Albanët dhe Albanopolis i Ilirisë në qendrën e Alba-ve nga Abla/Alba e Irakut, te Albania e Kaspikut

Albanët dhe Albanopolis i Ilirisë në qendrën e Alba-ve nga Abla/Alba e Irakut, te Albania e Kaspikut, te Alba-Alban i Romës e deri te Albania e Skocisë!

Agron Luka

Një sintezë: Albanët mitologjikë të Herakliut dhe Gerionët e Trefishtë shqytarë-shqiponjatarë epirotë pellazgjikë në mitologjitë e mijvjeçarit I p.e.r. dhe në hipotezat e shek XV. Një fill nga albanët mitologjikë heraklidianë, te fisi abanoi e qyteza Albanopolis. Ridalja te Albania e shek XI, te Regnum Albaniae e shek XIII, kryesimi si formacion emërtimi nacionaliteti e nacioni nga shek XV me vazhdimësi të pakëputur deri më sot. Me këtë formacion vendi Albania, populli alban, gjuha albanishte jemi vetëprezantuar përgjatë gjith shek XX dhe vetëprezantohemi edhe aktualisht në të gjitha forumet internacionale dhe megjithatë për një paradoks nuk ka asnjë lloj kushtetucionalizimi në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë!
Një rivështrim nga hipoteza e harruar mesjetare e M. Barletit.
Historiani dhe analisti kritik multidisiplinor gjerman G. von Stadtmüller, e theksonte dukshëm faktin se, Albania, vendi i vogël i gadishullit, i cili në shek XV u vu në qendërpikën e interesit evropian, arriti të nxjerrë edhe vetë një historiografi albanologjike me Marin Barletin. (Georg von Stadtmüller, “Forschungen zur Albanischen Früchgeschichte”, bot. 1941; citojmë sipas përkth. shqip të A. I. H-Gj. Tiranë, Kap. I, “Gjendja, detyrat dhe rëndësia e hulumtimit historik në Albani”, f 25, shën 44)
Atëhere çfarë thoshte vetë kjo Albania e shek XV me M. Barletin, për origjinën e thellë antike? Po e citojmë: “…Nuk më duket e pavend që të përmend dhe të parashtroj këtu një gjë, për të cilën u qan zemra shumë vetëve, se nga domethënë e ka zanafillën fisi i epirotëve apo i albanëve. Epirotët të cilët janë quajtur edhe albanë, thuhet se e kanë zanafillën e tyre nga albanët, popujt të motshëm e të dëgjuar të Italisë, të cilët kanë banuar edhe në një pjesë të Kolkidës. Siç ma merr mendja mua, ndoshta nuk do të gabonte kush, po të thoshte se prej këtyre albanëve ka rrjedhur gjuha albane apo epirote, gjersa Straboni përmend se atje kanë lulëzuar gjashtëmbëdhjetë gjuhë. Për origjinën e këtyre po atë mendim kanë pasur gjithashtu Papa Piu II, burrë fort i ditur në të drejtën hyjnore dhe njerëzore, dhe disa nga të rinjtë, që kanë shkuar pas Trog Pompeit. Trog Pompei thotë se zanafilla e albanorëve është italike, sepse pohon që albanët Herkulin, i cili kishte shpënë në Itali lopët e Gerionit, e ndoqën pas, kur u largua së andejmi, pasi i mbajti pak për t’i kullotur në malin Alban, i magjepsur nga kullota e pasur. Nga këta pra kanë dalë albanët një pjesë e të cilëve kanë zënë vend në Peloponez, një pjesë në Maqedoni apo në Albani dhe në Epir….” (M. Barleti, “Historia e Skënderbeut”, përthim S. Prifti, bot. 1967, f 95-96)
