Ambasadori amerikan Donald Lu: Politikanët, në të majtë dhe në të djathtë, kanë frikë nga reforma në drejtësi

Ambasadori amerikan Donald Lu deklaron se politika shqiptare dështoi sërish duke mos miratuar listën për anëtarët e KLGj-së dhe KLP-së. Në një reagim në Facebook, ambasada thotë se politikanët nga e majta dhe nga e djathta kanë frikë nga reforma në drejtësi.

“Politikanët, në të majtë dhe në të djathtë, kanë frikë nga reforma në drejtësi. Mos u përqëndroni në lajmin e keq se politikanët dështuan sërish të bashkëpunojnë në përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së. Përqëndrohuni në lajmin e mirë se Kushtetuta e kishte parashikuar këtë gjë dhe sot i përzgjodhi anëtarët në mënyrë rastësore. Unë kam më shumë besim në një përzgjedhje të rastit sesa në përzgjedhjen nga politikanët. Reforma në drejtësi ka hedhur një hap përpara”, shkruan ambasadori Donald Lu në Facebook.