Ambasadori, Aleksandër Karpushin: Rusia nuk ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë

Aleksandër Karpushin ambasadori i Rusisë në Tiranë ka komentuar akuzuat për ndërhyrjen e Kremlinit në politikën e shqiptare. “Ne sërish kemi të bëjmë me përdorimin e konkluzioneve të rreme për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në punët brendshme të vendeve ballkanike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Ekspertë të arsyeshëm shqiptarë i kanë analizuar tashmë dhe i kanë dhënë vlerësimin e merituar këtyre “bombave” mediatike. Ndërkohë që ne ndihemi të keqardhur lidhur me këto përpjekje për të luajtur kartën ruse për qëllimet e politikës së brendshme dhe të jashtme. Do të doja të siguroja lexuesit e gazetës suaj dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë se në këtë kontekst fjala nuk bëhet aspak për ndonjë ndikim negativ rus, të mos flasim për ndonjë plan agresiv”,- tha Ambasadori i Rusisë në Tiranë Aleksandër Karpushin për gazetën “Albanian Daily News”.

Intervistoi: Genc Mlloja

9 Maji shënon 73-vjetorin e Fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Së pari, z. Ambasador, cila është rëndësia e kësaj dite për popullin rus, dhe së dyti, si do të festohet ajo në Rusi?

Po, është e vërtetë që më 9 maj do të kremtojmë një nga festat më të nderuara në Rusi, që është Dita e Fitores së popullit rus në Luftën e Madhe Patriotike të viteve 1941-1945. Plot 73 vite më parë u shpartallua nazizmi, kjo forcë e frikshme dhe cinike. Dhe nuk kemi të drejtë të harrojmë se si kjo forcë u shfaq, rritej dhe bëhej sa vjen e më arrogante para syve të të gjithë botës, se si barbarët synonin t’i asgjësonin popujt e tërë dhe të bëheshin sundimtarë të fateve të vendeve dhe kontinenteve.

Tani që jemi në prag të kësaj feste kombëtare, duhet të shprehim nderimet veteranëve që ishin pjesë e asaj lufte të tmerrshme. Populli i Bashkimit Sovjetik kaloi luftën në një rresht të vetëm, me një ndjenjë vllazërie, dhe vuajti mundime dhe prova kaq të mëdha që njeriu dukej se nuk i përballon dot.

Ishte një luftë e përbashkët me një armik të frikshëm dhe brutal, prandaj mirënjohjen tonë të thellë u shprehim me të drejtë edhe të gjithë veteranëve të lëvizjes partizane shqiptare. Ashtu sikundër ushtarët rusë, ata nuk iu nënshtruan armikut dhe u bënë autorë të vërtetë të Fitores së përbashkët mbi fashizmin. Për ne 28 mijë dëshmorë shqiptarë të rënë gjatë luftimeve në tokën e tyre meritojnë të njëjtin respekt dhe mirënjohje, pasi heroizmi i tyre, duke e mbajtur këtu një pjesë të forcave fashiste, e bëri të mundur shpëtimin e jetëve të ushtarëve tanë atje, në frontin lindor.

Për fat të keq, nga viti në vit, jo pa ndihmën e propagandës perëndimore, e vërteta e Luftës së Dytë Botërore, fillesave të saj dhe fitores ndaj fashizmit vazhdon të shtrembërohet. Në ndërgjegjen masive po zhduket kujtimi i luftës heroike dhe sakrificave të stërgjyshërve tanë. Po lihen pa vëmendje shumë shembuj të ringjalljes së ideologjisë naziste dhe krijimit të lëvizjeve neonaziste. Duke e harruar dhe deformuar historinë tonë, krijojmë rrezikun e konfrontimeve të reja ushtarake që mund të çojnë në luftën e tretë botërore.

Në fakt është një rast për të bërë një rezyme se çfarë është “Russia Today”, në kuptimin se çfarë është arritur dhe a janë të kënaqur njerëzit me situatën aktuale?

