Aleks Stavre Drenova-Asdreni, letrar dhe atdhetar i shquar i kujtesës sonë shpirtërore

Aleks Stavre Drenova është njëri nga shkrimtarët tanë me një veprimtari të gjatë letrare, prej më se dyzet vjetësh, është ndër ata që bëjnë lidhjen midis letërsisë së Rilindjes dhe letërsisë së viteve të Shtetit Shqiptar të krijuar mbas çlirimit nga Turqia. Personalitet i njohur i lëvizjes patriotike dhe demokratike të shqiptarëve të Rumanisë, i cili u bë përfaqësuesi kryesor i përpjekjes së tyre për kulturën amëtare.

Asdreni u lind më 11 Prill 1872 në fshatin Drenovë të Korçës. Mbasi mbaroi vitin e parë të gjimnazit grek të këtij qyteti, ai mbeti jetim. Në moshën 13 vjeçare mori udhën e kurbetit e u vendos në Rumani, tek kishin emigruar bashkëfshatarët e tij, dhe korçarë të shumtë. Krahas punëve të rënda (çirak dyqanesh, shërbëtor, qymyrxhi etj.) i riu ndihmonte në Bukuresht për redaktimin e gazetës “Shqipëtari” të patriotit demokrat Nikolla Naço. Atje e mbaroi shkollën normale romuno-shqiptare, të themeluar po prej Naços, dhe ndoqi fakultetin e shkencave. Pas vitit 1900 e gjer në shpalljen e Pavarësisë ai zhvilloi një veprimtari të dendur organizative e propagandistike, të nisur me kohë, tani edhe si publicist e poet.

Me pseudonimin Asdren, Aleks Drenova u bë gjerësisht i njohur në botën shqiptare si letrar e si një nga aktivistët më të shquar të lëvizjes sonë kombëtare të mërgimit. Më 1904, Asdreni boton veprën e parë poetike, përmbledhjen “Rreze diellit” që u prit mirë. Në shkrimet e tij, autori i bën jehonë flakë për flakë hovit luftarak që merr lëvizja jonë kombëtare në prag të çlirimit nga pushtimi osman. Ai hap në Konstancë shkollën shqipe, mbledh ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkëpunon me Fan Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, është sekretar i Mbledhjes së Bukureshtit, që kryesoi Ismail Qemali në vjeshtën e vitit 1912 dhe ku u morën vendimet e rëndësishme për shpalljen e menjëhershme të Pavarësisë. Këtë vit ka qarkulluar edhe përmbledhja e tij e dytë e vjershave, “Ëndërra e lotë”, botimi më i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të asaj kohe që renditet pas “Baba Tomorrit” të Çajupit. Në vitin 1914, Asdreni erdhi në atdhe për të ndihmuar pushtetin e Vidit në forcimin e unitetit kombëtar, por u kthye i zhgënjyer në Rumani. “Ky fakt vërteton katërcipërisht se, qeveria e Vidit ishte plotësisht e ligjshme, se për të aspironin burrat më të shquar dhe më patriotë të kombit, ku mund të cilësojmë dy kolosët: Gurakuqin dhe Nolin. Krahu më përparimtar dhe më patriotik, antipod i Haxhi Qamilit, dhe të gjitha forcave që drejtoheshin nga mbeturinat e llumit aziatik” – shënimi është imi (M.B.). Që më 1937, kur ishte në Shqipëri për të fundit herë, poeti përgatiste vëllimin e tij të katërt e të fundit me titull “Kambana e Krujës” e cila u botua pas vdekjes. Asdreni ka dhënë një kontribut të vyer, duke përkthyer dhe përshtatur tekste për shkolla, si tekste historie, gjeografie, fabula e tregime, por që shumica mbetën në dorëshkrim.

