Ahmet Zogu, meritat e pamohueshme si burrë shteti, anatema politike, denigrimi dhe tjetërsimi i historisë nga komunistët

Nga Albert Vataj

“Bota e ka kuptuar se nëse Bijtë e Shqiponjës lihen në paqe ata mund të ndërtojnë një shtet. Zotërinj, dalshim faqebardhë në sytë e historisë”. Ishin këto fjalët që Ahmet Zogu shqiptoi me një solemnitet ngjethës më 1 Shtator 1928, ditën e betimit si Mbret i Shqiptarëve.

Ahmet Zogu u lind më 8 tetor 1895,  në Burgajet të Matit, lindi Ahmet Zogu. Ai mbamendet ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë. Karriera e tij politike nis me atë të Ministrit të Brendshëm (30 janar, 1920-14 nëntor, 1920), vazhdon me atë të Kryeministërit të Shqipërisë (1922-1924), Presidentit (1925 – 1928) dhe Mbretit, 1 shtator 1928 – de facto 7 prill 1939 pas pushtimit italian, ndërsa de jure më 2 janar 1946 pas shpalljes së Shqipërisë Republikë.

Më 9 prill të vitit 1961, në spitalin Foch, Sorensen, Paris, vdiq në moshën 65-vjeçare mbreti Zog. Pas shumë vitesh përndjekje nga sëmundja dhe mërgimi, ai që kishte ndërtuar nga themelet shtetin shqiptar, me gjithë gabimet, fajet dhe keqkuptimet, ndaloi së rrugëtuari, së ëndërruari për t’u riktheyer në tokën ëmë, atje ku e akuzuan si ikanak, tradhtarë, hajdut dhe të shitur. Më shumë se të vërteta, e gjithë kjo errësirë që kërcënoi emrin dhe veprën e tij, ishte propoganda denigruese që regjimi diktatorial i Enver Hoxhës dhe jo vetëm, endën me pasion e përkushtim deri në caqet e tjetërsimit të historisë dhe gjithçkaje që lidhet me të dhe vetë shqiptarët e asaj periudhe. Kjo gjëmë ishte aq e egër dhe më kaq ligësi dhe helm sa i promovua si një e keqe e dënueshme dhe manipulimI që gatoi kuzhina komuniste, mbeti e tillë sa ti rezistonte kohës, aq sa edhe sot, me gjithë botimet dhe rishqyrtimit të kësaj figure, ai vijon të mbetet ai, ai që baltosën dhe masakruan mercenarët e kuq.

Si të gjithë personazhet e historisë, jo vetëm asaj shqiptare, edhe Ahmet Zogu u përpëlit në vorbullën e anatemës dhe fluturoi në qiejt e glorofikimit. Gjithsesi ai mbetet një figurë me rëndësi të pamohueshme për vënien e themeleve të shtetit shqiptar. Me të nisi një erë e re e historisë së një populli që lëngonte nën thundrën e makiavelizmave të kohës.

***

Ahmet Zogu për pesëdhjetë vjet me radhë është konsideruar tradhtar nga ideologjia komuniste, kështu që sigurisht ky mbetet një problem i madh për historianët. Për një personalitet të madh, siç është Zogu kërkohet nga studiuesit që të njohim mirë periudhën historike dhe jo ngjarje ose raste të veçanta. Dihet që Zogu në një opinion të gjerë gjykohet që në ’39-n nuk bëri rezistencë Italisë dhe iku, apo kjo tjetra që u ngjit në pushtet nëpërmjet jugosllavëve. Si fakte janë të vërteta dhe e para dhe e dyta. Por këto nuk përbëjnë shkaqet themelore për të vlerësuar një personaliet. Shqipëria në ’24-n që e mori Zogu ishte një Shqipëri tjetër nga ajo që e la në ’39-n. Nuk duhet harruar se ai vinte në pushtet nga periudha e Rilindjes Kombëtare. Ministrat e Kabinetit janë pionierë të Rilindjes Kombëtare.

Një nga momentet më të diskutueshme të tij është marrëdhënia e Zogut me jugosllavët.

Në atë kohë Shqipëria luftonte kundër pushtuesit osman dhe kundër tij ishin të gjithë popujt e Ballkanit. Kjo sillte edhe nevojën për unitet dhe marrëdhënie diplomatike mes popujve të Ballkanit në luftën kundër Turqisë. Bashkëpunimi midis figurave më rëndësishme të kohës me shtetet e Ballkanit bëhej për nevoja të armatimit të popullsisë, për nevoja të zhvillimit të luftës, të përkrahjes kundër pushtuesve osmanë. Këto janë krejt të natyrshme në historinë e një vendi. Nga ana tjetër dihet që vendet e Ballkanit kanë shprehur edhe interesat e veta… Pra në të gjitha qeverisjet këto kanë qenë lidhje për arsye dhe interesa të ndërsjella. Marrëdhëniet me ta e shoqëruan gjatë gjithë periudhës së vet. Po kështu e shoqëruan edhe Zogun këto marrëdhënie, pavarësisht se ai kur mori pushtetin u lidh me italianët. Kjo lidhje ndikoi që Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.

Për Zogun ishte e lehtë të gjente përkrahje tek italianët. Në fillim kjo gjë solli zhvillim, por në fakt ngjarjet morën një rrjedhë negative kur italianët pushtuan Shqipërinë dhe kjo ndodhi për shkak të ministrit të jashtëm italian, dhëndrit të Musolinit, kontit Çiano, që faktikisht pushtoi edhe vendin. Nuk kishte mbështetje nga monarkia zogiste Italia për këtë pushtim. Duçja kishte planet e veta. Gjithçka që erdhi më vonë lidhet me ngjarjet që ndodhën në Ballkan dhe politikat aventurore të Duçes.

