Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, ku ndryshojnë dhe ku ngjasojnë këto dy figura të historisë?

-Ish Mbreti s’duhet varrosur në dhe, jo të ngrihet mbi re-

Sido që të interpretohet kontributi i A. Zogut, ai mbetet figura numër një e historisë së Shqipërisë mes dy luftërave botërore, sundimtar fuqiplotë, që gjithsesi ishte i pari që hodhi themelet e një shteti të centralizuar dhe ndihmoi në ushqimin e frymës dhe krenarisë kombëtare që fatkeqësisht duhet ta pranojmë se ishte në standartet më të ulëta e më mjerane të gjithë kombeve të Evropës.

Duke qenë në shumë raste e në shumë momente kritike armiq të vetvetes, ne shqiptarët shquhemi ndër të gjithë të tjerët ballkanas, si nihilistë absolutë dhe si pikturuesit më të spikatur të tablove bardh e zi, aq sa historia jonë është ndër të paktat histori e kontestuar ose e papranueshme nga një palë e cila mohohet kategorikisht nga pala tjetër e kështu anasjelltas duke na servirur dy gjysma antagoniste në mes të të cilave qëndron në mes një hendek i pakapërcyeshëm aq sa historia jonë akoma sot e kësaj dite nuk është një e tërë e një populli dhe e një kombi të tërë.

A është Ahmet Zogu një strap anadollak, sundimtar i urryer, xhelat i pamëshirshëm, që polli një rregjim thellësisht antipopullor, a është Zogu një kryetradhëtar, që shiti pjesë të trojeve shqiptare si pjesët e çifligut të tij, tek shovinistët jugosllavë që e lidhi Shqipërinë symbyllurazi pas qerres së fashizmit italian, dhe së fundi ia dorëzoi si plaçkë tregu xhelatit më të egër të njerëzimit dhe në mënyrë hajdutçe volli gjithë arin e thesarit të shtetit dhe ia mbathi me bisht ndër shalë pa mbushur e pa qitur. Një vlerësim i tillë i tejskajshëm që i është bërë deri dje Zogut do të thotë ta varrosësh atë me të gjithë të mirat e të ligat që pati duke mos i dhënë asnjë vlerësim pozitiv, çka nuk mund të pranohet as në mënyrë imagjinare, pasi edhe tek harapi gjendet një qime e bardhë.

Shembja e barrierave ideologjike e politike natyrisht do të sillte në mënyrë të paevitueshme edhe glorifikimin e figurës së Ahmet Zogut që për rreth 15 vjet fillimisht si president e pastaj si mbret mbretëroi Shqipërinë, duke i dhënë asaj pak a shumë fytyrën e tij në planin politik e social të kohës së vet.

A është Ahmet Zogu një hero kombëtar, figura më e shquar e historisë kontemporane, që qëndron në piedestal paralel me Skënderbeun, biles si vazhdues i denjë i dinastisë së tij, si gjak i gjakut të tij, se Mamica na paska qenë martuar në fisin e Zogollit në kullën feudale të Burgajetit.

A është Ahmet Zogu një strateg syshqiponjë që luftoi për pavarësi e mbrojtjen e tokave shqiptare nga copëtimi i huaj, që themeloi shtetin modern shqiptar, se Statuti themeltar i mbretërisë është kushtetuta më moderne e shqiptarëve në të gjitha kohërat, që afirmon Zogun si politikan, diplomat dhe burrë i zgjuar shteti i papërsëritshëm në historinë tonë, që u solli shqiptarëve stabilitet politik, qetësi e rend publik absolut, zhvillim, mirëqenie e progres maksimal për t’u adhuruar akoma edhe sot e kësaj dite. Se Ahmet Zogu ishte simboli i bashkimit kombëtar dhe i unifikimit të trojeve tona etnike, se në ’39-ën nuk veshi opingat vetëm e vetëm të mos sakrifikonte jetën e mijëra shqiptarëve që i donte si dritën e syrit. Një vlerësim i tillë që i bëjnë filo-zogistët e sotëm Ahmet Zogut, është një pohim butaforik e romantik irreal po aq mëkatar e inekzistent sa mohimi vrasës e krejtësisht përçmues i djeshëm. Të mistifikosh në mënyrë të atillë sa ta ngresh përmbi re figurën e Zogollit do të thotë të tentosh të ngresh një kala prej rëre që nuk mund t’i qëndrojë aspak kohës në një realitet të ri ku censurimi e manipulimi është gjithnjë e më i pamundur. Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha janë dy figura qendrore të historisë së Shqipërisë pas dy luftërave botërore dhe njëkohësisht më kontradiktorët që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë për një periudhë 55 vjeçare dhe që duam apo s’duam, kjo është një periudhë që shqiptarët ndryshe nga çdo herë tjetër të paktën që nga mesjeta patën shtetin e tyre pavarësisht nga emri, monarki apo diktaturë e proletariatit, që na pëlqen të theksojmë përpara se t’i themi shtet.

