Albin Kurti dhe Isa Mustafa nënshkruajnë marrëveshjen për qeverinë e re të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, hodhën të dielën nënshkrimet në marrëveshjen për formimin e qeverisë së re për të cilën do të votohet të hënën në parlamentin e Kosovës.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, publikuan së bashku njoftimin duke e cilësuar arritjen e marrëveshjes si “të mirë dhe në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend”.

“Ne kemi vlerësuar se synimi që të kemi 12 ministri ka qenë synim i drejt por kemi thënë që është një tendencë e jona dashamirëse për të kursyer sa më shumë. Mirëpo në anën tjetër kur kemi analizuar strukturat e ministrive përkatëse, krijimi i disa super ministrive është dëshmuar se është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Pra nëse ne nuk do të bënim një gjë të tillë atëherë do të zvarritej edhe për mbi një vit reduktimi në 12 ministri. Më mirë ta bëj reduktimin më të shpejt në 15 ministri se sa të presim më gjatë”, tha zoti Kurti.

Sipas marrëveshjes, posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sipas zotit Kurti, kryetari aktual, Glauk Konjufca do të marrë një post qeveritar.

Marrëveshja e sotme nuk e përfshinë edhe çështjen e postit të presidentit, që ishte “mollë sherri” në negociatat për qeverinë e re. Lidhja Demokratike kërkoi që në fillim të negociatave që ai post t’i takojë asaj pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaç, vitin e ardhshëm.

“Sa i përket presidentit, ne jemi marrë vesh që të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të jetë një çështje që do të dakordohemi unë dhe zoti Kurti si lider politik dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën kur është e domosdoshme që të zgjidhet. Sa i përket kryetarit të Kuvendit ne kemi sot Këshillin e Përgjithshëm dhe kemi kryesinë, atje do të vendosim për kuadro dhe për kryetar të Kuvendit. Parimisht ne që nga fillimi kemi thënë që kryetarin e Kuvendit e merr ajo ose ai të cilit ose së cilës Lidhja Demokratike e Kosovës ja ka dhënë besimin dhe qytetarët po ashtu ja kanë dhënë votën e madhe”, tha zoti Mustafa.

Në orët e pasdites, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike miratoi njëzëshëm marrëveshjen, ndërsa lëvizja Vetëvendosje e hodhi atë në referendum të brendshëm sipas parimit “një anëtar – një votë”.

Parlamenti mblidhet të hënën për të votuar qeverinë e re të cilën e presin shumë sfida dhe ndër më të mëdhatë është ajo e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, të katërtat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, pasuan dorëheqjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Prokurosia e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit shënoi edhe ndryshimin më të madh në skenën politike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje doli e para e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe që të dyja partitë thanë se nuk kanë alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre.

Pas 12 vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës del në opozitë.

Tirana përgëzon Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përshëndeti marrëveshjen për bashkëqeverisje të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga z.Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”, shkroi presidenti Meta në rrjetet sociale.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, uroi që të ketë një “bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”.