Kështu mbeten edhe 23 këngë të shqipëruara në prozë nga “Iliada” dhe 3 nga “Odiseja”. Korespondenca e pasur që la Asdreni, ka vlerë të veçantë për njohjen e lëvizjes sonë patriotike e demokratike. Që në fillimet e tij, Asdreni ishte i qartë për rolin shoqëror dhe të pavarur të letërsisë. Në parathënien e librit “Ëndërra e lotë”, ai formuloi kështu pozitën e vet: “Është një fakt i pamohuar, se letërsia e ka veprimin e saj përmbi shtetin shoqëror e politik të një kombi”.

Tepër aktual ky mendim edhe për ditët dhe kohën që kalojmë. Largpamësia e poetit është e një shkalle tepër të lartë, duke vlerësuar kohën kur është thënë dhe shkruar ky mendim.

“Të flasësh për Asdrenin duhen shumë fletë, madje dhe volume, por në këtë shkrim mendova të shkëpus fragmente nga publicistika e tij, ku kundërmon “aroma” e këndëshme e patriotizimit dhe idealizmit. Aromë kjo tepër e nevojshme për brezin tonë të ri, të shpërndarë anekënd botës. Jam i mendimit se kjo “aromë” është më e këndëshme se ajo e trëndafilit dhe se kjo “aromë” shijohet vetëm me nuhatjen e shpirtit” (M.B.). Ja çfarë e shqetësonte letrarin patriot: Problemi specifik i lëvizjes shqiptare, lufta kundër rrezikut të përçarjes fetare, luftë që bëhej në emër të unitetit kombëtar dhe që përshkoi një pjesë të gjerë të krijimtarisë së poetit, u mpleks me antagonizmin, dhe në veçanti, me antishovinizmin, sidomos me antigrekomanizmin, që u shprehën së bashku.

Vetë rreziku i shovinizmit grek, që ishte përpjekur ta mbyste lëvizjen patriotike të shqiptarëve të Rumanisë, që nga Veqilharxhi, e hodhi Asdrenin në një polemikë të pandërprerë për çështjen e gjuhës dhe të arsimit kombëtar. Kjo polemikë luajti rol të veçantë krahas asaj të Çajupit, Gramenos, Petro Nini Luarasit me shokë, sepse pushteti i propagandës fanariote për t’i imponuar gjuhën e kulturën greke elementit ortodoks shqiptar, frikësonte dhe largonte nga lëvizja, në prag të Pavarësisë, një pjesë të borgjezisë sonë.

Duke goditur qëllimet e shovinizmit fqinj, që priste t’i copëtonte tokat shqiptare fill pasi të shkëputeshin nga Turqia. Tehun kryesor të vargut (me poezi), Asdreni e lëshoi kurdoherë mbi pushtuesit dhe në çastet kur, gjatë Hyrrjetit, me demagogji dhe pseudo-reforma, Xhonturqit kërkonin të vinin në gjumë forcat patriotike të Shqipërisë. Në këto çaste, lirika e Asdrenit u bë pjesë e poezisë më përparimtare duke dhënë impulse luftës për t’u shkëputur nga zgjedha e pushtuesve turq. Aktiviteti patriotik i Asdrenit, largpamësia e tij e ndritur, duhet të vlejë si busull edhe në kohën që po kalojmë.

Shkrimi dhe mendimi i tij intelektual merr vlera të pakrahasueshme kur problemet e asaj periudhe janë prezente edhe në ditët tona.

Mbi mentalitetin e mykur mesjetar duhet të ngrihet i gjithë potenciali intelektual shqiptar në mënyrë që historia të mos përsëritet. Problemet që shtron koha duhen zgjidhur me maturi dhe me frymë mirëkuptimi e tolerance. Me këtë potencial intelektual që disponojmë, me shembujt negativë që na serviri e kaluara, mund të nxjerrim konkluzionet e nevojshme për të mos u bërë pre, e synimeve të huaja. Asdreni mbetet gjithnjë aktual dhe udhërrëfyes.

Mark Bregu