Këto ishin dy forma shtetërore me pole ekstreme nga përmbajtja, dhe nga forma ngjasonin se ishin tipe të centralizuara shteti deri në absolutizëm që i sollën shqiptarëve shumë vuajtje, sakrifica, ndëshkime shpesh edhe makabre, por ama si kurrë më parë u sigurua stabiliteti i brendshëm politik, sovraniteti dhe integriteti territorial dhe u fekondua nacionalizmi i fjetur i shqiptarëve.

Të frysh e të pomposh në mënyrë të ekzagjeruar një anë të ndritur të personalitetit të secilit, që natyrisht nuk ju mungon fare, këtyre dy sundimtarëve, do të dalë akoma në shesh edhe ana e errët e mynxyrshme që në jo pak raste arrin deri në tirani dhe asnjëherë nuk do të jemi në gjendje të gjykojmë me objektivitet, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në dy tabore që vjellin me fanatizëm e herezi.

Ahmet Zogu në sfondin gri

Ahmet Zogu vëlla i gjashtë motrave, djali i dytë me gruan e dytë Sadije Toptani i kryebajraktarit të Matit Xhemal Pashë Zogollit, i cili arriti të vendosë nën kontrollin e vet me anën e forcës dhe kusarisë gjithë krahinën e Matit duke u njohur zyrtarisht nga Porta e Lartë si udhëheqës i kësaj krahine. Ahmeti, djalosh i ri, biri i një politikani malesh, dinak duke kundruar të atin, arriti të mësonte shumë shpejt se forca e armëve përbënte vetëm njërën prej metodave për forcimin e pushtetit dhe rritjen e ndikimit të fuqisë së tij. Bota në të cilën u rrit Ahmeti, parë në këndëvshtrimin e sotëm e perëndimor ishte primitive e dhunshme dhe jashtëzakonisht patriarkale, botë që la gjurmë të thella në formimin e personalitetit të Zogollit, duke rrënjosur tek ai besimin se shumica e problemeve vetiake e politike mund të zgjidhen më mirë nëpërmjet dhunës, dhunë e cila u bë pjesë e rëndësishme e metodës së tij politike. Zogolli u arsimua në mënyrë gjysmake në liceun e Galata Sarajt, lice ku mësonin fëmijët e dyerve të mëdha dhe pastaj në një shkollë ushtarake në Manastir.

Gjatë tre viteve të shkollimit mësoi turqisht dhe fare pak frengjisht. Thuhet se Zogollit i ka munguar dëshira për të mësuar ose më saktë i ka munguar koha për t’u arsimuar sipas kritereve të duhura, si rrjedhojë formimi i tij ishte i cunguar dhe tërësisht oriental aq sa përtej Evropës Juglindore për Zogollin bota thuajse nuk ekzistonte, megjithatë, Zogu vazhdoi të mësonte gjatë gjithë jetës në mënyrë autodidakte.

Në vitin 1916 austriakët duke dyshuar tek besnikëria e Zogut, të cilin e kishin graduar me gradën e kolonelit në ushtrinë austriake dhe i jepnin një rrogë prej 50 000 levash, e largojnë nga Shqipëria, pasi e konsideruan të dëmshëm për interesat e tyre politike, nuk e arrestuan për të mos ngjallur reagime, por e thirrën në Vjenë, biles edhe e dekoruan dhe e ftuan të merrte pjesë në një këshill lufte.

