Angjelin Preljocaj, “Kushëriri i Engjëjve” rrëfen ikjen nga Vërmoshi, dhe triumfin parizien

“Kushëriri i Engjëjve, kështu e ka quajtur shkrimtari me famë botërore Ismail Kadare një prej ikonave të koreografisë botërore, francezin me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj. Historia e rrallë e Angjelin Preljocajt që u arratis nga Shqipëria në barkun e nënës e që më pas “pushtoi” botën me virtiozitetin e tij.
Angjelin Preljocaj është mbreti i koreografisë botërore. Shtëpia e tij janë Balshoi Teatër- Moskë, La Scala-Milano, Opera Garnier-Paris, Opera gjermane e Berlinit, New York City Balet. Pasaporta e tij është franceze. Zemra e tij shqiptare. Në 1957, Lize Preljocaj e kishte ne bark, ndërsa arratisej me të shoqin nga Vermoshi. Angjelini lindi dy javë më pas, në Paris.Në Francë mësoi baletin. Arriti aty nga xhudoja dhe luftimet trup më trup me bashkëmoshatarët në periferitë e Parisit. Dashuria për një grua e drejtoi te baleti. Ajo grua i dhuroi një libër me foto të Nurejevit të transformuar nga kërcimi. “Desha të bëj të njëjtën gjë –kujton -, ai. Të qëndroja pezull në ajër.” Dhe ia doli. Dhjetëra botime, mijëra shkrime për të, qindra punë, të gjitha të realizuara në skenat më të rëndësishme të botes së baletit. Dhe miliona duartrokitje. Për “Borëbardhën”, “Dasmën”, “Akrobatin”, “Katër stinët”, “Pranverën” e Stravinskit,
Të gjitha çmimet, të të gjitha kontinenteve, që mund të ëndërroje një artist. Franca i ka dhënë gjithçka, njeriut që nuk harron kurrë të thotë se është shqiptar. Edhe, kur lideri i radikalëve të djathtë në France, Le Pen iu hakërrye në ’95; të kthehej në Tiranë, se ishte i huaj, ai uu përgjigj: “Kthehem dhe e nis nga zero, por nuk jap asnjë shfaqje në një qytet ku drejton partia jote.” Mbase ka qenë hera e vetme që ky burrë me një portret të imët, sy të mrekullueshëm, gjeste diskrete dhe gjenetikisht i shqetësuar, ka dhënë ndonjëherë. Gjithë kohën vetëm ka punuar, për të treguar me kërcim, emocionet e një bote, artist i madh i së cilës është. Në 1957 ai u arratis nga Shqipëria. Në barkun e një gruaje. 53 vjet më pas është në këtë intervistë, për t’i uruar dhe këshilluar shqiptarët. Ndërsa dita e madhe e Shqipërisë pa viza, po afron, zgjodhëm Angjelin Preljocaj si simbol të kësaj dite, si simbol i lirisë.
Gazetari Aleksandër Furxhi nëpërmjet një interviste të para disa kohësh ka rrëfyer nëpërmjet gojës baletmaestrit krejt historinë e ikjes nga Shqipëria.
Le të përpiqemi të kujtojmë pak se si famija juaj u largua nga Shqipëria dhe origjinën e saj…
Babai im është me origjinë nga Vermoshi, në veri të Shkodrës. Ai ka jetuar atje me familjen për disa vite dhe një ditë së bashku me të atin dhe vëllain e vogël vendosën të largoheshin nga Shqipëria dhe të kalonin kufirin e të shkonin si emigrantë, por edhe për të takuar gruan e tij që ishte në Ulqin.
Në cilin vit?
Eshtë pak e turbullt pasi nuk kisha lindur, mendoj se ishte rreth vitit 1955… pastaj ai gjeti time më dhe u martuan atje. Qëndruan pak në Beran, në atë kohë Ivangrad, dhe pastaj u strehuan në një kamp refugjatësh në Gerovo, në Ish Jugosllavi. Atje ishin në pritje për të emigruar në Amerikë, kështu ishte ideja e parë. Në kampin e Gerovos u ngjiza unë, mesa më kanë thënë prindërit, pastaj vazhduan rrugën dhe ime më dhe im atë mberritën në Francë ku prisnin vizën për tu nisur në Amerikë.
Dhe ju jeni lindur në Francë ?
