Amanetet e Skënderbeut në orët e fundit të jetës-Sot në 551-vjetorit të vdekjes

Duke parë se nuk kishte qenë asnjëherë më pranë vdekjes se këtë herë, ai i mblodhi të gjithë që ishin të pranishëm në këtë takim dhe u foli:

– Virtyti më i lartë dhe besa e vërtetë është të adhurosh përmes një shpirti të pastër dhe përulësie ndaj perëndisë.

– Së dyti, duhet jo vetëm ta duash atdheun, ku secili ka lindur dhe edukuar, por edhe ta mbrosh dhe ta shpëtosh duke mos kursyer asgjë, as jetën.

– Tani që kam rrokullisur vitin e gjashtëdhjetë e tretë të moshës sime dhe kam marrë tatëpjetën e pleqërisë, tani, o shokë, o bashkëluftëtarët e mi, shikoni po mbaroj i mbërthyer nga sëmundja.

– Pasi të flakë këtë trupin si një barrë të përkohshme dhe të vdekshme do të shkoj në një tjetër botë dhe ta këmbej këtë jetë të shkurtër dhe vuajtjet e saj me jetën e vërtetë.

– Unë e di, se çfarë është e domosdoshme për të gjithë, nuk mund të jetë e vajtueshme për njeriun. Më në fund balta duhet t’i kthehet baltës, ne duhet t’i bindemi natyrës. Ky shpirt i përjetshëm dhe i pavdekshëm dhe kjo frymë qiellore duhet t’i kthehet atij që na e dha dhe na e huajti.

– Përpara se të heq frymën e fundit, e të iki nga kjo jetë e tu lë, me lejen tuaj desha t’ju flas e këshilloj dhe ju të më dëgjoni siç më keni dëgjuar gjithmonë.

– Ju, të gjitha punët do t’i keni shumë të lehta dhe shumë të mbara po qe se ruani si jetën tuaj, paqen dhe bashkimin, besën dhe dashamirësinë ndaj njëri-tjetrit.

– Nuk ka asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë, saqë të mos shembet e të mos rrënohet kur ia lë veten mërive dhe grindjeve. Të lodhur por të bashkuar asnjë armik sado i fortë nuk do të mund të ju nënshtrojë.

-Veç këtyre po u lë amanet birin tim të vetëm Gjonin, i cili është ende i vogël dhe nuk mund të përballojë punët e shtetit dhe të luftës. Prandaj gjënë dhe mbretërinë e tij, o shokë, o bashkëluftëtarë fort të dashur, rrethojeni me atë besnikëri, me atë kujdes, me të cilin unë kam rrethuar tërë të mirën e gjërat tuaja të çmuara.

Që kjo besnikëri, mirësi dhe dashuri, që nuk ju kanë munguar kurrë nga ana ime, t’i keni dhe t’ia tregoni me dëshirën tuaj birit tim, mbretërisë dhe pushtetit të tij, Gjonit tim që unë po jua dorëzoj dhe po ua lë si fytyrë e pasqyrë timen, si mëkëmbës në vendin tim.

Pergatiti. A. Vataj