Ambasada e Shqipërisë në Vatikan përkujton pesë vjetorin e vizitës së Papës në Tiranë

Veprimtaria do të zhvillohet të mërkurën më 18 shtator në ora 16.30, pranë filmotekës së Vatikanit, me prezantimin e filmit dokumentar “PRITJA” të regjisorit shqiptar Roland Sejko. “Sot – tha Papa me 21 shtator 2014 nё Tiranё – erdha t’ju jap zemër ta përforconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit”.

R.SH. – Vatikan

Më datë 18 shtator, Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me iniciativën e së Ngarkuarës me Punë, znj. Majlinda Dodaj, ka organizuar një veprimtari për të shënuar pesë vjetorin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë. Veprimtaria – njofton Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit – do të zhvillohet të mërkurën, më 18 shtator, në ora 16.30, pranë filmotekës  së Vatikanit, me prezantimin e filmit dokumentar “PRITJA” të regjisorit shqiptar Roland Sejko.

Do të jenë të pranishëm Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet  me Shtetet,  Shkëlqesia Tij  imzot Paul Richard Gallagher dhe Ministri në detyrë për Evropën e Punët e Jashtme të Shqipërisë, Shkëlqesia Tij zoti Gent Cakaj. Po kështu do të jetë i pranishëm, me dëshminë e tij, edhe Drejtori Editorial  i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim, z. Andera Tornielli, si dhe Prefekti i Dikasterit për Komunikim  z. Paolo Ruffini.

Dokumentari i regjisorit shqiptar Sejko, rrëfen persekutimin e shqiptareve gjate komunizmit, duke iu referuar mjaft  edhe librin “RRNO PER ME TREGUE”, shkruar nga françeskani shqiptar, që u persekutua nga diktatura komuniste, Atë Zef Pllumi.  Kjo vepër është një nga dëshmitë themelore për vuajtjen dhe kalvarin e Kishës katolike në Shqipëri, dhe persekutimin e shqiptarëve në përgjithësi nga diktatura komuniste.

Doku-filmi “PRITJA” shfaq, kështu, historinë religjioze në Shqipëri, në pritje të vizitës historike të Papës Françeskut. Siç dihet, më  21 shtator 2014, Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Evropë, një vizitë në gjirin e “një populli që aq shumë kishte vuajtur ideologjitë e së kaluarës”, njofton Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Me rastin e pesё vjetorit tё vizitёs sё Papёs Bergoglio nё Tiranё, 21 shtator 2014, po kujtojmё disa fragmente nga homelia e Papёs nё Meshёn kremtuar nё sheshin Nёnё Tereza, ku Papa Françesku, vuri nё dukje  duke nёnvizuar  historinё e kalvarit tё djeshёm tё popullit e Kishёs nё Shqipёri, por edhe shpresat pёr njё tё ardhme mё premtuese. Nganjёherё gjatё historisё,  – tha Bergoglio – kumtit tё paqes sё misionarёve, iu mbyll porta:“Në një të kaluar jo të largët, edhe porta e vendit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e të ndalimeve të një sistemi, që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare. Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit”.

E pёrmend Shёn Palin Apostull, Ati i Shenjtё, i cili thotё nё letrat e tij se ka kaluar nga Iliria, ku pёrfshiheshin edhe trojet e Shqipёrisё sё sotme. Ungjillin e marrё nga Shёn Pali, shqiptarёt e ruajtёn me jetё edhe gjatё komunizmit. E ёshtё i vetёdijshёm edhe pёr murin simbol tё varrezёs sё Shkodrёs, ku u pushkatuan sa e sa vetё pёr shkak tё fesё sv tyre nё Zotin: “Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.

Sot  – tha akoma Papa nё Tiranё – erdha t’ju jap zemër ta përforconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit; Ungjilli i Tij ju tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rrezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishtin i jep kuptim jetës së njerëzve, të çdo njeriu.