Po. Sapo arritën në Francë linda unë, sepse ju është dashur njëfarë kohe që të mbërrinin në Francë.
Dhe lindët në 1957…
Po,1957. Në atë kohë linda unë dhe ata prisnin vizën për tu nisur në Amerikë. Vizën nuk mundën ta merrnin për rreth një vit, një vit e gjysëm, por kur e morën, prindërit e mi kishin filluar të stabilizoheshin,. Pra, kur e morën vizën thanë, ok ta harrojmë më mirë Amerikën, të qëndrojmë në Francë sepse kemi nisur punë, kemi një shtëpi të vogël dhe keshtu vendosën të qëndronin.
Në shtëpi prindërit tuaj flisnin shqip besoj, po ju, kur u rritët, si komunikonit me nënën dhe babanë tuaj?
Po pikërisht, duke qenë se im atë dhe ime më erdhën në Francë dhe unë linda menjëherë, në atë moment që ata nuk flisnin frëngjisht, nuk kishin asnjë çelës të kulturës dhe traditës franceze, pra e gjithë fëmijëria ime ishte në shqip, dhe me traditën shqiptare Mendoj se shpesh ka qenë nevoja që emigrantët që sapo vinin, për të ruajtur identitetin e tyre, ishin të detyruar të ishin më shqiptarë sesa shqiptarët e vërtetë dhe kam përshtypjen se unë jam rritur më tepër në traditën shqiptare sesa ata në Tiranë. Pra ishte diçka shumë shumë e rreptë dhe tradicionale dhe për këtë arsye kam patur gjithmonë ndjesinë se kisha me të vërtetë një kulturë të dyfishtë, në shtëpi ishte akoma Shqipëri, ndërsa kur shkoja në shkollë ishte shkolla e Iluminizmit e Republikës Franceze dhe i gjithë zbulimi i një kulture tjetër dhe, me të vërtetë, kisha ndjesinë se në njerën anë ishte tradita, disa gjera të thella, disi misterioze, ndërsa në krahun tjetër një kulturë e filozofëve të Iluminizmit, të gjithë kulturës Franceze, pra një dyzim.
Si ka qene kontakti juaj me baletin? New York Times kam lexuar se keni qenë rreth 11 vjec kur keni parë nje foto te Nurejevit dhe ne ate çast dicka ka shkrepur ne mendjen tuaj…A eshte e vertete?
Po. Eshtë për të qeshur që dashuria ime për baletin lindi nga një imazh i fiksuar, pra është shumë paradoksale pasi kërcimi është lëvizje, dhe shijen e baletit ma dha një imazh i fiksuar. Ishte një imazh i dikujt që ishte Rudolf Nurejev, ishte një fotografi në një libër që ma kishin dhënë hua. Në fytyren e tij kishte një dritë dhe një bukuri të tillë që më mahniti. Dhe shpjegimi ishte interesant pasi ishte shkruar : « Rudolf Nurejev i shpërfytyruar nga kërcimi », domethënë i transformuar, i metamorfizuar nga kërcimi, dhe thashë me vete : është e pabesueshme. Dhe mendova : çfarë është ky art që transformon dikë dhe e bën kaq të bukur, të bukur nga brenda jo thjesht të bukur kështu nga jashtë. Dhe kështu ja ktheva librin vajzës që ma kishte dhënë hua, e cila ishte një balerinë e re , dhe e pyeta se ku bënte balet dhe ajo më udhëzoi. Kështu shkova dhe bëra orën e parë të kërcimit.
Kam lexuar se në atë kohë ju keni qenë i regjistuar në kurs per xhudo mirëpo i shpenzonit paratë për të shkuar në balet, a është e vërtetë?
Po është e vërtetë. Në orën time të parë të baletit shkova me pantallonat e mia të bardha të kimonos, xhudos dhe një bluzë. Pa i thënë prinderve të mi. Shpesh herë kam shkuar për kërcim, por u kam thënë që po shkoja në xhudo dhe fshehtas, sepse prindërit e mi nuk donin që të merresha me balet.
Kur e morën vesh që ju shkonit në klasën e baletit si reaguan?
