Albert Vataj: Familja, parajsa me të cilën jemi shpërblyer nga krijuesi

Nga Albert Vataj

Ju mund të keni gjithçka në jetën tuaj, por familja është gjëja më e rëndësishme që keni.

Ajo është më i larti përbetim ndaj të cilit ju kërkohet të jeni besnik dhe i përulur, vetëmohues dhe ngadhënjimtar.

Ajo ju kërkon gjithçka, për t’u dhënë në këmbim atë që nuk do ta gjeni askund. Atë, familjen, e ka ofruar krijuesi si sprovë e së mundshmes dhe meritimit, si nevoja e patjetërsueshme e vazhdimësisë.

Ka udhë të pafundme që na shpien në këtë parajsë, por më e rëndësishmja është dashuria.

Dashuria, vetëm përmes saj do të jetë e mundur ndërtimi i një familje të lumtur, gazmimi i një begatie të shpirtit.

Dhe është pikërisht familja, ky fryt i përkujdesjes dhe përkushtimit, sakrificës dhe devotshmërisë, me të cilën në shprehim më të epërmin detyrim që kemi ndaj jetës dhe atij vullneti suprem që na shpërblen kundrejt një mirënjohje .

Familjen, atë garantin e motivimit dhe përtëritësi e energjive shtytëse, atë të shëndoshen, mbi platformën e së cilës ne ngremë rrokaqiejt ëndërrtar të së ardhmes, e mbajnë mbi supe prindërit.

Të jesh prind dhe bashkëshort nuk është një sipërmarrje e çfarëdoshme, ajo është një përpjekje e pashtershme për të dhënë gjithçka që ke me të njëjtën përulësi dhe përkushtim, me të cilën vetë krijuesi të jep lumturinë.

Jo vetëm dashuria dhe mirëkuptimi, por edhe sakrificat janë ato që e bëjnë familjen institucionin e kuptimsisë së themeltë të jetës, ato që i japin përpjekjeve tona energji përtëritëse, ato që vullnetet e hyjshme u’a bëjnë dhuratë atyre njerëzve, tek të cilët e drejta për tu ndjerë të prekur nga mrekullia e dritës është një legjitimitet për të qenë zotërues të një familje të lumtur.

Të zotërosh atë që meriton është të pranosh atë për të cilën ti ke kontribuuar. Të arrish të kesh një familje të cilën ke ëndërruar, është shumë e vështirë, po aq sa t’i shndërrosh dëshirimet në mundësi, në një të tashme ku gjithçka që është potencialisht e mundshme, mbetet seriozisht kërcënuese të të vrasë ëndrrën.

Fjala është vetëm vegimi i ideimit të asaj që lips t’i jepesh me mish e me shpirt, pa kursyer asgjë dhe pa ndaluar asnjë çast, asaj që të çon te familja, tek ajo që të përfaqëson, tek ajo që bëhet dëshmitar i lartësisë ku ti e ke vënë këtë altar… beso, gjunjëzohu dhe lutu, të jesh edhe ti një i zgjedhur, me të cilin vullneti i shenjtë ka shpërblyer sakrificën tënd.