilëve mund të përmendim “Lufta për Shkodrën”, “Origjina e disa fiseve”, “20 vjet ngatërresa Ballkanike”, “Kulti i Diellit dhe Hënës në Ballkan”, “Shqipëria e sipërme”, “Brenga e Ballkanit” etj.

Miss Edith Durham jo vetëm admiroi trimërinë, atdhedashurinë dhe bujarinë e shqiptarëve, por ajo u interesua me devotshmëri për fatin tragjik të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, që kërcënohej në ato vite nga synimet dhe pazaret të shumta të Fuqive të Mëdha, që vinin në pikëpyetje vetë ekzistencën tonë si komb.

Me veprimtarinë e saj si publiciste, gazetare, autore librash, piktore, ajo u bë në opinionin përparimtar e politik të kohës përkrahëse aktive e çështjes së lirisë së Shqipërisë (luftës së shqiptarëve për liri).

Në Britaninë e Madhe, Mary Edith Durham, veprimtarinë e saj politike e në favor të Shqipërisë e konkretizoi me formimin e Komitetit Anglo-Shqiptar në vitin 1912 ku merrnin pjesë deputetë të Parlamentit britanik dhe personalitete të shumtë që u interesuan dhe kontribuuan për çështjen shqiptare. Miss Durham ka mbrojtur çështjen e independencës shqiptare për më tepër se 30 vjet. Dervish Duma diplomat në Londër shkruan: “Zonjusha M. Edith Durham me shkrimet e saj e Koloneli Herbert (MP- K.F) me influencën e tij e me anën e miqve të shumtë që kishte në Parlament, në qeverinë Ingleze dhe ndër pronarë fletoresh, qenë ata që u përpoqën më së shumti në Angli për ringjalljen e vetëqeverimit tonë mbas Luftës Botërore”. Gjithashtu ajo ishte anëtare e Institutit Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare (Royal Institute of International Affairs), London.

Ajo punoi shumë për Institutin Antropologjik (Royal Antropological Institute), Londër dhe ishte një anëtare e tij për një kohë të gjatë. Koleksioni i saj i paçmueshëm i përbërë prej tekstileve ballkanike gjendet edhe sot i ruajtur në Bankfield Museum Halifax, Angli.

Edith Durham me letra e kërkesa ju drejtua shumë institucioneve; qeverisë së vendit të vet, Konferencës së Ambasadorëve në Paris, organizatave humanitare, organeve dhe redaksive prestigjioze të shtypit dhe personave me influencë në opinionin publik të kohës, ku kërkonte njohjen e pavarësisë së Shqipërisë në të drejtën e vet historike, etnike e jetësore, në pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Me një varg librash dhe artikujsh të ndryshëm në gazetat periodike të kohës si: “Times”, “The Manchester Guardian”, “The Adriatik Rewiev”,”Near East”, “The Nations”, “Man”, “The Observer”, “New Times and Ethiopia News” etj., Edith Durham i paraqiti opinionit europian e botëror padrejtësitë dhe vuajtjet e shumta që i bëheshin këtij vendi.

Në vitet e Luftës së II-të Botërore, edhe pse në moshë të thyer dhe e sëmurë, ajo s’pushoi së punuari. Xhesti i Mary Edith Durhamit, megjithëse 76-të vjeçare, e cila doli nëpër rrugët dhe Parlamentin e Londrës me pankartë në duar ku shkruhej: “Larg duart nga Shqipëria” në kohën kur Italia fashiste sulmoi e pushtoi Shqipërinë, nuk do të harrohet kurrë. Fan Noli shkruante për të: “Zonja e nderuar Angleze nuk ditka të tregojë vetëm simpatinë e saj për racën shqiptare, vetëm me libra të bukur. Puna që bëri në Podgoricë për refugjatët e urtë dhe kryengritësit e plagosur është aq fisnike, aq e lartë…”.

Edith Durham i shpalosi vlerat e kombit tonë në mënyrën më të drejtë dhe shkencërisht pa marrë parasysh kërcënimet, provokimet, joshjet etj., madje ajo në mënyrë publike i ktheu mbrapsht dekoratat e akorduara mbretit të Malit të Zi, Nicholas I, si protestë ndaj masakrave që malazezët ndërmorën kundër popullsisë shqiptare të pambrojtur.

Me peshën e 80 viteve në shpinë dhe e dërmuar nga sëmundjet, M. E. Durham shkroi pa pushim në shtypin e kohës e atë britanik. Për probleme të ndryshme ajo shpesh ju drejtua dhe ‘Foreign Office’ (Ministrisë së Jashtme të Anglisë) për mbrojtjen e integritetit dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë.