Mund të flas shumë gjatë për këtë temë. Por, do të përpiqem të shprehem shkurt. Pas një shkatërrimi shumë të rëndë politik, ekonomik, ushtarak dhe shoqëror të viteve ’90, Rusia sot po ngrihet në këmbë në mënyrë shumë të sigurt. S’besoj të ketë njeri që do ta vinte në dyshim rolin aktual të Rusisë në politikën botërore. Gjëja më e rëndësishme është se Rusia ka rikthyer zërin e saj, i cili merret në konsideratë nga shumica e vendeve të botës ku jetojnë të paktën 3/4 e popullsisë globale. A u pëlqen kjo të tjerëve apo jo, kjo është një pyetje subjektive. Por është tashmë e pamundur ta fusësh prapë Rusinë në ato korniza që Perëndimit i dukeshin normale në fund të shekullit të kaluar. Mjafton t’i shikosh pasojat e të ashtuquajturave sanksione. Ekonomia ruse ka rezistuar dhe tregon tani qëndrueshmëri dhe rritje, edhe pse të moderuar. Ringritja e fuqisë ushtarake të vendit tonë nuk përbën sekret për askënd. Dhe oponentët tanë nuk e shpërfillin dot këtë gjë. Dhe nëse kalojmë tek pjesa e fundit e pyetjes, pra sa të kënaqur janë qytetarët e Rusisë, mund të kujtoni rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale në vendin tonë. Zgjedhjet shënuan rekord për pjesëmarrjen e lartë në votim, si edhe për përkrahjen popullore të Presidentit aktual. E gjithë kjo flet vetë.

Ndërkohë, situata ndërkombëtare duket pak e komplikuar, sidomos pas skandalit diplomatik lidhur me helmimin e dy shtetasve rusë në Salisbury të Britanisë së Madhe. Cili është impakti i kësaj në atmosferën e jetës së përdithsme të qytetarëve të Rusisë? A po shkon bota drejt një lufte të re të ftohtë siç ishte në vitet ’70?

Unë ndaj shqetësimin tuaj. Kohët e fundit ndodhi një acarim shumë serioz i situatës ndërkombëtare, i cili erdhi si pasojë e akuzave të pabaza, mosbesimit dhe dyshimeve në rritje midis shteteve.Shumë analistë politikë besojnë se bota nuk është thjesht në prag të një një lufte të re të ftohtë, por tashmë ka hyrë në atë fazë. Madje, shumë ekspertë pohojnë se situata aktuale ndërkombëtare është shumë e ngjashme me situatën në prag të Luftës së Dytë Botërore. Ne duhet të kujtojmë dhe të pranojmë hapur seplanet agresive të nazistëve nuk u ndeshën asokohe me asnjë kundërveprim kolektiv. Ishin pikërisht mosmarrëveshjet midis vendeve dhe konfrontimet idologjike midis tyre ato që e bënë të pamundur parandalimin e konfliktit botëror.

Sot një nga garancitë absolute për të shmangur tragjedi të tilla është zbatimi rigoroz i së drejtës ndërkombëtare, respektimi i sovranitetit shtetëror dhe zgjedhjes së pavarur të çdo populli. Për fat të keq, kohët e fundit kemi dëgjuar shumë herë nga partnerët tanë perëndimorë kërcënime për ushtrimin e forcës kundër vendeve të caktuara. Një sulm raketor u krye së fundmi kundër Sirisë, madje u bë me një pretekst krejtësisht të sajuar. Siç dihet, kryerja e “sulmit të parë” në luftën bërthamore është tani pjesë e doktrinës zyrtare të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, të ndryshuar në dhjetor 2017. Ndërkohë që është fare e qartë se çdo luftë në ditët e sotme mund të shkaktonte asgjësimin e të gjithë njerëzimit.

Sot objektiv kryesor i të gjitha forcave përparimtare duhet të jetë axhenda pozitive dhe zgjidhja e problemeve që janë të përbashkëta për të gjitha vendet. Në mesin e tyre janë lufta ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar, minimizimi i rrezikut të konfrontimit ushtarak, prëgjigjja ndaj sfidave mjedisore, etj. Na mbetet vetëm të shpresojmë se, siç u shpreh Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, “gjykimi i shëndoshë dhe instinkti i vetëruajtjes do të mbizotërojnë dhe do të parandalojnë shpërthimin e luftës së tretë botërore”.

