Angjelin Preljocaj, koreografi me origjinë Malësia e Madhe nis turin ballkanik me premierën botërore “Natyrë e qetë” nga Tirana

Koreografi francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj rikthehet në Tiranë me premierën botërore  “Natyrë e qetë”. Spektakli përmban dy pjesë “Viza lidhëse”, një krijim i vitit ’89, një duo mashkullore ku për herë të parë do të interpretojë edhe një balerin shqiptar, Redi Shtylla si dhe premiera absolute “Krijimi” që do të intepretohet nga 6 balerinë francezë.

“Trait d`union” dhe “Creation” janë kryeveprat që  rikthejnë në Tiranë koreografin francez me origjinë shqiptare. Një balet për jetën, pasionin e vdekjen interpretohet për publikun shqiptar më 4 tetor në Pallatin e Kongreseve. Lidhjet e ngushta me vendin e origjinës nuk nguron t’i shpreh, teksa thotë se rikthehet në tokën e të parëve me të njejtin emocion.

“Është sikur kthehem gjithmonë në shtëpi. Edhe kur kthehem në lagje, sepse edhe Franca është shtëpia ime, më ka dhënë shumë. Por kur kthehem këtu ka dicka të rrënjosur thellë që është shumë shumë e vërtetë. Është sikur kam dy burime brenda shpirtit tim dhe mendjes time”, tregon Angjelin Preljocaj për Oranews, duke shtuar më tej se, spektakli do të përmbajë dy pjesë “Traktati i Bashkimit” një krijim i vitit ’89, një duo mashkullore ku për herë të parë do të interpertojë edhe një balerin shqiptar, Redi Shtylla si dhe premiera absolute “Krijimi” që do të intepretohet nga 6 balerinë francezë.

“Mund të japim jetën që duam një baleti, varet nga dëshira dhe vullneti jonë për t’ia dhënë këtë jetë, është një balet që na ka pëlqyer dhe prekur shumë. Kam dashur që ky balet të vazhdojë të jetojë dhe t’ju përcjellë gjeneratave të reja, të ketë emocionin që ndjej unë nëpërmjet këtij baleti. Prandaj e kam marrë dhe rishfaqur disa herë. Pra është një balet që e kam vënë në kundrapeshë me baletin “Dasma”. Çfarë kam dashur të përcjell përmes lëvizjes dhe jetës në skenë, është sesa të vegjël jemi ne në këtë univers. Sa e vogël është jeta jonë brenda jetës të së madhe. Është një balet që flet për kohën që kalon. Për jetën për vdekjen, për pasionin”, thekson Preljocaj.

Preljocaj çel edhe Festivalin e 12 të Dancit Kontemporan në Shqipëri, një zhaner që e cilëson të vështirë dhe impenjativ për t’u realizuar.

“Ideja mbi teknikën dhe virtuozitetin e kërcimit konteporan është një ide më shumë në kokat e njerëzve, sepse duhet një punë e madhe dhe e vështirë që të arrish virtuozitetin në kërcimin konteporan”, e mbyll koreografi prononcimin. Ndërsa balerini Redi Shtylla thotë se, “në baletin konteporan je ti dhe vetvetja je i lirë të bësh çfarë të duash, të improvizosh veten tënde dhe në radhë të parë gjesh personalitetin tënd si kërcimetar”.

Pas Shqipërisë, me 5 tetor koreografi Preljocaj do ta shfaqë krijimin e tij në Kosovë, Serbi e më pas në Europë. Preljocaj ka një krijimtari të njohur për publikun shqiptar, në vitin 2014 dhe 2015 ai  bashkëpunoi me teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me  veprat, “Ekstravaganca” dhe “Dasma”.