Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott: Kosova është shtet i pavarur e sovran

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i njohur për qëndrimet e tij pro ruse, reagoi ndaj ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, i cili tha se Kosova është shtet i pavarur e sovran.

Ambasadori Scott, të hënën duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari serb që ju referua qeverisë së Kosovës si “e ashtuquajtura qeveri”, tha se “nuk është e ashtuquajtura qeveri e Kosovës por qeveri e Kosovës. Ne e njohim Kosovën si vend sovran dhe të pavarur dhe ata janë të zgjedhurit e Kosovës dhe ne kemi kontakte me ta sikurse me çdo përfaqësues të zgjedhur të shteteve të tjera të rajonit”, tha ai.

Ministri serb tha më vonë të hënën se ambasadori amerikan, Kyle Scott “ka harruar se Serbia nuk është koloni dhe nuk mund të shkelë dinjitetin e saj”. Madje sipas tij, nëse ambasadori Scott do ta bënte një deklaratë të tillë para presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, “do të dilte kryengulthi nga ndërtesa e qeverisë në Beograd.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e saj e mbështetur edhe nga Rusia, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Por, bartësit e këtyre bisedimeve pohojnë se një marrëveshje normalizimi duket ende e largët.