Albin Kurti: Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi të enjten bindjen e tij se ekziston një marrëveshje për shkëmbime territoresh ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe se vota e mosbesimit ndaj qeverisë së tij ndërlidhet me atë marrëveshje.

Parlamenti i Kosovës miratoi të mërkurën mbrëma mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, zoti Kurti shkroi se “ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi”.

Kryeministri në detyrë shkroi mes tjerash se “qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”.

Gjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme. Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti (Hashim Thaçi) në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha ai.

Gjatë debatit në parlament ai kundërshtoi vlerësimet se mos heqja e tarifave ndaj mallrave serbe sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, i ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me Washingtonin.

“Në këtë rrethanë me trysni të madhe e politika afatshkurtra ku ne jemi më shumë mënyrë se sa qëllim, po e theksoj, është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku e ke marrëveshjen e gatshme midis dy presidentëve e nëse t’i nuk pajtohesh duhet të dalësh në mënyrë demonstrative e të flasësh, atëherë dëmtohen raportet Kosovë-SHBA, kështu nuk dëmtohen. Dhe nëse kanë mundur ta nënshkruajnë pse nuk e bënë? Ama ata nuk mund të nënshkruajnë marrëveshjen pa më thyer mua njëherë, e kuptoni, sepse unë jam në dy palë zgjedhje njeriu më i votuar, nuk bëhet marrëveshja pa më thyer mua, duhet të më thyejnë diqysh mua njëherë, prandaj nuk u bë marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, sepse ata e kanë pasur gati”, tha ai.

Në fillim të muajit mars presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Të dy presidentët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zyrtarët amerikanë që nga fillimi i këtij viti kanë ngulur këmbë që Kosova të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Analistë të ndryshëm thanë se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar për një marrëveshje mbi idenë e ndarjes së Kosovës.

Kjo u hodh poshtë nga presidenti Thaçi dhe ambasadori Richard Grenell i cili tha se një gjë e tillë “nuk është diskutuar kurrë në praninë time”.

Kryeministri Kurti, i gjetur nën trysni për heqjen e tarifave vendosi heqjen e pjesshme të tyre dhe zëvendësimin me masa të reciprocitetit të plotë me Serbinë, por kjo u cilësua si masë “gjysmake” nga ambasadori Grenell.

Lidhja Demokratike kërkoi nga zoti Kurti që t’i heqë ato menjëherë sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Ndarjet rreth kësaj çështjeje kulmuan me vendimin e zotit Kurti për shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së dhe kjo u pasua me mocionin e mosbesimit që i dha fund qeverisë.

Rrëzimi i qeverisë ndodhi në një periudhë kur Kosova po përballet me pasojat e koronavirusit. Deri të mërkurën mbrëma 71 veta janë konfirmuar si të infektuar, ndërsa është regjistruar edhe viktima e parë.

Kryeministri në detyrë shkroi të enjten se “do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, shkroi ai.

VOA