Eshtë pak interesante pasi ime më nuk u kundërvu shumë në fillim, pasi nuk e njihte baletin në fakt, sidomos baletin klasik. Ime më kishte qene fermere, kishte ruajtur delet, vinte nga një shtresë shoqërore ku baleti klasik ishte totalisht i panjohur, pra nuk pati as reagim pozitiv as negativ, gjë që nuk ishte keq. Duke qenë se në Francë ajo punonte në fabrikë, pyeti kolegët e punës c’fare mendoni ; djali im shkon në balet, dëshiron të merret me balet. Dhe ata që e rrethonin i thanë që është diçka e çuditshme, është për meshkuj të feminizuar,etj pra të gjitha klishetë e kohës. Mamaja ime pati pak frikë për mua pasi ëndërronte të bëhesha doktor apo avokat diçka e tillë, pra kishte frikë.
Në moshën 17 vjeçare u nisët në SHBA për tu marrë me balet. Përse në SHBA ?
Kisha nisur të studioja baletin klasik, pastaj beletin modern dhe pastaj kuptova që të rejat koreografike shfaqeshin sidomos në New York, kështu që kisha dëshirë të shkoja atje të zbuloja tendencat e reja të baletit, takova dhe punova me Merce Cunningham nga i cili mora leksione dhe mësova shumë për sa i përket kompozimit koreografik.
Eshtë e saktë të themi se Amerika ju formoi si balerin? Apo dhe Franca gjithashtu?
Franca gjithashtu, por edhe SHBA, pasi në atë kohë Shtete e Bashkuara ishin qendër graviteti për krijimtari, por edhe në Francë ndodhnin shumë gjëra duke u lejuar balerinëve të rinj të afirmoheshin gjithashtu.
Baleti Preljocaj ka rreth 26 balerinë dhe prodhon më tepër se 100 spektakle në vit, si është e mundur? Një spektakël në çdo dy-tre ditë, janë shumë… Po janë shumë, është shumë punë por unë nuk dua të qahem pasi është një pasion për kompaninë. Dhe në të njëjtën kohë nuk bëj vetëm spektakle me 26 balerinë. Për shembull Mbreteria e Bashkuar ( Royame Uni) është me 4 balerinë, ka spektakle me 12 balerinë por ka edhe spektakle me të gjithë kompaninë dhe prodhime siç është Borëbardha, që është balet i madh dhe merr tërë trupën në turne. Por nganjëherë ndodh që një pjesë e trupës është në Londër ndërsa pjesa tjetër në Madrid, pra në të njëjtën mbrëmje ne luajmë nga një balet secili, e njejta trupë luan dy balete.
Me teatrin e Baletit te Tiranës ndoshta është vetëm fillimi, a keni ndonjë ide apo projekt për ta zhvilluar bashkëpunimin?
Jo vetëm që ështe e mundur por është diçka të cilën e kemi nisur tashmë. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës nënshkruam një marrëveshje me Baletin e Operas së Tiranës dhe Baletin Preljocaj. Eshtë një marrëveshje 3 vjeçare, ështe një mundësi e një bashkëpunimi të thellë, jo thjeshtë konsum baleti por shkëmbim, domethenë edukim pedagogjik, trajnime të balerinëve gjithshtu balete që i janë dhënë Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës por edhe balete që nuk ekzistojnë por që do t’i krijojmë bashkë ne të dy kompanitë. Eshtë me të vërtetë bashkepunim interesant. Përshembull mund të bashkojmë 5 balerinë të Preljocaj dhe 5 balerinë të Teatrit te Operas dhe Baletit që të realizojnë një balet bashkë, është me të vërtetë bukur, mund të jenë 10 me 10. Por ajo që është interesante është bashkimi i energjive, të shohim sesi mund të krijojmë një përzierje shpërthyese mbase dinamike.
Kur keni ardhur për herë të parë në Tiranë kërcyet edhe ju në skenë, tani jeni këtu si koreograf. Sa vite bëhen që nuk kërceni më?
Eshtë e çuditshme pasi ju më bëni këtë pyetje, por ndërkohë bëhen 3 vite që kam kërcyer vetëm, solo, për rreth një orë e çerek.
Po në familjen tuaj, fëmijët tuaj e kanë ndjekur shembullin e babait, a kanë ndjeshmerinë tuaj ndaj baletit?
Kam dy vajza që e duan baletin por ndjekin shembullin e mamasë që është kineaste, por mendoj se janë të pasuruara nga të dy artet, artin koreografik dhe artin kinematografik .