Brend Fischer shprehet në studimet e tij se: “Koloneli i ri ardhur prej maleve të Shqipërisë i guximshëm dhe enigmatik, i hijshëm që me sa dukej pëlqehej prej zonjave të aristokracisë së lartë Vjeneze, të cilat adhuronin uniformën e tij dhe përgjithësisht pamjen burrërore, flokët e kuqërremtë e të ndritshëm dhe mustaqet e mbajtura me kujdes.

Zogolli, që paratë nuk i kishte aspak me kursim, hyri në të gjitha rrethet shoqërore Vjeneze, duke frekuentuar kazinotë më të shtrenjta të qytetit, duke bredhur pas vajzave simpatike austriake që e adhuronin mjaft Zogun e hijshëm si më s’ka.” Por një nga rezultatet më pozitive të qëndrimit të tij në Vjenë ishte rasti që iu dha për të studjuar politikën perëndimore për një periudhë dy vjeçare, aq sa arriti të perfeksionojë më së miri e të ndërthurë despotizmin lindor, me kushtetutshmërinë perëndimore e intrigën fisnore shqiptare, veti të cilat do të inspironin gjithë veprimtarinë e tij në të ardhmen. Në fillim të viteve njëzet, Zogu zotëronte gjithçka i duhej për t’i hyrë lojës së sundimit politik në Shqipëri. Ai shquhej për zgjuarsi natyrale, një temperament i ndërmjetëm koleriko-sanguin, herë i ashpër e shpërthyes, herë i qetë e enigmatik, me potencë impulsive mashkullore, i aftë të kontrollojë vetveten në çdo situatë, egoist e karrierist manjak për pushtet, xheloz ekstremist ndaj rivalëve të vet potencialë, dinak i pabesë e inatçorë, provokator dhe i dhunshëm, megjithatë dinte t’i fshihte ndjenjat nën petkun e një sjellje të mirë në pritje të një momenti më të përshtatshëm për të goditur pa mëshirë. S’e kishte për gjë të shiste për pesë pare miqtë e vet dhe të pajtohej me armiqtë dhe kundërshtarët e tij më të betuar, duke luajtur me ta si macja me miun, mbjellës i përçarjeve dhe intrigave politike, ndërfisnore e ndërfetare, p.sh. nxiti popullsinë myslimane të Pukës t’i kundërvihej Kolë Bibë Mirakës që kishte filluar luftën në Iballë. Iu mbushi mendjen postribasve t’u binin pas shpine dukagjinasve tek Ura e Mesit dhe nis yrysh Mul Delinë e Hotit të shtypte kryengritjen e Dukagjinit të vitit 1926. Dërgoi banda mercenarësh civilë nga Luma e Mati të ndëshkonte popullsinë e Dukagjinit, Pukës e Malësisë së Madhe pas shtypjes së kryengritjes së ’26-ës, ose në ’35-ën mori garancitë e ish-armikut të tij Gjon Marka Gjoni për të shtypur kryengritjen e Fierit.

Zogolli në përgjithësi njihte kufinjtë e aftësive të veta, sa herë nuhaste se rreziqet ishin tepër të mëdha dhe përfitimi fare i vogël, ai dinte të tërhiqej që të mblidhte forcat për një rast tjetër më të volitshëm.

Zogu shquhej si njeri kurajoz, me vullnet të patundur, i etur për revansh e metoda represive, deri në mizori për arritjen e synimeve të veta.

