Analisti Luke Coffey për Zërin e Amerikës: Perëndimi dhe vendet e Ballkanit të rrisin angazhimin ndaj ndikimit rus

Perëndimi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shtojnë përpjekjet për t’iu kundërvënë kërcënimit nga ndikimi rus në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të shtojnë praninë ushtarake dhe politike për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, tha për Zërin e Amerikës analisti Luke Coffey. Ndërsa, analistja Heather Conley theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta përballojnë këtë kërcënim përmes forcimit të institucioneve dhe transparencës, që janë elemente kyç për integrimet euroatlantike.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë angazhimin e tyre për t’iu kundërvënë ndikimit keqdashës rus në rajon, thonë analistët. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin rus në Ballkan, por nuk kanë shtuar angazhimin në rajon, i tha Zërit të Amerikës ekspertja Heather Conley, Nënpresidente për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Në Ballkanin Perëndimor nuk kemi të bëjmë thjeshtë vetëm me ndikimin rus, po shohim një angazhim më të madh kinez, turk dhe të tjerë që po përpiqen të ndryshojnë rrjedhat në rajon. Ne jemi të fokusuar te Rusia dhe të tjerët, por ne duhet të sigurohemi që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të jenë po aq të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Ka shumë punë që duhet bërë dhe brishtësi që duhet trajtuar”.

Komandanti i forcave amerikane në Evropë, Curtis Scaparrotti, gjatë një dëshmie muajin e kaluar në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, tha se Rusia po provon të nxitë trazira në Ballkan nëpërmjet fushatave të dezinformimit.

“Rusia ka ndërhyrë në Ballkan dhe mendoj se ne nuk i kemi kushtuar aq sa duhet vëmendje atij rajoni. Kam parë një rritje të ndikimit gjatë një viti e gjysmë që jam në këtë post. Unë mendoj se është një rajon, të cilit duhet t’i kushtojmë një vëmendje më të madhe diplomatike. Ne duhet t’i vazhdojmë reformat në siguri dhe aftësitë tona të ndërtimit të kapaciteteve, në të cilat ne dhe komuniteti ndërkombëtar jemi të angazhuar në Ballkan. Kjo është një fushë, në të cilën ne mund të kemi probleme në të ardhmen”.

Analisti Luke Coffey nga Fondacioni Heritage është dakord me këtë vlerësim. Ai thekson se Perëndimi ka humbur dëshirën për të ecur përpara, iniciativën dhe entuziazmin që kishte dikur, veçanërisht në vitet 1990, për të sjellë qëndrueshmëri, paqe dhe begati në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për shembull, para një dekade, në kohën kur Kosova po bëhej një vend i pavarur, Misioni ushtarak i BE-së në Bosnje kishte dy mijë trupa, kurse tani ka vetëm disa qindra trupa atje. KFOR-i në Kosovë, me kalimin e kohës, ka zvogëluar numrin e trupave ndërkohë që sfidat dhe reziku ndaj rajonit janë rritur. Prandaj, unë mendoj se ne duhet të jemi më të angazhuar sepse taksapaguesit amerikanë tashmë kanë investuar shumë në rajon”.

Përveç rritjes së angazhimit, duhet të ketë edhe një ndryshim në makanizmat amerikane dhe evropiane të ndihmave, pasi ato kanë humbur efektshmërinë, thotë analistja Conley nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Ajo i tha Zërit të Amerikës se mekanizmat e tanishëm të ndihmave janë të vjetëruara dhe bazohen në modelin që është përdorur për të ndihmuar vendet e Evropës Qendore në periudhën e tranzicionit.

“Ballkani Perëndimor ndeshet me një tranzicion të ndryshëm në rrugën drejt një integrimi më të madh me Perëndimin. Unë mendoj se ne duhet t’i përmirësojmë këto mjete, duke u përqëndruar tek shoqëria civile dhe transparenca. Unë shpresoj që Shtetet e Bashkuara do të rikalibrojnë mekanizmin e tyre të ndihmave, duke investuar më shumë në shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare sepse ato duhet sjellin ndryshimet e brendshme në këto vende, që do të ndihmojnë qeveritë të bëhen më të forta dhe më llogaridhënëse”.

Rusia po përpiqet të pengojë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Nato dhe BE. Valentina Matviyenko, kryetare e Dhomës së Lartë të parlamentit rus, tha të hënën në një fjalim në parlamentin e Bosnjës se zgjerimi i Natos po minon sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkan.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO binte ndesh me vullnetin e praktikisht gjysmës së qytetarëve të tij. Është bërë shkelja më e ashpër e parimeve bazë të demokracisë në një vend. Tani ata po përpiqen të bëjnë të njejtin eksperiment të rrezikshëm në Maqedoni. Ne nuk duam të marrim pjesë në këto politika konfrontuese”, tha zonja Matviyenko.

Perëndimi e sheh anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian si mënyrën më të mirë të ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan.

Analistja Heather Conley thekson se angazhimi për forcimin e institucioneve dhe rritja e transparencës nga qeveritë e vendeve të Ballkanit, elementët kyç në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, janë një mënyrë e efektshme për luftimin e ndikimit keqdashës nga jashtë.

“E dimë që korrupsioni është një sfidë për të gjitha vendet, por korrupsioni sigurisht që mund të përdorët nga ndikimi i jashtëm keqdashës. Prandaj, institucionet e forta, transparenca më madhe dhe ofrimi i një shprese banorëve të Ballkanit Perëndimor se ekziston një e ardhme më e ndritur për ta, e cila gjendet te demokracia e hapur dhe transparente. Ky duhet të jetë synimi i tyre. Të gjitha qeveritë dhe partitë politike duhet të mbahen përgjegjëse në përpjekjet për të krijuar qeveri më të forta dhe më të mira në shërbim të qytetarëve”.

Në lidhje me angazhimin që qeveritë e vendeve të Ballkanit duhet të kenë ndaj kërcënimit nga ndikimi rus, zoti Coffey i tha Zërit të Amerikës se ato duhet të vazhdojnë të përmirësojnë demokracitë dhe qeverisjet e tyre si dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.

“Ata duhet të vazhdojnë në këtë rrugë, duke e kuptuar se integrimi në Nato ose në Bashkimin Evropian mund të marrë kohë shumë të gjatë. Mund të duhet një brez për realizimin e kësaj, por kjo është në rregull. Për shembull, Kosova është një vend i ri dhe duhet të ketë një të ardhme të ndritshme nëse vazhdon në rrugën e duhur dhe ruan durimin”.

Ekspertët ishin të një mendimi se mungesa e një reagimi më të fortë nga Perëndimi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ka trimëruar Rusinë, prandaj ata thonë se duhet një politikë më e qartë dhe më e unifikuar e Perëndimit ndaj përpjekjeve ruse.

VOA