ALARMI DHE APELI PER NDIHME I BANOREVE/ Kisha e Sheperit e shekullit XVIII në krahinën e Zagorisë është në rrezik shkatërrimi


Kisha e Sheperit në krahinën e Zagorisë nuk është monument kulture i kategorisë së parë, por ajo daton nga fundi i shekullit XVIII dhe ka qenë historikisht qendra e jetës për banorët.

Çatia e kishës bizantine, e ngritur duke ndërthurur stilin lokal të ndërtimit me gurë të zinj dhe mbulim me rrasa guri e bën atë një objekt origjinal.

Banorët kanë kërkuar ndihmë në bashki për ta riparuar, kanë mbledhur edhe donacione private, por përmasa e dëmit i tejkalon mundësitë e tyre.

Në Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, drejtori Albert Kasi thotë se kur një objekt nuk bën pjesë në listën e mbrojtur, përgjegjësitë për restaurimin lidhen me njësitë vendore dhe pronarët, kisha dhe institucione të tjera të kultit.

“Jo domosdoshmërisht nënkupton se këto monumente duhet të shkatërrohen sepse nuk kanë statusin e monumenteve të kulturës, sepse këtu janë të gjithë të ftuar të kontribuojnë. I pari është pushteti vendor. Pastaj kur flasim për objektet e kultit janë dhe vetë institucionet fetare”, deklaron Kasi.

Kisha e Sheperit dhe të paktën 15 objekte të ngjashme në të gjithë zonën e Zagorisë dhe Pogonit në Gjirokastër përfaqësojnë për banorët më shumë se një trashëgimi fetare.

Objektet janë dëshmi historike e organizimit të qendrave të fshatrave, shkollave, tregut, shkëmbimeve, mbledhjeve popullore, dasmave dhe vdekjeve.