Akti i dhunshëm në Las Vegas do të vërë në lëvizje një debat për armëmbajtjen në SHBA

Akti i dhunshëm në Las Vegas do të vërë me siguri në lëvizje një debat për armëmbajtjen në SHBA. Që do të ndryshojnë shumë gjëra në këtë drejtim, për këtë shkencëtari i Harvardit David Hemenway është skeptik.

DW: Si reaguat për kasaphanën në Las Vegas?

David Hemenway: Sërish ndodhi një akt i tillë i tmerrshëm. Vërtet që secila nga këto masakra duhet vërejtur si një akt i veçuar, por një gjë kanë të përbashkët të gjitha këto incidente: dorasi gjithmonë është mashkull, dhe çdo herë ai në fund vret veten. Interesante është edhe që të shihet se sa të lehtë me sa duket e ka një njeri, për të vrarë dikë tjetër, kur kjo ndodh nga distanca. Dhe tregon se sa e rëndësishme është zhurma që shkakton një armë zjarri. Pa zhurmën, njerëzit nuk do të kishin vënë re që po ndodh diçka e tmerrshme, dhe atentatori do të kishte vrarë shumë më tepër njerëz.

Normalisht, në SHBA nis pas incidenteve të tilla gjithmonë një debat për armëmbajtjen. A do të ndodhë kjo edhe këtë herë? 

Po, diskutimi do të vijë. Por SHBA as në të kaluarën nuk kanë bërë asgjë për këtë në nivel federal, për ta kufizuar armëmbajtjen – përkundrazi, është bërë më e thjeshtë që të arrish të kesh një armë. Dhe aktualisht e gjithë qeveria ndodhet praktikisht e lidhur në ndonjë farë mënyre me lobin e armatimit, pra edhe në një të ardhme të afërt nuk do të ndryshojnë shumë gjëra.

Në deklaratën e tij pas masakrës, Presidenti Trump nuk bëri deklarata politike. Në fushatën elektorale ai pati shpallur se do t’i zbuste ligjet e armëmbajtjes. Cili mendoni që do të jetë roli i tij në debatin e armëve?

Nuk e di. Ai dihet që është pak i vështirë të parashikohet në vendimet e tij politike. E qartë është se lobi i armatimit ka ndikim të madh te ekipi i tij, pra zor se ai do të ashpërsojë ligjet.

Shumë njerëz jashtë SHBA e kanë të vështirë të kuptojnë që pas vrasjeve të tilla masive praktikisht nuk bëhet asgjë, për t’i ndaluar këto në të ardhmen. Çfarë duhet të ndodhë?

Mendoj se për këtë do të nevojiten disa konservatorë trima, të cilët ngrenë krye. Siç ndodhi kjo në Australi. Pas masakrës në Porth-Arthur në vitin 1996, ishte kryeministri konservator që e ndërmori hapin e parë dhe tha fare qartë se tani duhet të ndodhë diçka. Në SHBA duhet të ndodhë diçka e ngjashme. Si atëherë, kur Richard Nixon-i iu afrua Kinës. Pa këtë hap, në marrëdhënie nuk do të kishte ndryshuar asgjë. Na duhen konservatorë të guximshëm. Por në lidhje me këtë deri tani nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk më duket se do të ndodhë gjë.

Kur në nivel federal nuk ka dëshirë të veprojë askush – a mund të bëhet gjë në nivelin e shteteve?

Pas masakrës Sandy-Hook në vitin 2012, ligjet në shtetet me ligje të kufizuara u kufizuan edhe më shumë dhe në shtete me ligje më të lirshme u bënë edhe më të lirshme. Veç kësaj, në shtetet me ligje më të lirshme armësh ndodhin dukshëm më shumë akte dhune – me një numër shumë më të madh të vrarësh.

David Hemenway është drejtor i Harvard Injury Control Research Center dhe profesor për politikën e shëndetësisë në Universitetin e Harvardit.