Ndërsa gjatë një tjetër prononcimi për “Art&Trashëgimi” dhënë gazetares Ilda Mara, koreografi i famshëm rreket të dritëlëshojë diçka ndryshe, diçka që gufon prej kumtit të tij prej artisti.
Angjelin Preljocaj: Arti të shpie drejt jetës..
Në një përsiatje mes artit dhe metafizikës, balerini dhe koreografi francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, shtjellon konceptin e tij për artin, kulturën e dyfishtë që ai mbart, e realitetin që na rrethon.
Çfarë ju ka mësuar arti dhe kultura juaj e dyfishtë në lidhje me raportin mes lirisë dhe kufizimit?
Në shtëpi ne flisnim shqip, këndonim shqip, dëgjonim muzikë shqiptare, dhe sigurisht që prindërit e mi na tregonin histori gjithashtu, e më pas në shkollë ishte kultura franceze, filozofia iluministe, historia e kartezianizmit, Dekarti etj. Mendoj që përfundimisht jam si shqiponja e flamurit shqiptar me dy krerë! Kjo kulturë e dyfishtë na ka pasuruar pa masë, sepse në të njëjtën kohë ne s’jemi tërësisht as shqiptarë e as francezë, dhe po ashtu jam ai që jam. Një shqiptar për francezët, një francez për shqiptarët. E tëra kjo është një pasuri e madhe, si dhe një frymëzim gjithashtu. Atëherë, për sa i përket bllokimeve, lirisë dhe kufizimit, këto janë koncepte që i kam hasur përmes baletit, sepse është vërtet diçka e veçantë në balet. Domethënë, kjo kërkon aq shumë punë, përpjekje me trupin tënd, për të vënë në lojë çdo herë të gjitha ato që ne dimë të bëjmë, dhe që ne mendojmë se dimë. Dhe kjo pikërisht ka të bëjë me të mësuarit në lidhje me lirinë dhe kufizimin, dhe s’jam aspak i vetëm që e mendoj këtë, edhe Igor Stravinski thoshte se liria është kufizim! Kufizimi është një drejtim që të mundëson një liri të madhe.
Shkrimtari Paulo Coelho thotë se “baleti është një nga format më të përsosura të komunikimit me inteligjencën e pafundme.” Çfarë mësimi keni nxjerrë për ekzistencën për faktin se keni arritur përsosmërinë nëpërmjet artit tuaj?
Në lidhje me situatën e qenies njerëzore, për shkak të vertikalitetit të saj, ajo bëhet pothuajse gjeografikisht pjesë e universit. Është pak e çuditshme, çfarë po ju them, por unë besoj se qenia njerëzore në gjenezë nuk është e ndërtuar me të njëjtën lëndë, prandaj kemi më pas dhimbje të shpinës, e cila është një nga problemet që shfaqen më së shumti, qeniet njerëzore plaken, po kanë dhimbje shpine… Sipas mendimit tim, në nivel shpirtëror pozicioni gjeografik i qenies njerëzore, ndërgjegjja është pikërisht vertikalisht mes tokës dhe qiellit, dhe pyes veten shpesh nëse kjo pjesë e njeriut bën dhe veçantinë e tij. Dhe kjo më frymëzon shumë, në përsiatjet, reflektimet në punën time, dhe janë me të vërtet gjëra që më ngacmojnë pa masë.
Cila është kënaqësia më e madhe që ju ka dhënë baleti?
Kënaqësia më e madhe që më ka dhënë baleti është që të ndihem i plotësuar. E dini që falë baletit jam ky që jam, d.m.th. baleti më ka bërë që të rizbulohem grafikisht. Baleti më ka bërë të zbuloj vetveten së pari, dhe më pas të shpalos veten time te të tjerët, dhe të zë vendin tim në botë me këtë.
Ju keni pasur raporte “të nxehta”, për të mos thënë të dhunshme, me babanë tuaj, si ka evoluar raporti me të kur ju u bëtë i famshëm?