Nga ky verifikim i parë me origjinalin gjëja e parë jo serioze që bie në sy është se përkthimi i ka deformuar arbitrarisht trajtat origjinale nga Albania si Arbëri, nga albanë në arbër, nga albanor si arbëror/arbër, me një lloj pretendimi se, të dytat ishin trajta më popullore vendase, ndërsa të parat si trajta klasike latine! (Shih edhe fotoskanimin nga botimi original i Barletit latinisht, Fig. 1)
Ndërsa Papa Piu II e shkruante kështu hipotezën e tij: “Ajo që sot quhet Albania, dikur ka qenë një pjesë e Maqedonisë, e kthyer nga perëndimi me Durrësin dhe Apoloninë, qytete këto jo të papërmendura në kohë të lashta. Gjuhën e atij populli nuk e marrin vesh as grekët e as ilirikët. (sllavët e Dalmacisë) Besoj se ky popull do të ketë ardhur dikur nga Albania, që ndodhet afër Kolkidës, në Skitinë aziatike, ashtu sikundër shpesh herë dyndja e popujve barbarë pat pushtuar krahinat e Greqisë dhe Italisë…” (Piu II, “Mbi Albaninë”, në “Komentarët mbi Azinë dhe Evropën”, Kap. XV, f 337; Citojmë, sipas F. Noli, “Gj. K. Skënderbeu”, bot. 1967, f 237, Dok. Nr. 28 Në përkthimin e Nolit emri Albania çuditërisht e arbitrarisht vendoset Shqipëria!)
Konstatohet se Papa Piu II, nuk i ka sjellur albanët e Epirit, Ilirisë e Maqedonisë, direkt nga albanët e Laciumit si italikë, por është shprehur në kahun e kundërt se, nga Albania e Skitisë kanë ardhur albanët e Epirit, në një kohë të lashtë dhe natyrshëm mbetet që edhe albanët e Laciumit të kishin një lloj kushrinie e komunikimi me albanët e Ilirisë dhe Epirit.
Këtë hipotezë mesjetare e kishte edhe Françesk Filelfi më 1463: “Në gjuhën popullore quhen albanë ata që dikur, me emrin albanë, si zbritën nga qafat e malit Kaukaz në gjirin e Adriatikut, nënështruan gjithë fiset që shtrihen prej Ilirie gjer në Peloponez”. (Noli cit., Dok Nr. 47, f 269. Po ashtu përkthimi arbitrarisht e retrospektivisht vendos shqiptarë në vend të origjinalit albanë!)
Në maj të vitit 1947, gjatë një vizite në BRSS, studiuesi e personaliteti shkodran Gjovalin Luka kishte diskutuar për çeshtjen e Albanisë Kaukazike-Kaspike, mbi bazën e materialit të M. Barletit dhe të një harte italiane, ku shënohej Albania Kaspike (Shih Fig 2)
Sugurisht se çeshtja nuk shtrohej në mënyrën infantile, për të gjetur pikën e prejardhjes gjenetike, si pikën e Arkimedit, thjeshtë sepse kishim një koincidencë emërtimesh, por për të hetuar se çfarë kishte endur e tjerrur mitologjia. Vetë fakti i një lidhje të tillë mitologjike, me Herakliun dhe me albanët e tjerë, tregonte për një autoktonitet të thellë të fisit të albanëve në Iliri. Atje u rrahën mendime hipoteza se, qysh në kohën e Aleksandrit të Madh ishte konstatuar kjo koincidencë albanësh; një hipotezë tjetër ishte se ndoshta Aleksandri i Madh kishte vendosur atje një postë të fuqishme albanësh ilirë; tregonte edhe për një lloj vetëdije e uniteti të rracës së bardhë etj. Gjithsesi pranohej se kishte një dorë emërtimesh të koinçiduara nga mitologjia. (Sqarim: Këtë temë si “shumë të rëndësishme” e ringriti E. Hoxha me Stalinin, në korrik 1947 dhe në vitin 1948. Shih, “Me Stalinin Kujtime”, bot. 1979, f 77-82; f 116-117.)