Dhe për sa i përket jetës së përditshme të popullit rus, ka pak gjasa të ndiejë ndojnë impakt të drejtpërdrejtë të përplasjes së jashtme. Rusia është një vend i vetëmjaftueshëm, me resurse dhe mundësi të jashtëzakonshme. Sanksionet e vendosura kundër saj vetëm ndihmojnë në konsolidimin e brendshëm të shoqërisë dhe nxisin zhvillimin e vendit me forcat e veta në të gjitha drejtimet.

Shqipëria ka qenë vend i vetizoluar i cili dënoncontenë të njëjtën kohë të dyja superfuqitë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Sot Shqipëria është vend-anëtar i NATO-s dhe si rrjedhojë iu bashkua vendimit të fundit të Aleancës për dëbimin e diplomatëve rusë. Si e shikoni ju këtë qasje dhe si mund të ndikojë në marrëdhëniet aktuale midis dy vendeve?

I kam dhënë disa herë përgjigje kësaj pyetjeje. Vendimi i palës shqiptare ishte i pajustifikuar dhe u miratua nën trysninë e jashtme për të demonstruar të ashtuquajturin “solidaritet transatlantik”. Nuk ka asnjë dyshim që efekti i këtij vendimi ka filluar tashmë të shfaqet tek lidhjet dypalëshe, duke i çuar në zero përpjekjet tona për të normalizuar marrëdëniet.

Duke u nisur nga supozimet e “risistemimit” global gjeopolitik, si mund të shihen disa lëvizje të diplomacisë ruse ndaj Turqisë, Greqisë, Kinës, Iranit, etj., dhe sidomos impakti i konfrontimit në Siri, ku humbjet njerëzore tashmë kanë marrë përmasat biblike?

Nuk e kam shumë të qartë se çfarë nënkuptoni me “disa lëvizje të diplomacisë ruse” ndaj vendeve të përmendura. Kina dhe Irani janë partnerë tradicionalë dhe të provuar të Rusisë. Ndërkohë që Greqia dhe Turqia nuk janë aspak të vetmetnë NATOdhe BE që nuk pranuan të bashkoheshin me fushatën e fundit rusofobe. Listën e “renegatëve” ju e keni parë vetë dhe ajo nuk është e shkurtër, të mos flasim pastaj për shumicën dërrmuese të vendeve të botës, të cilat po e shikojnë me habi të madhe të gjithë këtë spektakël të paturpshëm. Vendimi i Ankarasë dhe Athinës për të mos dëbuar diplomatët tanë tregon pavarësinë dhe paanshmërinë e politikës së tyre të jashtme, si edhe aftësinë e tyre për të parë në mënyrë kritike udhëzimet që vijnë nga anglezët dhe amerikanët. Turqia dhe Greqia, si edhe shumë vende të tjera, kanë treguar me veprimet e tyre që vazhdojnë të jenë partnerë të besueshëm. Kjo pa dyshim që do të kontribuojë në marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

Për sa i përket “risistemimit” global, do t’ju sugjeroja shumë ta lexoni artikullin konceptual të Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov “Perspektiva historike e politikës së jashtme ruse”. Mund ta gjeni tek faqja zyrtare e Ministrisë. Edhe pse është publikuar dy vite më parë, ky shkrim mbetet shumë aktual edhe në ditët e sotme.

Sot për sot Rusia akuzohet zakonisht nga propaganda perëndimore për “revizionizëm” dhe për gjoja dëshirën e saj për të shkatërruar sistemin ekzistues ndërkombëtar, sikur të ishim ne ata që bombardonin Jugosllavinë në 1999-n në shkelje të Kartës së OKB-së dhe Aktit Përfundimtar të Helsinkit. Sikur të ishte Rusia ajo që injoroi të drejtën ndërkombëtare duke pushtuar Irakun në 2003-n dhe shtrembëroi rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke e rrëzuar me dhunë regjimin libian tëMuammarGaddafit në 2011-n. Dhe shembuj të tjerëtë këtij lloji ende vazhdojnë të shfaqen. Më flagranti prej tyre është tragjedia e Sirisë.