Do të thoja se i kam falur prindërit, dhe ata duhet të më falnin, sepse kam qenë një fëmijë trazovaç, tepër kompleks, isha një qenie… dhe e kuptoj ankthin e tyre tek më shihnin se ç’kah merrte jeta ime, sepse nuk arrita menjëherë te suksesi. Jam endur shumë në fillim deri sa gjeta rrugën time. Dhe në këtë endje, në këtë përhumbje të madhe, situata me prindërit nuk ishte e lehtë, por ajo që ka qenë më e vështira ishte sjellja e tyre me motrat e mia, në këtë pikë nuk pajtoheshim gjithnjë, dhe kjo nuk mund të kalohej lehtë.
Sipas jush, ne lindim artistë, apo bëhemi?
Besoj se njeriu bëhet artist! Besoj, megjithatë, se ne lindim asgjë dhe bëhemi dikush!
Cilin nga spektaklet tuaja do t’i këshillonit një publiku që se ka pasur shansin t’ju ndjekë?
Të fundit…
Ku e merrni më shumë frymëzimin: te jeta? Apo tek arti?
Pyetje interesante… Siç thotë Godart, filmi e bën jetën më interesante se filmi! Funksioni i artit është që t’i japë ndoshta jetës një interes më shumë. Arti është diçka që na shpie drejt jetës, që vjen nga jeta e pastaj merr sërish udhë drejt jetës…! Praktikisht, frymëzimin gjithsesi, e marr ose nga jeta, ose nga arti, s’ka rrugë tjetër! Mbase ka plot krijues që mendojnë se krijojnë nga hiçi, por unë them se jemi gjithmonë pjesë e një vije të shkruar, e një historie! Histori artistike për shembull, ka pasur edhe para Da Vinci-t, Raffaelo-s, Velasquez-it, Rembrand-it, Picasso-së etj. Nuk biem nga qielli, jemi gjithmonë të vendosur diku, në një radhë…
A ndieni afërsi me artistë që ushtrojnë arte të tjera, e nëse po, me cilët?
Ah po, ndihem mjaft i afërt me shumë artistë, në radhë të parë me artistët me të cilët kam punuar, që më kanë ushqyer, kam parasysh këtu Shopenhausen, që ka pasur shumë rëndësi për punën time dhe ka qenë një model i vërtetë për t’u ndjekur, një figurë etike! Dua të them që nocioni i etikës është një nocion që mund të zbatohet në art! Është një mënyrë që të mund të ekzistosh në marrëdhënie me artin që bën, një lloj kodi moral, jo në kuptimin moral të moralistit, por të një lloj pozicionimi. Njoh shumë njerëz që thjesht zënë një vend pa u pozicionuar.
A ju ka ndodhur të mendoni si do të ishte jeta juaj në Shqipëri, sikur prindërit tuaj të mos e kishin marrë vendimin e të mos ia kishin dalë dot për t’u arratisur?
Po, e kam menduar shpesh dhe sidomos herën që u ktheva në Shqipëri, pas shfaqjes shkova në fshatin e tim eti, mes maleve. Dhe provova një gjë krejtësisht tronditëse kur ndjeva në thellësi të trupit tim se unë vija prej andej! Dhe e ndjeva fizikisht këtë! Më kishin thënë që babai im vinte nga ky vend, por kishte diçka që më lidhi thellësisht. Ishte një fat, e kur flitet për fat, flitet për rastësi, rastësia është forma që merr Zoti për të kaluar aty pa u vënë re!
Njëra nga motrat tuaja, duke folur për ju në familje, thotë: “ai ishte për ne si një dritare ndaj botës”. Ne shqiptarët e tjerë, krenarë për ju, mund të themi të njëjtën gjë. Do të kishit ndonjë mesazh për ta përcjellë tek artistët shqiptarë?
Edhe ata janë për mua një rikthim i kësaj që thoni ju dhe një jehonë gjithashtu, sa herë takoj Ismail Kadarenë, Luan Ramën, Anri Salën, Liri Begenë, dhe diskutojmë, ja kështu! Ndihem i përfshirë me ta dhe që bëjmë pjesë te një lëvizje e shqiptarëve që janë në fushën e artit dhe përmes kësaj i sjellim diçka Shqipërisë, një nxitje kolektive!
Atëherë, ju nuk jeni veç një dritare ndaj botës, ju mendoni se është një lëvizje e tërë! Cila është gjëja më e bukur që mund t’ju urojmë?
Të vazhdoj me krijimet e mia që na prekin të gjithëve, që na ndihmojnë të jetojmë më mirë, ta shohim…

Pergatiti: Albert Vataj