Për herë të fundit ajo erdhi në vendin tonë në vitin 1921, ku u njoh dhe u takua me Fan Nolin. Është interesante të thuhet se me gjithë rrethanat e vështira të kohës, E.Durhami njohu nga afër dhe pati bashkëpunim me një sërë personalitetesh të shquar të vendit tonë si: Ismail Qemali, Kristo Dako, Dervish Hima, Mit’hat Frashëri, Pandeli Evangjeli, Faik Konica, Lef Nosi, Mehmet Konica, Motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxha Kadri, Bajram Curi etj. Ajo në vitet që pasuan e vazhdoi miqësinë dhe korrespodencën me Fan Nolin që jetonte në Amerikë dhe i shërbente me përkushtim Kishës Orthodokse Autoqefale dhe çështjes shqiptare në tërësi. Miqësia e tyre vazhdoi, derisa mbylli sytë dhe u nda nga jeta më 15 nëntor 1944.

Në mbyllje të letrave të saj drejtuar Nolit të cilat datojnë 6 prill, 25 qershor, 23 tetor 1943, ajo ndër të tjera shkruante: “Zoti e bekoftë Shqipërinë”, Urimet më të mira për ju dhe me shpresë se Shqipëria do të shpëtojë”, “… dhe tani shpirti im është i gatshëm, por trupi është i dobët”.

Mary Edith Durham, kjo grua e mençur, fisnike, trime dhe kurajoze, për një jetë të tërë punoi e luftoi që vendi ynë t’i shpëtonte copëtimit e të merrte përparimin dhe zhvillimin social-ekonomik. Ja si e përshkruan misionin e kësaj gruaje trime dhe kurajoze një gazetë angleze dhe e botuar nga “Dielli” 1917: “Një udhëtim për liri ndaj përpjekjeve të grekëve për të helenizuar Korçën. Mundimi i Znj. Durham për shpëtimin e atij qyteti. Çau malet nga Korça në Berat për një telegraf në Londër”.

Për meritat e saj tërësisht të merituara populli shqiptar, e veçanërisht ai i krahinave të Veriut, asaj i dha emrin duke e quajtur “Mbretëresha e Malësorëve”. Për punën dhe veprimtarinë e saj në dobi të njohjes së çështjes shqiptare dhe në shërbim të Shqipërisë, Edith Durham në vitin 1928 me dekret të posaçëm vetë Mbreti Zog I, i akordoi asaj dekoratën e lartë “Oficeri i madh i Urdhrit të Skënderbeut”. Me gjithë këto merita, emri, veprimtaria dhe puna e saj mbetën në hije gjatë gjithë kohës së regjimit të diktaturës komuniste.

Vetëm në vitet e ndryshimit dhe demokracisë Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha i akordoi asaj dekoratën e lartë “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” të Kl. I-rë me motivacion “Ju kushtua me devotshmëri çështjes së kombit dhe shtetit shqiptar, veprimtaria e saj është një himn, një përmendore e popullit shqiptar”. Po ashtu, me hapjen e kufijve të komunikimit në nderim të veprimtarisë së saj janë botuar libri bibliografik “Mary Edith Durham- Një Zonjë e Madhe për Shqipërinë” (2004), si dhe “Albania and the Albanians: Selected Articles and Letters 1903-1944” by M. E. Durham. Në vitin 2004, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes së saj, Presidenti i Republikës z.Alfred Moisiu, e ka nderuar atë me titullin e lartë urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Populli shqiptar në historinë e tij, ka treguar dhe tregon, se është mirënjohës dhe miqtë e vet si Edith Durham, Aubrey e Mary Herbert, Robert Cecil, Charles R. Crane, T. Erikson, Sir Robert Hodgson, Justin Godard, Lordin Robert Cecill, Presidentët Willson, Bill Klinton dhe George W Bush, Hillary Clinton, Madalene Ollbrajt, Tony Bler, Wesly Klark etj., etj., Kurrë nuk i harron, por i kujton dhe i nderon me respekt për te gjithë atë çfarë kanë bërë për të, në ditët e tyre të vështira e për të ardhmen e tyre. Ata do të mbeten përherë në memorien kombëtare të paharruar dhe të respektuar.

Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, një frymëzuese e sinqertë e qytetërimit të tyre; sepse ajo nga dita që vuri këmbën në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti e vlerat e shqiptarëve, u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse ne e ndjejmë atë si bijën tonë dhe i dhamë titullin e lartë “Mbretëresha e Maleve”. Ajo bën pjesë me të drejta të plota në historinë e Shqipërisë.

KASTRIOT FRASHËRI