Albert Vataj: Një kumtim disfatist, si mënyrë për të çliruar nga zgjedha një vullnet lirie

Nga Albert Vataj

Miku im, këtë që dua të të them sot, mund të ta kishë thënë kohë më parë, por gjithsesi edhe sot nuk është vonë. Nuk e mendova të ta them troç, mu hiq qafe, por do të rrekem duke të të kërkuar të më më shqitesh, do mundohem jo dhe aq të justifikohem se sa të të bind pse duhet të më lësh të qetë në vetminë time. Sakaq nëpër të do të të them ndonjë gjë që mund të të vihet pas në këtë ikje.

Pakgjë që po të them, nuk është se e mësova dje. Jo. Me këtë të vërtetë, prej së cilës dua të të çliroj si prej një zgjedhe, më është dashur të ndeshem çdo ditë e çdo moment që kur kam guxuar t’i shoh gjërat në sy dhe t’i njoh ato me emrin e tyre të vërtetë. Si kokëmushkë që isha, besova te qëndresa, te virtyti, te ndershmëria, te pasioni dhe përkushtimi, dëshira dhe mirësia, si te shumë gjëra për të cilat gatitesha t’i blatoja gjithçka timen të vlertë. Bashkë me dëshirimin për të jetuar ëndrrën dhe dlirësinë, dhashë përulësi, kërkova idhuj dhe predikova për dishepuj, duke rekrutuar në rrugën time fatkeq, njërin prej të cilëve edhe ty.

Ndaj, guxoj të ta them troç, siç ke patur mirësinë të më dëgjosh gjithnjë me përzemërsi dhe interesim, dëgjomë edhe kësaj here.

Ik, bjeri vetes pas.

Jeto ditën e sotme si të ishte dita e fundit miku im.

Nuk i dihet asnjëherë se nga mund të vijë ai shkulm frymë që shuan dritëzën e qiririt të jetës. Asgjë në ne nuk është me e kërcënuar se sa vetë jeta, e kjo për fajin e askujt. Nëse nuk ke luajtur me flluska, mundohu ta kuptosh vetveten si një e tillë që një moment të beftë, fap, pëlcet dhe…. gjithçka merr fund, krejtçfarë i mbetet të shkuarës, harrimit, hiçmosgjësë. Sado të përpiqesh ta kuptosh ndryshe, thjeshtë po rrekesh të ngushëllosh egon tënde të sipërmarrjes për të ndryshuar botën përmes idesë absurde të realizimit të sipërmarrjes ndëshkuese dhe kurrë të përmbushur të Sizifit.

Gabim, shumë gabim miku im. Përpiqu sa të jetë e mundur t’i thjeshtosh problemet dhe vramendjet, zemërplasjet dhe gjuhëhelmatisjet. Nuk i’a vlen. Gjithçka është asgjë në këtë mundësi të rastësishme të të bërit të gjërave dhe të të jetuarit të gjendjeve. A e ke të mundur t’i marrësh sa më shumë nga ngjyrat e dritshme dhe hareja, nga ato momente, të cilat pasi të kanë mbushur me çmendurinë dhe dalldinë e gëzimit, janë bërë më të huaja se asgjë tjetër dhe më trazimtare se çdo gërvshitje që ta tharton shijen e gjësë që je gati ta bësh tënden në tërësinë e asaj çfarë ajo të jep.

Miku im, ndoshta të duhet të mendosh, edhe të arsyetosh për hir të një konsensusi detyrues të racionalitetit dhe paktit civilizues të njeriut tek ti, por mos u përpiq që ta vendosësh veten në rolin e këtij personazhi që krijohet duke u shpërbërë.

Nuk po të propozoj ndonjë fatalitet si metodologji të mënyrës së jetuari të gjërave, po përpiqem së pari të të shpëtoj nga unë, nga ai tipi i pandreqshëm, i cili kërkon përjetësinë në gjërat e përkohshme, kërkon përkorjen në baltovinën e teprimit, mizerjes dhe banalitetit. Unë jam thjeshtë një e keqe që duhet konsideruar si rrezik. Shpëto, sa je ende në kohë për të rifituar veten. Ka raste që edhe unë kam kaq shumë gjëra kundër vetes, sa më duket vetja gjithnjë e më i huaj në këtë tretësirë ku jam derdhur. Ndoshta duke më braktisur, jo vetëm do të shpëtosh duke mësuar të jetosh ndryshe, por do të fitosh atë vetvete të lënë peng në idetë dhe idealet e mia të jashtëkohëshme dhe përndjekëse.