Zogu, ashtu si dhe Hoxha, kishte një talent të çuditshëm për të konstatuar dhe shfrytëzuar veset e shqiptarëve që e rrethonin, ai kishte intuitë të fortë dhe aftësi sugjestionuese të intrigës për të vënë të tjerët në shërbim të vetes, përfshi këtu edhe ata që nuk do të kishin pranuar kurrë ta ndihmonin në rast se do të kishin qenë të ndërgjegjshëm se me veprimet apo mosveprimet e tye po kontribonin në forcimin e pozitës së tij. Zogu arriti të kuptojë, si aktor i hershëm i skenës politike shqiptare në vitet njëzet, se anarkia e thellë politike pjellë e mentalitetit ballkanik ishte kërcënuese për vetë integritetin e Shqipërisë, se përpjekjet për ta transformuar Shqipërinë drejt një modeli politik perëndimor, kishin dështuar në mënyrë të mjerë ose më saktë ishte vetë Zogu me dorën e djathtë të tij që i dërrmoi këto përpjekje, duke asgjësuar grupin politik të opozitës së Nolit, që përbënte inteligjencën e vërtetë të Shqipërisë, inteligjencë shpeshherë e pavendosur, konfuze dhe e çarmatosur përpara fuqisë së Ahmetit. Zogu e nuhati se të kesh një demokraci parlamentare, duhet të kesh një popull të kulturuar me kushte relativisht të mira ekonomike të aftë e të vullnetshëm për të marrë pjesë në procesin politik, prandaj me shumë zgjuarsi në aventurën e tij në pjesën dërrmuese të një mori qeverishë të viteve njëzet, Zogu mbajti postin e Ministrit të Brendshëm, në funksion të dëshirës për t’u bërë Kryeministër, synim të cilin e arriti më 16 dhjetor 1922, duke qenë Kryeministri më i ri në historinë e shtetit shqiptar, kur ishte akoma 27 vjeç dhe i vetmi që qëndroi në pushtet në këtë post për një vit e dy muaj në stinën e paqëndrueshme politike të atyre viteve. Duke qenë President ëndërronte të bëhej Monark, dhe ia arriti menjë akrobaci duke e justifikuar institucionalisht, pavarësisht se Shqipëria nuk kishte patur për pesë shekuj as monarki, as derë monarku, pra u bë monark pa pasë pikë gjaku si monark. Në mënyrë butaforike propaganda megallomane bëri përpjekje për të rishkruar edhe një herë historinë e mesjetës në mënyrë që të përshkruante lidhjet martesore midis Mamicës, motrës së vogël të Skënderbeut e njërit prej stërgjyshërve të Zogollit, u bënë përpjekje pr të gjetur ngjashmërinë mes Zogut të Parë e Heroit tonë Kombëtar. Sikur të dy ishin nga Mati, se të dy kishin arritur brenda një kohe të shkurtër e në moshë të re të bëhen sundimtarë, sikur që të dy qenë strategë të shquar ushtarakë etj., etj. Me qëllim që të nguliste edhe më tepër këtë lidhje Zogu adaptoi helmetën e Skënderbeut si simbol të kombit, së cilës iu bashkangjit edhe iniciali AZ.

Duke mbikëqyrur krejtë propagandën që drejtohej prej nëpunësve e zyrtarëve lokalë konformistë, mediokër e shërbëtorë të verbër e pati të lehtë të ushqente megallomaninë e vet për krijimin e kultit të mbretit, gjë që favorizohej nga fakti i qenies së shumicës dërmuese të popullatës analfabete, ndërsa pjesa më e vogël që përbënte inteligjencën si pjesën më vitale të kombit ishte në mërgim dhe shpesh propaganda e saj ishte diskredituese dhe anti-Zogiste, ishte një zë i vetëm në shkretëtirë, gjë që nuk bënte asnjë problem për Zogun, që e përdorte sikartë në propagandimin e të ashtuquajturës liri e shprehjes në sytë e botës së jashtme.

Zogu, pushtetin e mbajti duke shfrytëzuar konjukturat e brendshme dhe ndërkombëtare, duke kapërcyer si zogu pip më pip, nga njëri padron tek tjetri, pa qenë asnjëherë vasal shembullor i askujt, mbeti i frikshëm e gjaksor si sundimtar me një pushtet të centralizuar, me shkëlqim e ekstravagancë nga jashtë i dobët e delikat në brendësi.

Mungesa e skrupullit politik Zogun e ngriti në luftë kundër serbëve, turqve, austro-hungarezëve, princ Vidit dhe dajës së tij Esat Toptani, kundër gjithë atyre që kishte luftuar dikur me fanatizëm për ta.

