Ambasadorja e SHBA takohet me Kryeministrin Rama; Basha pret ambasadorët e BE-së

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u takua të martën me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit.

Sipas një njoftimi të ambasadës në Twitter, Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE.

Në njoftim thuhet se “ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakordësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë.”

Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha së shpejti, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ndërkohë Zoti Basha, pati një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku tha se qeveria Rama po pengon integrimin e Shqipërisë dhe po rrënon ekonominë.

Në komentet për gazetarët ai tha se “Hetimi dhe vënia para përgjegjësisë e atyre që bënë këtë krim makabër… është një kusht i patjetërsueshëm dhe një zotim i imi, i cili do të bëhet realitet vetëm atëherë kur vendi të mos ketë një qeveri që kontrollon prokurorinë dhe drejtësinë.”

TENSIONET VAZHDOJNË

Në Tiranë vazhdojnë tensionet pas shembjes nga qeveria dhe bashkia të Teatrit Kombëtar.

Policia publikoi akuzat për artistët dhe qytetarët e arrestuar mëngjesin e së dielës, gjatë operacionit për shkatërrimin e Teatrit.

Një pjesë e të ndaluarve po mbahen ende nëpër stacionet policore nën akuza për tubim të paligjshëm dhe kundërshtim të policisë.

Një numër i madh forcash policore ndërhynë me dhunë në mjediset e Teatrit mëngjesin e së dielës, arrestuan 37 vetë, larguan qytetarët, që rrinin aty për të mbrojtur ndërtesën historike dhe u hapën rrugën mjeteve të rënda për ta hedhur atë përtokë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka njoftuar se do të vazhdojë tubimet e protestës me qytetarët e revoltuar.

Aleanca i ka kërkuar prokurorisë të hetojë dhunën e policisë ndaj qytetarëve dhe shkatërrimin e paligjshëm të Teatrit Kombëtar.

ZERI I AMERIKES