Bota miku im ka ndryshuar në gjithçka e përgjithmonë. Nga ata që kërkojnë ta mbajnë në jetë këtë mumje të dekompozuar idesh dhe idealesh kokëshkreta, jam edhe unë, por nuk ka arsye të të lëjoj të mbetesh edhe ti në këtë masë mishtore që zvarritet ndërkohë që gjithçka dhe gjithkush ka nxënë të fluturojë. A nuk është bukur të gabosh, t’i jepesh deri në thërmijën me të mbrame asaj shkëndije çmendurie heretike, pa u drashtur për ndëshkimin puritan. Të bësh çfarë të tjerëve u pëlqen, duke lënë mënjanë çfarë në ty është obligim solemn. Të ikësh pa e kthyer kokën pas. Po miku im, duhet të bëj çmos të të shkëpus nga kjo molepsje që duke tu ofruar si një mundësi zgjedhjeje, kërkon të ju nënshtrojë duke ju propozuar një robëri mes shumë zgjedhash të tjera.

Ti mund të pyesësh se pse? Shumë e thjeshtë. Veten time nuk do i’a propozoja as vetes. Në këto rrethana sinqeriteti sipëror, po kërkoj që të përpiqeni të më harroni së bashku me ato budallallëqet e mia, dehja e të cilave të ka dhuruar atë idil që përveç se të ka bërë të vuash, ka kërkuar nga ty ta shohësh botën ashtu siç dëshiron dhe jo siç është.

Ende nuk është vonë të marrësh një shteg tjetër për të mbërritur atje për ku je nisur, miku im. Rend pa menduar se çfarë të pret. Thjeshtë ec dhe duke ecur jeto çasti, momentin, i cili gjithnjë mund të jetë i fundit. Kemi ëndërruar dhe shpresuar të ndryshojmë gjërat dhe botë, duke injoruar faktin e pamohueshëm të pamundësisë për ta çuar këtë synim përtej tentativës. Më shumë se vullnetin për të bërë diçka të mirë, patëm dëshirën që gjithçkaje tu vinim emrin tonë. Gomarllëk me brirë, qendërzimin e gjithçkaje te çapitja jonë modeste dhe naivitetin ngulmues i qendrës së botës.

E imagjinoni se sa e trishtueshme është që në shpirtin tonë që do të marrim në përjetësi, do të bartim për në amshim gjëra të papërfunduara, gjëra që do të na bëjnë të vuajmë në një dimension më të papërmasshëm të kohës dhe hapsirës, për një fakt shumë të thjeshtë, se atje nuk do të kemi mundësi të përfundojmë asgjë.

Ndaj miku im, jepi si të dish dhe si të dëshirosh, jeto të sotmen si të jetë dita e fundit që të ka mbetur të bësh dhe mos mendo se nëse kur të shtrihesh të flesh, të pret një zgjim, nuk i dihet asnjëherë.

Unë nuk e kam vendosur të ndryshoj, jo sepse nuk dua, por nuk mundem. Por si mik të çmuar që të kam, si vlerë e asaj që më mbetet t’i jem mirënjohës, po të kërkoj t’i kthesh shpinën atij që ka kërkuar pareshtur të të bëjë si vetja, të të skllavërojë. Gjithsesi nuk është e lehtë, por më e vështirë të mbetet të vazhdosh të më vihesh nga pas në një udhë që nuk të shpie askund.

Për kaq sa kam bërë, e ndjej detyruese t’u kërkoj të falur. Unë nuk dua të mbaj veç brengave të tjera, me të cilat ngarkoj zemrën dhe shpirtin edhe të drejtën tënde për të jetuar jetën, siç ti dëshiron, siç një forcë supreme e ka paravendosur. Ik, më mirë të të shoh siluetën ndërsa ikën e më lë, se sa të shoh panoramën e asaj jete teksa shuhet në përpjekjen për të përfunduar atë që është vetëm rrugëtim.

Ik, vetvetja ime dhe lërmë në shenjtërinë e kësaj vetmie.