Ç’tregon mitologjia herakliane e albanëve dhe si e trajtonin disa autorë antikë
Mitologjia e Herakliut (?ρακλης) me eksplorimet dhe bëmat e tia, i ngjan një rrjete merimange gjigande në të gjith hapësirën tokësore e detare mesdhetare ku degëzimet e varjantet nuk të lejojnë se nga të orjentohesh më parë. Eksperti autoritet, P. Grimal e theksonte se përpjekjet e mitologjisë antike dhe të vetë shkrimtarëve antikë, për të vendosur një farë rregulli kronologjik në një serial tregimesh të rregulluara (të ashtuquajturat bëmat e Herakliut), detyrimisht bien pre e kurtheve të rrjetës së merimangës dhe e shumë degëzimeve variante.
Në qoftë se ndjekim mitologjinë e kopeve të buajve e bullicave/buacave dhe qeve e lopëve të Gerionit, tregimtaria mitologjike antike na hedh në një ishull Herizan/Erytheia/Erizia, që ndodhej në Oqeanin e Perendimit/Atllantik. Ato kope ishin pronë e Gerionit, biri i Krizaorit. Herakliu shkoi deri atje, në perëndim “në fund të botës”, përtej Shtyllave të Herakliut (Ngushticës së Gjibraltarit) përdori edhe një kupë fluturuese të diellit etj dhe arriti t’i vjedhë kopetë. Ai luftoi edhe me vetë Gerionin dhe e vrau. Rrugës së kthimit i ndodhin disa peripeci, herë i vjedhin ndonjë çift nga kopeja, herë ndonjë çift bie si aksidentalisht etj. Rruga e kthimit i takon nga Gjibraltari në brigjet libike, pastaj në intinierarin nga bregdeti i Galisë, Italisë, Siçilisë dhe për t’u zbarkuar te pika e Korfuzit dhe Epirit në detin Jon. Siç e vëren Grimal, qoftë në pika të ndryshme e qoftë në zbarkimin final, impovizohen plot legjenda lokale. Një pikë ndalese e shohim edhe në Alba në Lacio të Romës, një tjetër në Kalabri ku ia vjedhin një dem/toro të quajtur Italo. Të vërejmë se, emri Italia ka një përfaqësim edhe nga kjo modë mitologjie.
Në finale kopeja shpërndahet në gadishullin tonë diku aty te teritori i lumit Strimon. (P. Grimal, “Enciclopedia dei Miti”, bot. 1990, zëri Erakle, f 228 etj)
Autorët e hershën antikë tregojnë, një tezë tjetër se, mbi një mitologji gadishullore shtresë e lashtë pellazge ishte ngritur mitologjia e Gerionit dhe e albanëve që e ndoqën pas Herakliun.
Scylacis Cariandrensis (shek VI-V p.e.r.) shkuante: “Në krahinën e Kastidias thuhet se ndodhet një fushë që quhet Erytheia. Këtu thuhet se kishte ardhur Geryoni dhe kishte kullotur qetë. Në këto vise janë malet Keraune (në Epir) dhe aty është një ishull i vogël që quhet Sason. (Periplus, Illiroi, 26)
Flav Arriani, shek II shkruante: “Logografi Hekateu (shek VI-V p.e.r) thotë se Herakliu, prej Argosi, i dërguar nga Eurystheu për të grabitur dhe për t’i dërguar lopët e Geryonit në Mykenë, nuk zbriti as te iberrët, as mbi një ishull Erythi të vendosur në Oqean; ai thotë se Geryoni ishte një mbret i kontinentit që jetonte midis Ambrakisë e Amfilohisë, dhe se ishte pikërisht ky vend ku Herakliu i grabiti gjedhët, duke i dhënë fund ndërmarrjes së tij të vështirë. Unë di edhe që kjo krahinë është e pasur në kullota dhe ushqen lopë shumë të bukura. Lavdia e lopëve të Epirit rrjedh ndoshta nga një kohë më e vjetër se Erystheu dhe nuk është aspak e paarësyeshme të besohet se mbreti i Epirit quhej Geryon”. (“Alexandri Anabasis”, Lib. II, 16)
