Amerika pret me pasion eklipsin e parë diellor pas një shekulli

/AFP/ – SHBA-ja pret me pasion eklipsin e parë diellor që prej 99 vitesh, që tashmë quhet “Ekslipsi i Madh Amerikan”, ai do të jetë i dukshëm sot në mëngjes (me orën lokale) në një pjesë të territorit që kalon nga perëndimi në lindje.

Miliona turistë dhe astronomë amatorë kanë filluar gjatë gjithë fundjavës të pushtojnë shtetet dhe qytetet ku mund të shihet plotësisht çasti kur hëna fsheh dritën e diellit dhe errësia bie për disa sekonda.

Në fillim ky fenomen do të shihet në shtetin e Oregonit, në bregun perëndimor, por do të jetë i pjesshëm. Eklipsi do të bëhet i plotë 75 minuta më pas dhe shumë zona do të kenë privilegjin që të jenë në këtë trajektore, si qyteti i vogël i Madras, ku errësira do të zgjasë për rreth dy minuta e katër sekonda.

Një milion vizitorë priten në këtë shtet në perëndim të SHBA-së.

Gjithësej do të jenë të paktën 12 milionë persona që jetojnë në një shtrirje prej 113 kilometrash në 14 shtete amerikane që do të mund të jenë dëshmitarë të eklipsit të plotë. Por miliona të tjerë do të mund të asistojnë një ekslips të pjesshëm, sipas Shoqërisë Amerikane të Astronomisë.

Eklipsi do të mbarojë kalimin e tij të SHBA-së në orën 18:48 GMT në Karolinën e Jugut, në bregun e Atlantikut në juglindje të vendit, pranë qytetit të Charleston.

Restorantet dhe hotelet janë prenotuar të gjitha, madje edhe biletet e parkimit kanë pësuar rritje stratosferike në këtë qytet elegant kolonial në jugut amerikan.

Emocionet sa vijnë e rriten me afrimin e këtij çasti magjik.

Duke pasur parasysh trafikun e rënduar, disa autoritete lokale kanë vendosur të mbyllin zyrat për sot, ndërsa policia dhe shërbimet e sigurisë kanë përforcuar efektivët e tyre për t’u përballur me fluksin e turistëve, sipas gazetës lokale “Post and Courier”.

Rreth dy milionë vizitorë priten në Karolinën e Jugut, një shtet me pesë milionë banorë. Autoritetet, falë eklipsit, presin sot maksimumin turistik për këtë vit.

Në kryeqytetin federal amerikan, Uashingtoni, ku eklipsi do të jetë vetëm i pjesshëm, syzet e veçanta kanë mbaruar që të dielën, ndërsa gazetat lokale përditësojnë vazhdimisht listën me vendet ku mund të pajisesh me to./