Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ndjek nga afër situatën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu ka vizituar mëngjesin e së shtunës sallën operative në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Forcave të Armatosura. I shoqëruar nga minsitrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, amabasdori Lu është njohur me situatën aktuale pas përkeqësimit të motit në vend si dhe ndërhyrjet e realizura nga Forcat e Armatosura për evakuimin e njerëzve nga zonat e rrezikut apo edhe në hapjen e rrugëve apo forcimin e argjinaturave të lumenjve. Kjo sallë operative ka koordinuar të gjithë lëvizjet dhe ndërhyrjet e efektivëve në terren, në varësi të kërkesave që vijnë nga Emergjencat Civile.

Situata në Jug të vendit pas daljes së Vjosës nga shtrati paraqitet kritike.

Përveç zonave në Vlorë, prurjet e lumit kanë përmbytur totalisht 2 fshatrat e Fierit, Darzezë dhe Povelcë, të Njësisë Administrative Dërmenas.

Ndërkohë raportohet se është prishur edhe ura që të lidh me fshatin Darzezë, duke lënë të izoluar banorët dhe një pjesë të forcave ushtarake, që janë atje për t’u ardhur në ndihmë. Forcat xheniere kanë nisur nga puna për ndërtimin e një ure provizore lidhëse me fshatin Darzezë.

Aktualisht situata vijon të përkeqësohet, për shkak të rritjes së prurjeve të lumit Vjosa, ndërsa pompat e hidrovoreve të Darzezës dhe Semanit janë duke punuar me kapacitet të plotë.

Në këtë zonë po operojnë edhe Forcat e Armatosura, bashkë me një ekip Emergjence të ardhur nga Kosova, të cilët po përpiqen t’ju vijnë në ndihmë të përmbyturve.

Edhe Memaliaj është prekur nga moti i keq, teksa raportohet se një helikopter i Forcave të Armatosura i ka ardhur në ndihmë një shtetasi të sëmurë, i mbetur i izoluar në fshatin Gilavë.

Edhe Bulqiza është prekur nga reshjet e shumta të shiut, ndërsa prurjet e mëdha të Drinit po rrezikojnë dëmtimin e argjinaturës pranë fshatit Gjoricë.

Pritet ndërhyrja e ushtrisë gjatë ditës së sotme, për të përforcuar argjinaturën e lumit, në këtë fshat, e dëmtuar nga reshjet e shumta të natës së kaluar dhe që rrezikon daljen e Drinit nga shtrati.