Klaud Eliani (shek II-III) shkruante: “Ky kau që nderonin egjyptasit ishte më i madhi i qeve edhe nga ata të Kaonisë, të cilët thesprotasit dhe epirotët i quajnë larinos, të rrjedhur nga rraca e gjedhit të Geryonit. (“De animalium natura”, Lib. XII, 11)
Lukiani (Volteri i antikitetit) i shek II, shkruante kështu në lidhje me Gerionin, në një nga dialogjet e famshme të tija: “Ti e lavdëron shumë miqësinë ndërmjet njerëzve dhe unë për veten time jam i mendimit se njerëzit nuk mund të kenë pasuri më të mirë e më të bukur se miqësinë… Dy ose tre miq përbëjnë diçka të ngjajshme me Gerionin, që ka gjashtë duar dhe tri kokë, siç e paraqisnin piktorët. E mua më duket se kjo është shembëlltyra e tri qenieve, që i kryejnë të gjitha punët së bashku, siç u ka hije miqve”. (“Vepra të Zgjedhura”, bot. 1979, “Toksaridi ose Miqësia”, f 413)
Zbulimet arkeologjike të shek XX, vërtetuan ekzaktësisht ekzistencën e disa pikturave të tilla në gadishullin tonë, me Gerionin Trefishtë, një lloj trinjaku siamez. (Shih Fig 3)

Rrjedhime nga Ptolemeu, nga Eratosteni e nga disa autorë antikë
Astronomi, përkrahësi i “gjeocentrizmit”, matematikani, gjeografi dhe hartografi i njohur i antikitetit, Klaud Ptolemeu, lindi në qytetin Ptolemais të Egjiptit dhe jetoi e punoi në Aleksandri në shek II. Ptolemais-i si qytet ishte emërtuar ashtu për nderimin e zanafilluesit të dinastisë Ptolemeane, gjeneralit të Aleksandrit të Madh, bazileusit Ptolemeu me origjinë nga qyteza dhe krahina Orestia, kufitare jo larg teritorit të Amantias dhe albanëve. (shih te K. Ptolemeu dhe te S. Bizantini, në zërin përkatës)
Siç e komentojnë disa burime autoritare, Ptolemeu kishte shfrytëzuar disa përmbledhje të autorëve të mëparshëm të shquar, veprat e të cilëve rezultojnë të humbura. Në veprën “Geographia” janë shënuar në tabela me sistemin me gjatësi dhe gjërësi gjeografike, emrat e shumë qytetete e vendeve të gadishullit tonë, si të Panonisë së Sipërme e Panonisë së Poshtme, Ilirisë, Dalmacisë, Maqedonisë, Epirit etj.
Te Ptolemeu hasim për herë të parë të dokumentuar emrin e fisit Alban-oi dhe të një qyteze të tyre Albanopolis. Në tabelë shënohet 46° gjatësi gjeografike dhe 41° 5′ gjërësi gjeografike dhe këto kanë si kufitar më të afërt “tokën e taulantioi” dhe qytetin Dyrrahion dhe “tokën eordaioi” me qytetin Skampis. (“Geographia”, Lib. III, 12, “Vëndi që zë Maqedonia”; Cit. sipas “Ilirët dhe Iliria në autorët antikë”, Vëll. I, 1965, f 268)
Gjithashtu, me shumë rëndësi është se te Ptolemeu, në kufirin midis Panonisë së Sipërme e Panonisë së Poshtme, hasim edhe Malin Albanon (41° 50′ dhe 45° 20′), i cili paraqet lidhje më të hershme me mitologjitë herakliane, mbasi të tillë male ka edhe në Itali etj. (“Geographia”, Lib. II, 14)