Për hir të ambicjeve politike Zogolli ishte gati të bashkëpunonte me këdo dhe pasi ta realizonte synimin e vet, ta braktiste në mënyrë poshtëruese. Braktisi jugosllavët që e sollën me forcë në fron dhe u lidh me italianët që t’u imponohej e të siguronte mbështetjen e perëndimit. Me anë të parasë arrinte të bënte për vete edhe armiqtë më të egër dhe njëkohësisht e godiste e kryqëzonte këdo që i sillte pengesa në marshimin e tij drejt pushtetit.

Ceno bej Kryeziun, kunatin e vet, përkrahës të kauzës së tij e bëri ministër të brendshëm, e akuzoi për pjesëmarrje në një komplot, pastaj e eliminoi në Pragë, apo Muharrem Bajraktarin, që e ndihmoi në triumfin e ’24-ës e akuzoi se po përgatiste një kryengritje dhe e dëboi nga Shqipëria, ndërsa arriti të fitojë zemrën dhe adhurimin e Gjon Markajt, ndonëse e kishte pasë armik të vjetër, të njëjtën taktikë ndoqi me shumë bajraktarë të veriut, që nuk ngurroi t’i dënonte në vitet ’25-’26 dhe pastaj i bleu me para dhe i vuri në shërbim të tij.

Zogu kishte dyshim ndaj kujtdo, kudo shihte armiq të vërtetë dhe po qe se nuk ishin i krijonte në mënyrë imagjinare, e vetmja armatë që kishte besim ishin matjanët e tij. Sqima ishte tipar i karakterit të Zogollit, dyshimi ishte rrjedhojë e paaftësisë së tij për të bashkërenditur veprimet dhe për t’u besuar të tjerëve një pjesë të punëve të veta.

Zogu, me gjithë përpjekjet për të ngritur një administratë shtetërore, duke qenë i paaftë të zgjidhte këshilltarë kompetentë, ai i la pas dore njerëzit e rinj dhe të kulturuar, duke e lënë popullin të vuante nën pushtetin e burokratëve anadollakë, të paaftë dhe thellësisht të korruptuar. Zogu, i nxitur nga njerëzit e oborrit si Krosi me kompani, tek çdo grupim intelektualësh shihte një kërcënim për sundimin e tij politik, duke luftuar tëmbyste që në vezë çdo lloj opozite, pasi druhej se pakënaqësia politike mund të lidhej e të thellohej edhe me pakënaqësinë ekonomike, e cila sa vinte e rritej dita-ditës.

Si megalloman kishte dëshirë të papërmbajtur për t’u pëlqyer nga të tjerët dhe për të arritur këtë predikonte doktrinën e tij shpirtmadhe, të cilën jo gjithmonë ishte në gjendje apo kishte dëshirë ta vinte në jetë. Zogu mishëronte shumë të mira dhe të këqija njëkohësisht, që karakterizonin Shqipërinë e pas Luftës së Parë. Si politikan dualist krijoi një sistem të përbërë prej ideve perëndimore në formë, dhe atyre lindore konservatore në përmbajtje, duke krijuar një shtet të çuditshëm, që varionte në mes të një diktature absolute, e herë-herë gjoja të një sistemi me elementë liberalë, që në fakt nuk qe kurrë i tillë. Zogu ishte një sundimtar që luhatej mes autokratit dhe tiranit, duke kombinuar me sukses metodat e buta me radikalizmin ekstrem, mbuluar me vellon e zbatimit të ligjshmërisë kushtetuese, kundër komploteve shpesh edhe të inskenuara e kryengritjeve rebele, të nxitura gjithmonë nga të huajt. Shpesh i gjendur nën presionin e të huajve që i impononin diktatin e vet, Zogu nuk arriti të shfaqë në shumë raste fytyrën e vërtetë të një tirani dhe të shprehte gjithë fuqinë e instinkteve të dhunës që kishte një gen. Zogu ishte një prijës kapriçoz shqiptar, i cili e kaloi kohën në luftëra, pusi dhe intriga, talenti dhe dhuntia i dhanë atij mundësinë të shquhej mes rivalëve të vet, të cilët nuk mundën t’i bëjnë ballë energjive djaloshare të Zogollit, i cili mbetet edhe dishepulli i së djathtës tradicionale shqiptare edhe despot e pjellë e saj.

Prelë Milani