Gjykime për “revizionizmin” janë të pafuqishme përballë kritikës dhe faktiksiht bazohen në një logjikë e cila është e thejshtë deri në primitivitet: sipas saj, sot në çështjet ndërkombëtare i vetmi që mund të “japë komanda” është Uashingtoni. Kjo qasje do të thotë se në arenën globale është pranuar parimi i formuluar nga George Orwell-i se të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët. Megjithatë, marrëdhëniet ndërkombëtare në ditët e sotme përbëjnë një mekanizëm tepër të nderlikuar i cili nuk mund të menaxhohet nga një qendër e vetme. Zgjidhja e sigurt e problemeve të botës moderne mund të arrihet vetëm përmes një bashkëpunimi serioz dhe të ndershëm midis shteteve kryesore dhe unioneve të tyre në funksion të përmbushjes së objektivave të pëbashkët. Në një bashkëpunim të tillë duhet të merren parasysh larmia e botës bashkëkohore dhe diversiteti i kulturave dhe qytetërimeve, si edhe të mishërohen interesat e elementeve kryesore të komunitetit ndërkombëtar.

Siç tregon praktika, kur këto parime vihen në jetë, shumë rezultate të mëdha bëhen të arritshme. Këtë qëndrim tonin e ndajnë shumica e vendeve të botës, përfshirë këtu partnerët tanë kinezë, anëtarët e tjerë të BRICS dhe SCO, miqtë tanë nëEAEU, CSTO dhe CIS. Me fjalë të tjera, mund të themi që Rusia nuk lufton kundër askujt, por lufton për rregullimin e të gjitha çështjeve në bazë të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të formohet një themel solid për “shëndetësimin” jetëgjatë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shkëlqesia Juaj, ashtu sikundër në vende të tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri forcat politike po i referohen rrezikut të influencës ruse, madje shkojnë më larg duke akuzuar njëra-tjetrën për bashkëpunim me qarqet ruse. Në disa raste, liderët politikë në Shqipëri i referohen kësaj teme në debatet e tyre në mënyrë të dukshme për t’i bërë presion Brukselit për hapjen e negociateve të anëtarësimit me Tiranën. Si mund të komentoni të gjitha këto?

Në pjesën e dytë të pyetjes ju dhatë edhe përgjigjen. Ne sërish kemi të bëjmë me përdorimin e konkluzioneve të rreme për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në punët brendshme të vendeve ballkanike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Ekspertë të arsyeshëm shqiptarë i kanë analizuar tashmë dhe i kanë dhënë vlerësimin e merituar këtyre “bombave” mediatike. Ndërkohë që ne ndihemi të keqardhur lidhur me këto përpjekje për të luajtur kartën ruse për qëllimet e politikës së brendshme dhe të jashtme. Do të doja të siguroja lexuesit e gazetës suaj dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë se në këtë kontekst fjala nuk bëhet aspak për ndonjë ndikim negativ rus, të mos flasim për ndonjë plan agresiv.

Shkëlqesia Juaj, në datat 28-30 prill 2018 në jetën fetare të dy vendeve tona ndodhi një ngjarje historike. Shenjtëria e Tij, Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë Kiril zhvilloi një vizitë në Shqipëri, ku përveç bisedave me mikëpritësin e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastas, pati dhe takime me udhëheqës të lartë të Shqipërisë. Në këndvështrimin tuaj, cila është rëndësia e kësaj ngjarjeje, e para e këtij lloji në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi?