Në shënimet e Gjovalin Luka, që i kishte konsultuar edhe Kol Luka (vëllai i tij, një studiues albanolog i njohur në këtë temë) kam gjetur se, Ptolemeu ishte bazuar edhe nga aleksandrinasi Eratosteni i shek III p.e.r., i cili kishte qenë matësi i famshëm i perimetrit të tokës glob, gjeograf dhe hartograf dhe më konkretisht ishte ai hartuesi i parë i atyre tabelave dhe hartave. Vetë titulli i atlasit dhe i vendosjes në Lib. III te Ptolemeu, korespondonte me atë të Eratostenit. (Krhas. më poshtë) Kjo do të thoshte se kronologjia e ekzistencës së fisit e tokës së emëruar si Alban-oi, sëbashku me qytezën Albanopolis mund të shkonin edhe te shek III p.e.r. e diçka më herët. (Autorë antikë, Straboni. Geographica, Lib. XI; Trog Pompeu/ Pompei Trogi (origj. ka humbur);
Kompilimi M. Iuniani Iutini, Epitoma, “Historiarium Philippicarum” Pompei Troghi)
Dr. prof. Ëngjëll Sedaj, duke u bazuar në ndonjë literaturë e kishte nënvizuar kështu: “mendohet se Ptolemeu kishte në përdorim edhe literaturën bazë të veprave të Eratostenit”, por Sedaj nuk ishte shtyrë më tej se kaq. (“Etnonimi Arbëresh-Shqiptar”, Prishtinë 1996, f 23, shën 52)
Ndërkaq, për vetë Ptolemeun, veçanërisht te hartat, ekzistojnë mendime për shtesa-redaktime të një autori më të vonshëm, të shek VI, të quajtur Agathodaimon. (Sipas G. Stadtmüller, “Forschungen zur Albanischen Früchgeschichte”, në shën 220, jepen edhe bibliografitë. Cit. përkth. shqip i I.H.)
Duke u bazuar kryesisht tek të dhëna që rezultojnë nga Stefan Bizantini i shek VI (“Ethnika/”Peri poleon kai demon”, sipas përmbledhjeve të Ermolaut), i cili i ka referuar hollësisht bibliografitë e tërë autorëve antikë se ku është bazuar, ne do të veçojmë diçka që paraqet interes. S. Bizantini (shek VI), kishte shkruar: “ABROI, fis pranë Adrias së taulantëve, fqinjë të helidonëve, sipas Hekateut…” (Hekateu, “Europa”, shek V p.e.r., vepër e humbur; “Ilirët dhe Iliria…”, cit. f 416)
Duke shkruar më hollësisht te zëri Epidamni/Dyrrahioni, Bizantini, ndër autorë të tjerë citon direkt edhe të famshmin Eratosten, duke shkruar kështu: “Eratosteni në Geografumenon, Libri III, thotë: Banorët fqinjë ishin taulantët. Kurse qyteti grek Epidamni mbi gadishullin e quajtur Dyrrah…”. (po aty cit. f 422)
Siç e shohim S. Bizantini, kishte shfrytëzuar edhe Hekateun e shek V p.e.r., por edhe Eratostenin e shek III p.e.r., çka do të thotë se deri në shek VI, kishte akoma vepra të pa humbura të Eratostenit. Këtu bie në sy, se lokalizimi i fisit e teritorit “Abroi” (ku “oi” padyshim është prapashtesa e modës greke) dhe i fisit e teritorit “Albanoi”, duke marrë në konsideratë edhe të dhënën e Eratostenit, duket se janë në një teritor fare të afërt. Mbi këtë bazë prof. Dh.S. Shuteriqi dhe prof. Osman Myderrizi kishin hedhur supozime se fis-teritori “Abroi” dhe fis teritori “Albanoi”, duket se lidhen si i njejti. Mirëpo u ngrit një çeshtje se, disa ligjësi-rregullsi fonetike nuk e justifikonin një lidhje Abroi-Albanoi, e bënin gati të pamundur etj. Në këtë rast domosdoshmërisht përpara linguistikës, fjalën vendimtare duhet t’a kishte thënë arkeologjia, e cila për fatin e keq nuk e ka vënë ujin në zjarr as sot e kësaj dite. Po të ishte thjeshtë për linguistikën, kjo nuk do t’a kishte aq të vështirë t’i montonte një germë “l” dhe Abroi ta paraqiste si Albroi.