Megjithatë, Zogu krijoi një situatë të trazuar politike në atë kohë edhe brenda vendit. Kryengritjet popullore i shtypi me dhunë. Kur Ahmet Zogu rimori pushtetin, gjithë kundërshtarët e tij ikën, u arratisën, pavarësisht rolit të tyre në Shqipëri, ata ishin figura të rëndësishme politike.

Kundërshtarët e tij kishin marrë pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe ishin të pambrojtur. Por duhet të them që Zogu pavarësisht kësaj, kur mori pushtetin u bëri edhe një herë thirrje kundërshtarëve të vet që të kthehen në Shqipëri. Sigurisht ai tha që të kthehen e të punojnë për Shqipërinë, jo për të qenë në pushtet. Bashkëpunëtorët e Zogut, i thanë “Ç’është kjo politikë?!”. Zogu tha se “Të gjithë këta njerëz që i kemi jashtë shtetit janë pa ekonomi dhe do të bëhen të gjithë pre e agjenturave të huaja, që mund të sjellin më shumë dëm nga jashtë”. Ishte një qëndrim shumë i mençur për një burrë shteti. Ai donte të hiqte rrezikun nga jashtë që i vinte Shqipërisë nga këta eksponentë që do të viheshin në shërbim të interesave kundër të huajve. Dhe në atë kohë një pjesë e madhe janë kthyer. Zogu arriti përfundimisht të kthej pas vetes dhe kundërshtarë të mëdhenj, siç ishte Noli. Gjatë Luftës së Dytë Botërore për çështjet që kishte Shqipëria në atë kohë, Noli u bë një mbështetës për rishikimin edhe njëherë të pushtetit të Zogut në Shqipëri me një miratim mbarëkombëtar.

Megjithatë gjatë ushtrimit të pushtetit të tij, Zogu ngjalli zemërim në popull, persekutoi aktivistët politikë, mësuesit, patriotët, etj. Këto janë të dokumentuara. Kjo ishte periudha kur iu bënë shumë akuza për vrasje, si për Luigj Gurakuqin e disa patriotë të tjerë.

Periudha e qeverisjes së Zogut lidhej me kërkesën për reforma në gjithë vendin. Por kishte një problem shumë të komplikuar. Në jug ishte një aktivizim shumë më i madh politik dhe shoqëror. Veriu nga vinte Zogu ishte akoma i mbyllur dhe ai pati kundërshtarë edhe në Veri. Zogu ka kërkuar të bëjë edhe reformën agrare. Ajo nuk u realizua, dështoi, por ishte tendencë që të mos ekzistonte feudalizmi edhe pse kishte vetë ai kishte prejardhje feudale. Zogu ishte me idenë që të mos përqendroheshin në pak njerëz tokat, pronat e mëdha.

Moment shumë i dyshimtë është vrasja e Luigj Gurakuqit, por edhe ajo e Avni Rustemit. Hidhet një dyshim, sepse Gurakuqi ishte kundërshtar i Zogut, dhe në atë kohë vrasjet politike ishin ngjarje të një natyre normale. Edhe për të vrarë Zogun është tentuar. Ka pasur njerëz kundër tij për ta ekzekutuar dhe Zogu ia ka thyer vrasësit kundërshtarit, duke i shpërblyer më shumë, pra duke paguar përsëri vrasjen. Vrasja e Luigj Gurakuqit në opinionin e kohës u trajtua si ekzekutim nga kundërshtarët e Zogut, pavarësisht se nuk doli në gjyq me fakte.

Ahmet Zogu ishte padyshim një burrë shteti. Momentet gri në veprimtarinë e tij politike nuk mungojnë.

Një pjesë e konsiderueshme e jetës së tij do të shkonte në lëngimin e ekzilit. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe të pareshtura si Mbret në Ekzil, Zogu do të shpresonte një rikthim të tij në Shqipëri, ku nuk do të mund të vinte dot. Zemërthyer dhe në lëngim ai u shua me 9 Prill 1961 në Suresnes pranë Parisit. Ai mbeti një emër për të cilin flitet kaq shumë dhe po kaq shumë keqkuptohet. Por nuk duhet harruar ajo që ai bëri, Shqipëria që ai gjeti dhe Shqipëria që ai la. Historia dhe faktet dëshmojnë se kush ishte ai në të vërtet, cili ishte roli i tij në ndërtimin e shtetit, ku gaboi dhe çfarë mund të bënte ai më mirë.  Atëkohjen e mbretërimit të tij u ndërmorën shumë reforma transformuese, i miratua Statuti Themeltar i 1928. Gjithashtu u miratuan; kodi civil, ai tregtar, etj. U miratuan ligje të tilla si për reformën agrare, heqjen e ferexhesë, etj duke aboluar Ligjin Islamik e duke e zëvendësuar me kodin civil të mbështetur tek ai zviceran siç kishte bërë dhe Mustafa Kemal Atatürk me Turqinë. Mbreti Zog nxiti ndërtimet botore në vend, rritjen e mirëqenies, zhvillimin e tregtisë, balancim të bilanceve tregtare, shkollimin e brezit të ri, përgatitjen e inteligjencies në universitetet perëndimore.

Me gjithë dritëhijet politike, Ahmet Zogu mbetet një nga personazhet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare. Ai, si pakkush tjetër në klasën politike shqiptare ka ditur të jetë edhe tolerant dhe bashkëpunues kur ja lipste interesi i vatanit. Ikën dhe erdhën, shumë politikanë, por ai meriton emrin Burrë Shteti.

Ditët e fundit të Mbretit të shqiptarëve

Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i silte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.

Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje. “Eshtë kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.

Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Ahmet Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”.  Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencies së tij, kodi i vjetëruar penal Osman u zevendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduku banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.