Vizita e Primatit të Kishës Orthodhokse Ruse në Shqipëri e realizuar me ftesë të Kryepiskopit Anastas është një ngjarje me të vërtetë historike, e cila tregoi unitetin e botës orthodhokse dhe angazhimin e përbashkët të Kishave Orthodhokse lokale në përmbushjen e misionit të tyre të çmuar: t’i bëjmë shoqëritë tona më të suksesshme dhe më të begata, të zhveshura nga armiqësia, agresioni dhe shfaqjet radikale, si edhe t’i ruajmë dhe t’i forcojmë vlerat e familjes tradicionale. Vizita e Patriarkut Kiril vajti me shumë sukses të madh, në radhë të parë falë pritjes vëllazërore që iu ofrua kreut të Kishës Ruse nga komuniteti orthodhoks i Shqipërisë, i cili e priste me padurim këtë event, përgatitej me gëzim të sinqertë për ardhjen e Patriarkut rus dhe e mirëpritimë në fund sipas traditave më të mira të mikpritjes së famshme shqiptare. Si rrjedhojë, qëndrimi treditor i Patriarkut në tokën shqiptare u kthye në një festë të vërtetë të mbushur me emocione të ndritshme të Pashkëve.

Siç dihet, Kishat Orthodhokse të vendeve tona kanë përjetuar një përvojë të ngjashme të persekutimeve ateiste. Në shekullin XX të dyja Kishat vuajtën prova të frikshme dhe në vitet ’90 arritën ta ringjallnin plotësisht jetën fetare. Mësimet e përbashkëta të së kaluarës, po sigurisht edhe miqësia gjysmëshekullore e dy primatëve, përbëjnë një themel të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkishtar. Shpresojmë patjetër që atmosfera e papërsëritshme miqësore që mbizotëronte gjatë vizitës së Patriarkut Kiril në Shqipëri do të ndihmojë edhe në normalizimin e dialogut politik midis vendeve tona. Vizita tregoi se rusët dhe shqiptarët ushqejnë një simpati të ndërsjellë, respektojnë njëri-tjetrin, duan të komunikojnë dhe bashkëpunojnë. Dhe pikërisht kjo duhet të na inkurajojë që të ndërtojmë një marrëdhënie të gjithanshme dypalëshe.

Në përmbyllje, zoti Ambasador, kohët e fundit Tirana është kthyer në një epiqendër të aktiviteteve kulturore të vendeve të ndryshme nën sloganin e diplomacisë kulturore. Edhe Ambasada juaj ka qenë shumë aktive. Pa parë ndonjë konkurrencë në këtë “garë”, nga pikëpamja juaj, si ju duket reagimi i artdashësve shqiptarë ndaj artit, kulturës, letërsisë dhe arsimit rus?

Nuk është fare sekret se sa e madhe është dashuria e shqiptarëve për kulturën ruse dhe se sa mirë njerëzit këtu e njohin letërsinë, muzikën dhe pikturën klasike ruse. Ne e dimë se me çfarë entuziazmi publiku shqiptar i përshëndet aktivitetet kulturore të Ambasadës ruse. Rasti më i fundit ka qenë performanca e Korit Sinodal të Moskës në Berat dhe në Tiranë, dhe para kësaj, koncerti i kornistit rus Arkady Shilkloper në kuadër të Albanian International Brass Festival. Po ashtu, vazhdojnë botime të rregullta të përkthimeve të reja të letërsisë ruse në shqip: gjatë vitit të fundit janë botuar veprat e Fjodor Dostojevskit, Mihail Bulgakov-it, Aleksandër Sollzhenjicin-it dhe shkrimtarëve të tjerë të shquar. Vazhdojnë edhe kurset falas të gjuhës ruse të organizuara nga Ambasada jonë me mbështetjen e Fondacionit “Bota Ruse”. Mjaft të kërkuara tek rinia shqiptare mbeten bursat që jepen falas për në universitetet e Rusisë. Këtë vit kemi vendosur një rekord të ri duke akorduar 50 bursa studimi për maturantët shqiptarë.

Diplomacia humanitare mbetet prioritet për ne në Shqipëri. Objektivi kyç është ta plotësojmë nevojën e madhe të shoqërisë shqiptare për të kontaktuar me kulturën ruse.