Por, që kishte pasur një Albanopolis (sepse ky nuk mund të shpikej aq lehtë), një provë përforcuese e solli një stelë nekrologjike e shkruar e zbuluar në vitin 1930 nga arkeologu jugosllav N. Vuliç e datuar e shek II, të cilën dr. prof. Sedaj e komenton gjërësisht në f 33-34.
Nuk ka dyshim se arkeologjia jonë përgjatë gjith gjysmës së dytë të shek XX, ia këputi një gjumi letargjik, për kërkimin e Albanopolit dhe flen edhe aktualisht. Ajo u kënaq vetëm me ca rrënoja Zgërdheshi të arkeologut S. Islami, (të cilin e kishte piketuar Hani) por pa sjellë asnjë lloj prove argumentuese identifikuese.
(Në “Burimet Osmane”, të 1431, ky fshat i braktisur na del i regjistruar si Ozgurdhish. Mendoj se etimologjia e dhënë nga prof. E. Çabej, si “vend i rrethuar me gardhe”, e krahasueshme me emërtime si fshatrat Gardhi e Kardhiqi është e diskutueshme. Zgërdhesh, për mendimin tonë shkon si vend i zgerdheshur rrënojë (krhs edhe ngërdheshjen, shkerdheshjen etj), një vend i rrafshuar përdhe dhe në këtë gjendje duhet të ketë qenë pak a shumë qysh nga koha rromake)
Disa vite më parë, dr. prof. M. Zeqo hodhi në televizion e në shtyp disa ide, për lokalizimin e Albanopolit (në Përsqop afër Petrelës), por edhe ato u shuan mbas nja një jave. Unë mendoj se duhen gërmime në disa pika kandidate. Duhet të zbulohet dhe të identifikohet Albanopoli!
Siç shihet kishte disa Albani me albanë dhe qyteza Alba e Albanopolis. Ne studime të ndryshme ne ekstremin orjental gjen qytezën Abla e cila e shkruar ne moden bustofredike lexohet Alba

Albania dhe Arbëria
Ka një lloj rregulli në linguistikë, ku duhet përcaktuar forma themelore e një fjale nga e cila pastaj varet edhe etimoni/rrënja bazë që përcakton edhe etimologjinë. Si formë themelore merret zakonisht ajo formë grafike e shkruar që na prezantohet më përpara kronologjikisht. Por, në rastin konkret etimoni paraqitet specifik e delikat. Rrënja “arb” na çon nga një terren fushor dhe na drejton nga orjenti mbi një bazë “arë”, ndërsa rrënja “alb” nga një autoktonitet evropian mbi bazën Alp=lartësi dhe pastaj edhe si bardh, nga bora e majave të maleve, nga populli me qeleshe të bardha etj.
Eksperti autoritet P. Grimal, në rastin qytetit Alba të albanëve, afër liqenit Albania të Laciumit, vërente: “Molti racconti analoghi concernono nomi di loghi e sono fondati su giochi etimologici; questo succede particolarmente allorché, per qualche ragione, la lingua del paese è cambiata e il suo onomastico è diventato incomprensibile. Il nome della città latina d’Alba (nome sensa dubbio apparentato alla parola Alp- e designante una altezza, in una lingua parlata anteriormente alle prime invasioni indo-europee) non era più comprensibile alle popolazioni di lingua latina. Lo si ricolegò, arbitrariamente, all’aggetivo albus=bianco. La città , si dirà , fu fondata nel luogo in cui Enea aveva sacrificato, un tempo, una cinghialessa bianca, con i suoi trenta piccoli”. (Cit. F XVI, Introduzione)
Me këtë rast duhej shënuar se orakujt në realitet i kompozonin, i parapëlqenin emrat me disa kuptime etimologjike, madje kishin edhe disa lidhje teritoriale të largëta me koinçidenca emrash të njejtë etj.
