Albert Vataj: Bylbyli qi iku t’ue m’lan n’buz kangën e vet

Nga Albert Vataj

Mu rrxue te kamt, nji ditë lume, nji bylbyl. Mu ba se m’ra nji cop e atij qielli t’ngrysun. Nji bylbyl krahthyem lshoi kangën e mrame t’idhnimit n’pllamën teme. Zemra i rrihte me tërbim e frym mujta me i dhan prej temes, sa mujta. E majta n’gji, e mbulova me hukamë e za pajtues. E mbas pak çili syt, e sqepin mujti me hap, veç nji grimë. Nejti me mue bajagi ditë e tue u përtri, po lypja me këndue, ndoshta jo me m’falenderu, se sa me e pa me syt e mi se si ndodh mrekullia e kangës.
Lutjeve t’mija nuk i bani derman, as lumnimit t’vet nuk i dha ndoj frymë.
E njashtu tue kundue, i fola:
-Bylbyl, ty qi idhnimi t’ka mundun e ke nji dëshirë me i’u dhan nji hareje, e druen se s’ke me mujt me këndi si më parë, provoje njat’herë kur n’ty diçka lyp me dal, si tue dasht me i’u dhan nji shpengimi e gjen shtegun kah me vërshue. Dhimbja bashkë me krahët t’ka plague edhe shpirtin, t’ka plasun sqepin e t’ka rrënue ç’ka n’syt e tu shpërthen kjartësijet e gjimun dëshirimit me t’rrok n’fluturim.
Bylbyl, ndoshta s’ke me mujt me këndu si ma par’, por dije, kanga pa ty nep shpirt, e njiherash gumzhimit t’hares e amëlcimit dehës i rrxohen ngjyrat, si pemve n’vjeshtë gjethet, t’u mbulu tançka rrok syni me pikllim.
Kanga jote asht si ai pluhni magjik, qi andja lshon n’pyll e krejtkah mbulohet me vezullim, siç din me stolis vetëm peneli i piktorit. Ajo m’ka msue se si pikon mrekullimi i qiellit prej degve, e ka lyp n’mue njaq ëndje me e rrok sa ç’mundet me t’dhan qielli kur t’deh n’fluturim ty.
Këndo bylbyl kangën tande. Lshoje krejtkah njat za qi mylmen zemrën me polen e pranverën e ysht n’mugëllim. Harroje dhimbjen, strehën e çjerrun e degën e thyme. Lenja t’shkuemes ç’ka t’la idhnimi e mprehe sqepin n’njaton pend e këndo. Ti ndoshta tue e varrue andjen me këndue, nën nji psherëtim t’pazashme, s’don me ligshtue shpirtin e zemrën me e fut n’dhnim. Ngulmo ku pesha e vajit t’shkel e del si tue gufu prej territ, e nepju dritës, t’bardhave rreze qi tash tue t’pa njashtu t’molisun tash t’ngjyjn e n’ndoj anje t’përpushin. Hiqju t’liges qi t’ka kafshue zemrën, se ti s’je strehë e pikllimit. Nepju njatij hiri t’përmallshëm e njasaj gjëndje gazmuese e këndo, siç veç ti din me këndue.
Provoje se tash t’kanda me u ndi i dritshëm e përplot prush e flakërim. E njashtu si je tash ka me t’bulu n’buz ndoj melodi, e zani jot ka me e lshue pa hiri ndoj varg qi flen n’shpirtin tand e ngucet me gjet kah me i’u lëshu nji cicërimet.
Bzaj me za t’kijametshëm n’se ke me lshue ndoj britmë, e provo me dal ku t’ka ngujue idhnimi, i andshmi i këndimit. Hiqju zoritjes e zanit vajtues t’pikllimit qi t’mrryl shpirtin, e shpërthe n’ji andje, n’njat qi din me t’zgju t’tana dëshirat e me t’i përmend krejt andrrat, e këndo.
Noshta s’ke me mujt me këndu si ma parë, por kanga ka më t’mush me njat dëshir, me i përgia çdo fëshfërime gjethesh a gumëzhime kroni. Ani, provoje se zemra ka me ta përkund gazmimin, e n’ty ka me u zgjue njajo amëlci. Këndo bylbyl kangën tande, e fluturo tue e çue pesh gazmimi e hareje gjithkah t’çon kanga.
E si i mbarova njato fjalë, i’u dha fluturimit tue vërshue prej pllamës teme e tue xanun vend n’degën e pemës. E xuni me këndu, e me u përpush sa n’nji deg n’tjetrën. Këndoi gjatë,e unë u shmalla me kangën e tij, u ngina, mujta me mbush çdo cep t’amshtit tem me njat amëlcim. Bash fort u knaqa, sa s’dita e s’mujta ç’ka me than e ç’ka me ba veç e lshova vedin n’njat huti e lumnim t’ambël.
E… bylbyli si e tundi kokën e kangën se ndali, nji fluturimi i’u dha dhe iku, m’humi prej syve t’ue m’mbetun brenda meje, kang.
Albert Vataj