Në emrin tonë, në rastin e kalimit si emërtim nacionaliteti/etnonim e deri diku edhe të parametrave të parë si emërtim nacioni, kemi një fenomen luhatjesh fonetike (pak a shumë si Illyria e Iliria), një dukuri dialektale qysh nga antika, ku ka vepruar fenomeni i rotacizmit l-r dhe variabiliteti b-v. Krahaso Albani, Arbani, Arbëri; albanos, alvanos, arvanitas, albanitas, arvanitë, arbresh, albresh etj. Ajo që vërehet është se këto luhatje-dyzime janë disi edhe te fqinjët kufitarë tokësorë grekë e sllavojugorë si, Albania, Arvania, Allbania. Cila pra ka qenë forma themelore? Mos kishim pasur një deformim artificial a të përdhunshëm të emrit tek ne, vetëm për t’ia përshtatur formës italiane e kaspike?! At M. Sirdani propozonte që të ndaheshin në dy grupe të veçanta rrënja arb si arë-rrafshinë dhe alb si alp-lartësi, por as kjo nuk u diskutua më.
Por, ne mundemi të vërejmë se mungesa e një unifikimi shtetëror nga lart me dekrete të shkruara e ka lejuar këtë luhatje të lirë e mbase edhe si konkurrencë me ndonjë lloj vetëdije dominimi dialektal! Ndërkaq, në disa raste deçizive, ne mundemi ta vërejmë se si formë themelore ka dalë mbi ujë: 1) albanoi e Albanopolis; 2) shek XI krahina Albania me albanët; 3) Regnum Albaniae e Rex Albaniae etj, më 21 shkurt 1272; 4) 1366-1374, Principata e Albanisë, me Dominus Albaniae, Princeps Albaniae etj. 5) Shek XIX-XX-XXI vazhdon rrojtjen dhe funksionet trajta formacion Albani, popull alban, gjuhë albanishte.
Do të ishte i domosdoshme një ballafaqim, qoftë edhe i thjeshtë statistikor, se cila formë dominon dokumentet e shkruara Albania apo Arbëria. Mirëpo as një punë e tillë nuk është bërë!
Çuditërisht dhe arbitrarisht, do të vërejmë në shek XX se të gjitha format e shkruara mbi bazën e shqiptimit dhe konceptimit perendimor të dokumenteve, do të na jepen të përkthyera në trajtat toskërishtes si arbëresh, Arbëria. Madje edhe i gjithë proçesi i nacionalitetit jepet me trajtat e imponuara toskërishte, ku qëllimi dhe detyrimi janë më se të dukshëm. Prof. E. Çabej, duke i quajtur si emërat e rinj kombëtar (formacionin Shqypni/Shqipëri, popull shqiptar dhe gjuhë shqipe) dhe si emrat e vjetër kombëtar (Arbëri, gjuhë arbëreshe, popull arbër/arbëresh) i dha prioritet trajtave toskërishte. Në mënyrë të pavëmendëshme prof. Çabej ishte shprehur se emrat e vjetër ishin zhdukur nga përdorimi si emërtime kombëtare. Do të thoshim se megjith çensurën dhe një farë presioni artificial që i u bë formacionit tradicional për t’ia hequr pozicionin e parë në vetemërtimin e brendshëm e të jashtëm, ky jo vetëm se nuk u zhduk asnjëherë nga përdorimi, por e ruajti primatin në fushën e jashtëme. Po t’i hyjmë analizave me të njejtin rigorozitet edhe formacionit të ri, do të vërejmë atje mjaft difekte e anomali që janë shumë më enigmatike edhe po të marim parasysh moshën fare të re të tyre.
Qysh nga koha e Shoqërisë së Stambollit për shkronja shqip, e sidomos me fillimin e ngjarjeve të 1878, u vu re një lloj luftimi ndaj formacion emërtimit tradicional nacional. Filloi të thuhej se emrin Albani na e kishin ngjitur grekët dhe latinët, sepse realisht ne paskëshim pasur një formacion të fshehtë për përdorim të brendëshëm, Shqypni, shqypetar, gjuhë shqype nga zogu shqiponjë i Hyut Zeus, qysh nga koha pellazge etj. (Pashko Vasa Effendi, “E vërteta për Shqypenin e shqyptart”; N. Frashëri, “Istori e Shqiperisë”)